Dora e zezë e SHISH-it dhe e SHIK-ut, përgjegjëse për vrasjen e Ahmet Krasniqit dhe të tjerëve

Politika

Dora e zezë e SHISH-it dhe e SHIK-ut, përgjegjëse për vrasjen e Ahmet Krasniqit dhe të tjerëve

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 15 qershor 2018 Në ora: 20:08
Ilustrim

Emra të mëdhenj të luftës kundër armikut në vitet e nëntëdhjeta dhe gjithashtu persona politikë, u vranë në rrethana të pasqaruara në territorin e shtetit të Shqipërisë.

Ato vrasje mbetën të heshtura për dy dekada, shkruan “Bota sot”.

Kolonel Ahmet Krasniqi, Ilir Konushevci, Sadri Ramqaj, Ali Uka, etj, janë personat, vrasjet e të cilëve i ka mbuluar pluhuri i harresës.

Enigmatika e këtyre vrasjeve ngjallë shumë dyshime të mëdha kur analizohet se kush mund të kenë qenë vrasësit, mirëpo pa marrë parasysh se cila pistë e hetimeve duhet ndjekur, fillimi i zbardhjeve të këtyre vrasjeve politike duhet të fillojë në Shqipëri, pasi atje është kryeqendra e tyre dhe se atje filluan vrasjet.

Realisht bashkëpunimi i të dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, në derdhjen e informatave të përbashkëta në një pistë hetimi, do ishte ndoshta mënyra më e lehtë që të ndërmerren hapa  në zbulimin e këtyre vrasjeve, mirëpo deri sot nuk ka pasur një gjë të tillë.

E ky mos interesim nga ana e Shqipërisë, por edhe e Kosovës, ngjallë dyshime të mëdha se cila është arsyeja kryesore që këto vrasje nuk zbardhen.

Ndër tjera, muaj më parë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Izet Haxhia, tash i arrestuar si i dyshuar në vrasjen e Azem Hajdarit, ka deklaruar se shërbimi sekret i Kosovës dhe i Shqipërisë, kanë bashkëpunuar në vrasjet që janë kryer në atë kohë.

“Po, ka qenë SHIK-u i Klosit që ka kontribuar në themelimin e SHIK-ut të Kosovës dhe kuptohet që SHIK-u i Kosovës ka qenë në fillimet e tij një derivat i SHIK-ut të Klosit dhe së bashku kanë kryer shumë veprimtari të jashtëligjshme e deri kriminale sepse qëllimi i tyre nuk ishte mbrojta e çështjes kombëtare, por pasurimi i paligjshëm dhe përndjekja e atyre që i shihnin si kundërshtarë politikë”, kishte thënë Haxhia në një intervistë për “Bota sot”.

Islami: Në Shqipëri kanë ndodhur gjëra të tmerrshme gjatë luftës

Publicisti i njohur Gazmend Islami, thotë për “Bota sot”, se çdo shtet ka mekanizmat e vet veprues siç është shërbimi informativ, por varet se çfarë shteti udhëheq me shërbimin, ndërsa Shqipërinë e quan shtet totalitar gjatë kohës së luftës.

Image
Gazmend Islami

“Po çdo shtet ka mekanizmat e vet veprues siç është shërbimi informativ , por varet se çfarë shteti udhëheq me shërbimin, a është shtet demokratik, apo totalitar e fatkeqësisht në Shqipëri gjatë kohës së luftës kemi pasur një udhëheqje të tillë”, ka thënë Islami.

Mundësia e implikimit të vet shtetit në ato vrasje, bënë që ai të mos interesohet në zbardhjen e tyre, shton Islami.

“Në Shqipëri kanë ndodhur gjëra të tmerrshme gjatë luftës ka pasur vrasje të orkestruara, njëra ndër vrasjet më turpshme është ajo e Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqit, që do të duhej moti të zbardhej nga shteti shqiptar, por kjo mjerisht nuk ka ndodhur sepse mund të jenë vetë të implikuar në këtë vrasje”, shton ai.

Islami shpreson që qeveritë e ardhshme do t’i hapin dosjet e këtyre vrasjeve, por jo me këta pushtetarë që sot janë në pushtet.

“Më vjen keq që qeveritë deri më sot nuk kanë marrë asnjë hap serioz për të kërkuar që të hapen dosjet për këtë vrasje, por edhe të tjera që kanë ndodhur, nuk më habit rasti për qeveritë që udhëhiqen nga PDK, por kur ishte Mustafa duhej të hapej kjo temë që është tepër e ndjeshme. Këto vrasje do të zbardhen një ditë, por pa këta pushtetarë që janë koka e krimit të organizuar, duhet të kemi një qeveri të ndershme të zgjedhur nga populli për të pasur vullnetin politik për të ardhur tek e vërteta, me këta kopukë që kemi nuk pritet që të kemi hetim”, u shpreh Islami.

Miftari: Shqipëria duhet t`i hapë dosjet

Ndërkaq, Naim Miftari, pjesë e SHIK-ut para shumë vitesh, thotë për “Bota sot”, se shteti i Shqipërisë nuk është i interesuar t’i hetojë ato vrasje, e sipas Miftarit, kjo bëhet për arsye politike dhe materiale të dikujt në politikë.

Image
Naim Miftari

“Shqipëria shteti jonë amë, duhet të ndihmojë në zbardhjen e vrasjeve politike, por si duket për arsye politike dhe materiale të ndokujt në politikë, Shqipëria nuk dëshiron të ndihmojë. Këtë mos ndihmë e kam vërejtur me rastin e Sadri Ramqës i zhdukur, e kam vërejtur se as kryeprokurorja e shtetit në atë kohë nuk ka dashur ose nuk kanë pasur guxim t’i shkojnë atij rasti deri në fund, por për disa ditë e kanë mbyllur rastin pa epilog, pa kurrfarë logjike apo arsye”, thotë ai.

Miftari shton tutje, se shërbimet sekrete të Shqipërisë dhe Kosovës në atë kohë, kanë pasur bashkëpunime në vrasjet politike.

“Sipas mendimit tim, por edhe realitetit çdo vrasje e shqiptarëve nga Kosova që janë kryer para, gjatë dhe pas luftës në vrasje apo zhdukje që janë bërë në territorin e Republikës së Shqipërisë, llogari duhet të japë shtetit shqiptar, së pari prokuroria, pastaj edhe SHISH, por jo të tregojnë përralla (e të qesin fall) si Fatos Klosi, por fakte dhe vepra pasi Ilir Konushovci, Ahmet Krasniqi, Sadri Ramçaj e shumë e shumë luftëtarë, atdhetarë dhe veprimtarë tjerë të vrarë e të zhdukur nuk i vrau CIA, por mbajnë vulën në hije, dorën e zezë të njerëzve të SHISH-it shqiptar të shtetit dhe politikës shqiptare dhe njerëzve bashkëpunëtorëve nga Kosova që kanë qenë veprimtarë dhe kanë pasur lidhje direket LPK-SHIK. Pra, njerëz kosovar, sidomos shtabi i Rognerit apo i Hashim Thaçit me shok, por edhe Bujar Bukoshit i ashtuquajtur kryeministër në ekzil, por që kanë vepruar në Tiranë”, shprehet ai.

Sipas Miftarit, ato vrasje nuk do të zbardhen asnjëherë as në Shqipëri e as në Kosovë, ndërsa shton se me kushtetutë dhe ligj, Shqipërisë i takon të japë llogari për ato vrasje.

“Me kushtetutë dhe ligj medoemos Shqipërisë i takon me jep llogari dhe rezultate ligjore për qindra vrasje dhe zhdukje arrestime të njerëzve që luftonin kundër Serbisë që u vranë, u zhduken apo u arrestuan nga sigurimi shqiptar si p.sh  Zahir Pajaziti, e Adem Jashari, e shumë luftëtarë tjerë u arrestuan me urdhra politikë apo me qëllime tjera të errëta. Sipas mendimit tim, as në Shqipëri, as në Kosovë, këto dhe shumë vrasje tjera politike nuk do të zbulohen kurrë, pasi urdhëruesit dhe qendrat grupacionet e këtyre veprave janë në pushtet dhe në politik në te dy vendet tona sot”, përfundoi Miftari për “Bota sot”.

A mund të shpresohet në Gjykatën Speciale

Kurse publicisti i njohur që ishte edhe si gazetar në kohën e luftës në shtetin e Shqipërisë, Rexhep Shahu, thotë se Shqipëria nuk ka ndihmuar ndonjëherë dhe nuk do të ndihmojë asnjëherë në zbardhjen e këtyre vrasjeve, ku tregon arsyen pse ndodh kjo.

Image
Rexhep Shahu

“Shqipëria as nuk e ka bërë, as do ta bëjë ndonjëherë që të ndihmojë në zbardhjen e vrasjeve politike, sepse politika e asaj kohe në Shqipëri, vallëzonte tangon e vrasësve. Nuk besoj në zbardhjen e krimeve asnjëherë për këto vrasje pasi ata vrasës kanë qenë e do të jenë gjatë shumë gjatë më të fuqishëm se shtetet shqiptare”, theksoi Shahu për “Bota sot”.

Edhe pse këto vrasje kanë ndodhur në shtetin e Shqipërisë, veçanërisht vrasja e Sadri Ramqajt, Gjykata Speciale ka mandat t’i hetojë, edhe ato vrasje që janë kryer në shtetin e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat