“Qeveri pa mandat të plotë, akuzojnë njëri-tjetrin për favore të vetes”

Politika

“Qeveri pa mandat të plotë, akuzojnë njëri-tjetrin për favore të vetes”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 qershor 2018 Në ora: 23:16
Kadri Veseli- Ramush Haradinaj- Fatmir Limaj

Fatmir Limaj ish- nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëri ndër figurat kyçe të kësaj partie, pas dorëheqjes nga PDK-ja, me formimin e partisë së tij, nuk ka “kursyer”, akuza ndaj ish-partisë.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, dje në Skenderaj ka hapur punimet e Kuvendit në këtë degë, gjersa nga aty ka bërë komente për punën e tij në të kaluarën.

Ai është shprehur se gjatë kohës sa kishte qenë ish-ministër i transportit nga radhët e PDK-së, kishte larguar 97 përqind e baltës nga fshatrat e Skenderajt, gjersa ka shtuar se për punën e tij kanë marrë vota të tjerët duke bërë fushatë.

Analisti politik, Faton Mehmeti, duke komentuar deklaratën e Limajt, thotë se ai gjithë veprimtarinë e tij e ka kthyer në personale që nga dalja e PDK-së.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, nëse PDK-ja ka instaluar korrupsionin dhe keq qeverisjen në vend, pjesë e saj kishte qenë edhe Limaj, prandaj sipas tij, duke akuzuar PDK-në Limaj tregon mungesë sinqeriteti.

“Mendoj se Limaj e ka kthyer në personale gjithë veprimtarinë e tij që nga dalja prej PDK-së. Duke e vuajtur ende mos marrjen e të parit të PDK-së, po sulmon vazhdimisht Kadri Veselin, i cili ia treti ëndrrën e Limjat për ta udhëhequr partinë e dikurshme. Duke hedhur baltë mbi PDK, Limaj po tregon mos sinqeritet me të shkuarën e tij. Nëse PDK instaloi korrupsionin dhe keq qeverisjen në vend duke kapur shtetin, pjesë e saj ishte edhe Limaj, tani të akuzosh PDK-në për gjëra kur ishte pjesë e saj, tregon mungesë sinqeriteti të Limajt. Ky i fundit ka qenë ndër kryesorët në këtë parti, e cila ka dëmtuar shumë Kosovën”, thekson Mehmeti.

Nisma Socialdemokrate është pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës së bashku edhe me Partinë Demokratike të Kosovës, kësisoj me këto akuza brenda për brenda koalicionit, sipas Mehmetit, tregohet se qeveria nuk do ta përfundojë mandatin.

“Duke qenë koalicion i të korruptuarve po mundohen secili të akuzojnë tjetrin, si plasaritje e mos durimit nga njëri- tjetrin, e në fakt janë të gjithë njësoj. Kjo qeveri nuk zgjat në mandat të plotë, andaj po mundohen të akuzojnë njëri- tjetrin në favor të vetes. Në këtë koalicion janë bërë bashkë tërë kupola e krimit dhe korrupsionit”, shton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat