“Luftë” mes Thaçit dhe Veselit, se kush do t’i shpëtojë Gjykatës Speciale

Politika

“Luftë” mes Thaçit dhe Veselit, se kush do t’i shpëtojë Gjykatës Speciale

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 16 qershor 2018 Në ora: 18:56
Hashim Thaci- Kadri Veseli

Libri i publikuar me biografi të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka zgjuar jo pak reagime.

Ky libër, nga media prestigjioze botërore është vlerësuar më shumë si ide, për të ndrequr imazhin e Thaçit.

Artikulli i NZZ

Gazeta Neue Zürcher Zeitung, ka bërë një shkrim goditës për librin biografik të Presidentit Hashim Thaçi, të cilën shefi i shtetit po e promovon nëpër qendra botërore. NZZ shkruan se Thaçi këtë libër e ka porositur nga frika e Gjykatës Speciale dhe në përpjekje për të përmirësuar imazhin e tij të dëmtuar.

Në një biografi të autorëve britanikë, presidenti i Kosovës dhe ish- kreu i gueriles Hashim Thaçi duket si një superyll. Në Prishtinë besohet se fushata e imazhit ka të bëjë me akuzat e frikshme të krimeve të luftës. Një politikan që dëshiron të përjetësojë veten në një biografi zakonisht ka tri opsione: Së pari, ai është duke kërkuar një ‘shkrimtar-fantazmë’ për kujtimet e tij.

Së dyti, ai u përgjigjet pyetjeve nga gazetarë të pavarur, të cilët mbledhin të dhëna për të shkruar një libër jo fiktiv. Së treti, ai punëson autorë që shkruajnë pikërisht atë që ai dëshiron të lexojë rreth vetes për një tarifë të përshtatshme.

Kjo e fundit është varkë shpëtimi ideale për politikanët me një imazh të dëmtuar, përfshirë edhe për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ish shefi i gueriles është i përfshirë  në shumë çështje deri në fyt.

Ai mund të akuzohet për krime lufte nga një gjykatë ndërkombëtare speciale në Hagë. Thaçi, i cili gjithmonë ka mohuar akuzat, thuhet se ka nënshkruar miliona euro gjatë viteve të fundit me firma lobuese dhe firma ligjore në SHBA dhe Angli. Tani 50-vjeçari shkëlqen me flokët e thinjura me buzëqeshje të filmave vizatimorë në kopertinën e  librit të sapo botuar.

Njëlloj lavdërues është edhe titulli: "Shtet i ri, burrështetasi modern". Autorët janë dy gazetarë britanikë që nuk kanë raportuar më parë nga Kosova apo rajoni.

Në Prishtinë, libri, në të cilin Thaçi është krahasuar me Churchill, Mandela dhe George Uashington, ka nxitur debate. Gazetarët akuzojnë autorët për shtrembërimin e fakteve dhe thurjen e legjendave.

Anëtarët e opozitës kërkojnë një hetim parlamentar. Mbi të gjitha, duhet të qartësohet një pyetje: a pagoi presidenti biografinë me paratë e taksapaguesve.

Në Vjenë, ku Thaçi prezantoi librin e tij në Akademinë Diplomatike prestigjioze, askush nuk duket ta ketë bërë këtë pyetje.

Diplomatët në pension i dolën në mbështetje mikut të tyre. Në vend të një diskutimi kritik pati lavdërime në podium - edhe nga nikoqiri, drejtor i Akademisë. Kosovarët që jetojnë jashtë shtetit nënshkruan autografe dhe bënë ‘selfie’ me presidentin, i cili buzëqeshte me kopertinën e librit. Katër televizione i transmetuan fotot dhe pamjet në Kosovë. Rastësisht, libri atje nuk mund të gjendet.

Millaku: Këtu bëhet luftë mes Thaçit dhe Veselit

Deputetja e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot”, se Hashim Thaçi më veprimin e fundit i ka shkaktuar buxhetit të shtetit qindra mijëra euro dëme dhe atë në mënyrën më të ulët.

Image
Drita Millaku

“E keqja qëndron se promovimin e tij po e bënë nga pozita e presidentit dhe blofet e tij do të reklamohen nga bashkësia ndërkombëtare, pasi ata kanë informacione të mjaftueshme për të njohur secilin funksionar të Kosovës. Këtu bëhet luftë mes Thaçit dhe Veselit, se kush  do t’i shpëtojë Gjykatës Speciale”, ka thënë Millaku për “Bota sot”.

Libri është dashur të demaskohet

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, ka thënë për “Bota sot”, se ajo çfarë po bënë Hashim Thaçi me librin e tij është krejt e kuptueshme për një pushtetar, i cili tash dy dekada është në pushtet me tendencën që mos të largohet edhe për shumë vite.

Image
Faton Abdullahu

 “Vetë kjo jetëgjatësi e një njeriu në pushtet flet se më shumë se institucione të cilat punojnë dhe kontrollohen nga sistemi demokratik, në Kosovë po rrëshqasim në autokraci. Një gazetë zvicerane e vetme nuk mund ta eklipsojë atë që dëshiron të arrijë Thaçi me librin e tij. Ai në këtë po ka sukses. Mua më çuditë mos reagimi opozitar. Duket se ata, por edhe intelektualët edhe shoqëria civile, kanë përtuar edhe ta lexojnë. Janë ata që është dashur të demaskojnë këtë libër që është maskë e Thaçit për t’u paraqitur engjëll në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Abdullahu.

“Një libër për të përmirësuar imazhin e tij”

Ndërkaq, opinionisti Faton Mehmeti, ka thënë se shkrimi i fundit i gazetës prestigjioze Neue Zurcher Zeitung, zbërthen edhe më tepër figurën e Hashim Thaçit.

Image
Faton Mehmeti

“Njeriu i shërbimeve sekrete arriti të bëhet President i vendit në përpjekje që t'i ikë drejtësi ndërkombëtare për të bëmat e tij gjatë dhe pas lufte. Kur e kuptoi se as posti i presidentit nuk po arrinë do ta shpëtojë, Hashimi ndërroi strategji duke financuar një libër për të përmirësuar imazhin e tij”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, shkrimi i fundit i NZZ ka për qellim që të shpalos edhe një herë imazhin e vërtetë të presidentit aktual të vendit tonë.

“Kosova nuk duhet të krenohet që në krye të saj ka njeriun e që do të akuzohet , pasi kjo dëmton shumë figurën e Kosovës në sytë e botës. Andaj, qytetarët duhet të vetëdijesohen që njerëz të tillë mos t'i mbështesin, por t’i  izolojnë duke mos iu dhënë poste të rëndësishme. Hashim Thaçi, Kosovës i ka bërë dëme të mëdha aq sa i ka bërë Milloshevici, secili në mënyrën e tij”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.

Kurse analisti politik Leon Duhanaj,  ka thënë se, Presidenti Thaçi si çdoherë  edhe me rastin e botimit të këtij libri të porositur, është përkujdesur personalisht për imazhin e tij.

“Ai asnjëherë, nuk i ka lënë rastit, të përkujdeset personalisht për përmirësimin e imazhit të tij. Për mendimin tim, nga këndvështrimi logjik dhe objektiv ky, me shumë po tregohet hipokrit se sa po  ndreq imazh. Së pari, besoj që bota ka shumë me shumë mundësi të lexojë ndonjë margaritarë, se sa të merren me biografinë e Thaçit”, ka thënë ai.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: Thaçi është politikan pa parime

Sipas Duhanajt,  vetë mënyra e promovimit dhe njëkohësisht edhe mohimit të ketë qenë pjesëmarrës aktiv në të e bënë edhe më hipoktit.

“Ai në njërën anë në mënyrë të shfrenuar shpërfaq zilinë dhe urrejtjen e tij ndaj Rugovës  dhe në anën tjetër shkon i përulet para varrit dhe mundohet që përmes manipulimeve me familjarëve të tij, t'i shfrytëzojë për ndreqje imazhi”, ka nënvizuar Duhanaj.

Sipas tij, kjo mund të ketë një ndikim minimal, por, jo edhe ta ndryshojë bindjen e cila mbretëron për Thaçin, të në qarqet ndërkombëtare.

“Thaçi ka problem me të kaluarën e tij, me deklaratat  e tij të mëhershme, me qëndrimet, bindjet dhe veprat e tij. Ai prapë mundohet ta rregullojë këtë imazh e keq, duke u munduar ta kontrabandojë bindjen e mëhershme. Vetë mënyra hipokrite e sjelljes ndaj figurës së Rugovës, nuk i bënë aspak nder dhe i mohon mundësinë që dikush ta besojë përrallën e tij. Kjo nuk e zbehë bindjen time për të, që është një ndër politikanët me të urryer ndër shqiptarë, por që është politikanë pa parime”, ka thënë Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat