Serbo-sllavët “Gadishullin Ilirik” e kthejn në “Gadishull Ballkanik” - Bota Sot
Serbo-sllavët “Gadishullin Ilirik” e kthejn në “Gadishull Ballkanik”

Politika

E premte, 21 shtator 2018

Serbo-sllavët “Gadishullin Ilirik” e kthejn në “Gadishull Ballkanik”

Nga: Nehat Shaqiri Më: 15 qershor 2018 Në ora: 18:03
Gadishulli Ilirik

Është shumë me rëndësi që ne shqiptarët duhet të ndërtojmë një definim gjeografik, po dhe gjeopolitik të tokës shqiptare, në fakt, të kombit shqiptar.

Analisti politik, Nijazi Muhamedi, thekson se, përfshirja gjeografike e territorit të kombit shqiptar si “tokë ballkanike”, dhe e shqiptarëve si “popull ballkanik”, e gjuhës së sonë si “gjuhë ballkanike” është sajesë e huaj, në fakt sajesë serbosllave që nga koha kur “Gadishullin ilirik” e kthejnë në “Gadishull ballkanik”, sipas emrit të malit HAEMUS, që turqit e kanë quajtur Ballkan në rivalitet me pretendimin grek si “Gadishull helenik”.

“Kjo për arsye se është tendencë e serbëve që këtë term, kumbar i të cilit është gjeografi i tyre i shekullit 19 duan tash ta ngrenë artificialisht në definim gjeografik dhe kuptohet pse; kurse në gjeografinë e Europës kjo është pjesa juglindore e saj. Këtë çështje ka vjet që e kanë aktualizuar kroatët dhe pikërisht vizavi tendencës serbosllave, e cila është e kuptueshme se ka historinë politike dhe gjeopolitike të ngulitjes së saj si term alternativ i Europës juglindore”, thotë Muhamedi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, autori kroat i gjeografisë historike(1990) mbron tezën se ky gadishull në aspektin gjeografik realisht duhet të quhet “gadishull greko-shqiptar”, se vetëm këto dy toka gjeografikisht kanë formën e gadishullit, kurse pjesa tjetër e territoreve që përfshihen nën këtë term fare s’mund të quhen “gadishull”.

“Megjithëkëtë, Greqinë tash askush nuk e quan tokë ballkanike, ose pjesë të Ballkanit, Shqipëritë tona i quajnë tokë thjesht ballkanike! dhe ne shqiptarët sipas kësaj inercie poashtu e quajmë gjoja të pozicionuar gjeografikisht tokën shqiptare…! Kjo ndodh pse fillimisht, pas viteve 1990, nuk e kemi patur rehatinë dhe ngenë si komb për të nisur, për të rikthyer definimin real të pozicionit gjeografik të tokës shqiptare jashtë termit “Ballkan”, i cili, sipas gjeografit freng Andre Blank shenjon “një problem, dhe kurrësesi një regjion”, pohon Muhamedi.

Image
Nijazi Muhamedi

Sipas tij, kjo fazë e futjes me inerci e tokës shqiptare dhe pjesërisht edhe e shqiptarëve si banues të saj në qarkun e përskajimit gjeografik të “Ballkanit” është më se e domosdoshme të përmbyllet dhe të hudhet tej; sepse, përtej gjeografisë dhe konfuzionit të saj, krijon mes nesh konfuzionin e përkatësisë kulturale, morale, civilizuese dhe gjeoekonomike të kombit shqiptar dhe “mbetjen”, nga padashja apo nga mosdija, nën definime të huaja gjeografike dhe në gjithë dimensionet e tjera që i gjeneron ai përskajim gjeografik i praptuar.

“Por, fakti që tash “Ballkani Perëndimor” si sajesë apo si përskajim (koncept) politik apo ‘gjeopolitik”, mund të thuhet lirisht “tranzitor” e përdorë Unioni Europian, sigurisht që ne shqiptarët duhet t’i përqëndrojmë përpjekjet që brenda këtyre definimeve të lëvizshme që përshkohen me rrathë koncentrikë gjeopolitikë, gjeostrategjikë jo aq të stabilizuar dhe ende në rivalitet, të bëhemi protagonistë të pranishëm dhe dinamikë, sa me fuqinë tonë dhe për veten tonë aq dhe më tepër me rolin partnerial tonin me miqtë tanë, të cilët, për fatin tonë të lumnueshëm historik, janë edhe definuesit e tyre. Punën e parë që është dashur ta bëjmë ne, tashmë na e kanë bërë miqtë tanë, na kanë futur me pozicion të qëndrueshëm brenda tyre dhe duhet pranuar se ata jo rrallë kanë patur vështirësi të na mbajnë të qëndrueshëm brenda tyre, sepse kanë hetuar dhe fatlumërisht për ne, i kanë ndaluar do përpjekje për “zik-zake” joshqiptare brenda tyre”, thotë Muhamedi.

Por, ku jemi tash?

“Jemi aty, dhe mund të themi që kemi nisur të përmbyllim fazën e kontributit modest, apo simbolik tonin, për arsye se kombi shqiptar, në kohën e ridefinimeve të këtyre pozicioneve gjeopolitike dhe gjeostrategjike, u gjet në këtë fazë i ndarë në dy realitete të ndryshme gjeopolitike - një Shqipëri që përshkoi një tranzicion të mundimshëm e të gjatë demokratik; dhe një Kosovë në rrugën e saj flijimtare për arritjen e pavarësisë”, pohon ai.

Më tej Muhamedi thekson se, analistët e vëmendshëm të këtyre rrjedhave tash po vërejnë se kemi nisur ta marrim veten si komb dhe i vërejnë përpjekjet e partnerëve tanë për të na dhënë një rol me dimensione të një protagonizmi që na takon dhe që mund ta bartim me supet tona ende jo aq të përforcuar.

“Hapi më i vërjejtshëm në këtë drejtim është marrja e një përgjegjësië nga miqtë tanë për të zhvilluar një protagonizëm njëkohësie me ta, sikundër është ridimensionimi i protagonizmit gjermano-amerikan për ardhmërinë e Europës dhe mbështetja e tyre ndaj nesh për rolin që duhet apo kemi nisur ta luajmë, një rol, mjerisht, ende me mungesë kohezioni dhe konvergjimi brendashqiptar”, thotë ai.

Sipas tij, në këtë drejtim, ne ende nuk kemi një strategji të tërësuar dhe gjithshqiptare. Fati i mirë është që ende na marrin përdorë miqtë tanë nëpër këto zhdrivillime gjeopolitike dhe gjeostrategjike, po mungesa e një strategjie, si e kanë bërë popujtë që na rrethojnë, dhe si përgjegjësi që e kemi ndaj partnerëve tanë, tashmë duhet t’ia themi vetes se është turp mungesa e saj.

“Në përmbyllje të prononcimit tim, dua të them që tash jemi nisur të bëhemi një faktor, po kjo është vetëm një nisje në zhdrivillimin e saj të parë që nëpër kohë dhe konjuktuara do të bëhet më e ardhur, më e mbërthyer, po këtë ardhje në zhdrivillim, ende nuk mund ta quajmë “faktorizim të plotë të shqiptarëve”, ende duhet parë me realizëm fazën e këtij zhdrivillimi dhe rolin tonë në te, nëse duhet të jemi korrekt me vlerësimin. Përceptimet joreale mbi këto realitete të faktorizimit shqiptar që u bëjnë buçitje ca sharlatanë të politikës duhet injoruar fare…”, thotë analisti politik Nijazi Muhamedi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test