Mjaft më! Joe DioGuardi godet klasën aktuale politike në Kosovë - Bota Sot
Mjaft më! Joe DioGuardi godet klasën aktuale politike në Kosovë

Politika

E diel, 24 qershor 2018

Mjaft më! Joe DioGuardi godet klasën aktuale politike në Kosovë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 14 qershor 2018 Në ora: 19:41
Foto ilustrim nga Bota sot

Gjendja aktuale politike po vlerësohet të jetë e rëndë, ndërsa e duhur po konsiderohet nevoja për një gjeneratë të re të udhëheqësve politik.  Kjo e fundit po shihet si e patjetërsueshme.

Problemet me të cilat po ballafaqohet Kosova kanë rënë në syrin e ish-kongresistit amerikan, Joe DioGuardi.  Miku i madh i shqiptarëve është shprehur i zhgënjyer me gjendjen aktuale në Kosovë.

Veç mikut të shqiptarëve, që thotë se duhet ndryshim rrënjësore në Kosovë edhe nga opozita vlerësojnë se në vend duhet të ndodhë një gjë e tillë, pra ndryshimi.

Si nga LDK, po ashtu edhe nga partia tjetër opozitare VV, deklarohen në një linjë se kjo klasë politike duhet të largohet sa më parë dhe se krye të shtetit duhet të vijnë njerëz që dinë të menaxhojnë mirë dhe duhur.

Ndërsa, për njohësin e zhvillimeve politike në vend, kjo po konsiderohet të jetë një emergjencë kombëtare dhe se shpëtimi jetësor për qytetarin është largimi i kësaj qeverie.

DioGuardi: Shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen

Ish-kongresisti amerikan, Joe DioGuardi ka thënë se populli i Kosovës duhet të ngritet në protesta paqësore kundër klasës aktuale politike në Kosovë dhe të thotë mjaftë.

Kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, ka folur edhe për atë se si e sheh Kosovën në dekadën e parë të shtetësisë së saj.

“Nëse flasim për politikën, fjala e vetme që më bie ndërmend është keq. Ju e dini çka do të thotë keq”, ka thënë DioGuardi, teksa ka shtuar se nuk po sheh zhvillimin e demokracisë.

DioGuardi ndër tjerash ka potencuar se shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen.

“Ata nuk po përfaqësohen nga njerëz që e kuptojnë demokracinë e vërtetë, përfaqësimin e njerëzve, e jo te vetvetes dhe partisë”, ka thënë ai.

“Njerëzit duhet të thonë njëherë e përgjithmonë: nuk na duhet një lëvizje e tillë politike, sepse nuk na përfaqëson më. Ata përplasen edhe në Parlament, sikur të ishte ndonjë shtet afrikan. Po gjuajnë gaz lotsjellës, po e grushtojnë njëri-tjetrin. Për çka po bëhet kjo – luftë personalitetesh? Politika në Kosovë është ngushtuar në dy gjëra, me sa po shoh – personalitete dhe para”, ka thënë ish-kongresisti amerikan.

 “Koalicioni i “pushkës” të largohet”

Nga opozita si zgjidhje nuk po i shohin protestat, kështu të paktën po deklarohen. Për ta, e duhur po del të jetë gjetja e një konsensusi për zgjedhje të parakohshme.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, duke komentuar deklaratën e ish-kongresistit amerikan, për gazetën “Bota sot”, thotë se koalicioni i “pushkëve” duhet të largohet nga skena politike.

Image
Valentina Bunjaku-Rexhepi

“Klasa aktuale duhet të largohet . Mendoj se janë bërë bashkë koalicioni i “pushkëve”. Kosova ka nevojë për njerëz të dijës, pushkët kanë mbaruar”, tha deputetja e LDK-së.

Tutje, Bunjaku-Rexhepi thotë se LDK e sheh të arsyeshme që përmes tryezave politike me u marrë vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të arsyeshme që përmes tryezave me u marrë vesh për datën e zgjedhjeve dhe se nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhjeve”, përfundoi deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, për gazetën “Bota sot”.

“Kjo klasë politike të largohet sa më parë”

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një prononcim për gazetën Bota sot”, thotë se qeveria aktuale duhet sa më parë të largohet nga skena politike, sepse, siç thotë ajo, po i sjellë pasoja të dëmshme vendit.

Image
Arbërie Nagavci

“Qeverisja aktuale me vendimet edhe me mënyrën se si po e keqpërdorin buxhetin e shtetit dhe me shkeljet e vazhdueshme kushtetuese, duhet që sa më parë të largohet nga skena politike, sepse po ka pasoja të dëmshme për vendin, ky është qëndrimi i imi, por edhe i Lëvizjes Vetëvendosje”, pohoi Nagavci.

Deputetja e opozitës mendon se e vetmja zgjidhje, në këtë kohë janë zgjedhjet e parakohshme.

“E vetmja zgjidhje është që të ketë zgjedhje të parakohshme sa më parë dhe të vijnë njerëzit që dinë të menaxhojnë mirë dhe duhur me vendin”, përfundoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, për gazetën “Bota sot”.

“Emergjencë kombëtare, largimi i qeverisë; shpëtim jetësor”

Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, tha se në këto 19 vite udhëtimi ynë politik ka qenë me plot ulje-ngritje.

Image
Ali Hertica

Ai thotë se keqqeverisjen në vend e ka vërejtur edhe ish-kongresisti amerikan dhe kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro, Joe DioGuardi.

“Përpjekja qytetare nuk është luftë për pushtet, përpjekja është përpjekja e popullit kundër sundimtarit shkatërrues. Përpjekja është betejë mes të mirës dhe të keqes, është beteja mes njerëzve që duan drejtësinë dhe atyre që kanë kapur drejtësinë. Në këto 19 vite udhëtimi ynë politik ka qenë plot ulje-ngritje pasuri dhe varfri nga politik bërësit jo racional. Sot qytetari nuk kërkon thjesht ndryshimin e qeverisë, por ndarjen e politikës nga zhvatja , nga korrupsioni”, është shprehur Hertica.

“Çdo herë që një protestë paqësore protestohet nga kjo kauzë e fundit për rrëzimin e qeverisë apo ndryshimin e situatës ekonomike apo nga pakënaqësitë nga qeveria apo individët qeveritar që keqpërdorin qytetarin duke ju tjetërsuar e drejta për një jetë më të mirë. Tani qytetari nuk ka më kohë për të humbur me retorikën politike që bie në veshët e shurdhër të qeverisjes e cila ka në petkun e vet milionerët që u pasuruan nga djersa e qytetarit, këtë ka vërejtur edhe ish-kongresisti amerikan DioGuardi dhe as nuk do të presim paradën mediatike të fakteve të tjera tronditëse të skandaleve të radhës të kësaj mazhorancë të cilën ju dha besimi se do ndryshon qasjen e jetës së qytetarit për të jetuar”, ka thënë më tej ai.

Tutje, ai thotë se kjo kastë politike është marrë peng nga kjo klikë e të korruptuarve dhe të inkriminuar.

“Ne duhet të shkundim apetitet kolektive të matrapazëve politik për hir të interesit të përbashkët kombëtar kundër të krimit ekonomikë, varfërisë, papunësisë dhe pabarazisë dhe për t’ju dhënë atyre mbrapsht “timonin e jetës së tyre” sepse kjo kastë politike është marrë peng nga kjo klikë e të korruptuarve dhe të inkriminuar qeverisëse, ku janë duke u pasuruar dhe zhvatur miliona e miliona nga gjepi i qytetarit”, shtoi Hertica.

Në fund, Hertica konsideron se një emergjencë kombëtare dhe shpëtim jetësor për qytetarin është largimi i kësaj qeverie.

“Është një emergjencë kombëtare dhe shpëtim jetësor për qytetarët tanë largimi i kësaj qeverie të dalë boje në sytë e shqiptarëve dhe të botës, dhe krijimi i një qeverie të re anti-korrupsion që rikthen stabilitetin, fuqizon ekuilibrat e brendshëm ekonomiko-social për më shumë mirëqenie, si dhe rikthen dinjitetin e Kosovës, si një vend në BE-e që kontribuon në sigurinë e rajonit dhe jo si një vend i korruptuar dhe inkriminuar qeverisëse”, përfundoi analisti politik, Ali Hertica për gazetën “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test