Abdullahu kritikon ashpër deputetët: E pamoralshme, zhgënjim...

Politika

Abdullahu kritikon ashpër deputetët: E pamoralshme, zhgënjim...

Nga: Gresa Bajraktari Më: 14 qershor 2018 Në ora: 14:32
Faton Abdullahu

15 pika të rendit të ditës kanë qenë sot për seancën e Kuvendit, e cila nuk filloi me kohë, për shkak të mungesës së deputetëve, e kështu u desh të shtyhej për shkak se nuk kishte kuorum.

U desh që kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit të bëjnë thirrje që deputetët të vijnë në sallë.

Mungesa e kuorumit ndodhë shpesh, ku deputetët mungojnë në seanca e ka edhe të tillë që vetëm nënshkruhen dhe dalin, dhe kështu për shkak të mungesës së kuorumit, pamundësojnë miratimin e ligjeve.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, e quan të pandershme, injorim dhe matrapazllëk politik këtë që bëjnë deputetët, derisa janë betuar se do të punojnë ndershëm.

“Matrapazllëk politik, papërgjegjësi shtetndërtuese, injorim tinëzar dhe mosrespektim i asaj vote për të cilën deputetët janë betuar se do të punojnë shumë e ndershëm deri sa e kanë fituar, tani kur e kanë fituar, mendojnë vetëm si të fitojnë e të kënaqen vetëm për veten e tyre. E pandershme. Dembeli dhe papërgjegjësi neoballkanike, që për ta shtuar një ditë më shumë në këtë pushim, deputetët vendosin të kënaqen në deti për Bajram duke mos vendosur asgjë për qytetarët dhe Kosovën në kohën kur në sirtarët e Kuvendit presin shumë akte juridike për tu shqyrtuar”, është shprehur ai.

Sipas Abdullahut, është zhgënjim që qytetarët presin aq shumë nga deputetët, që ata t’i ndryshojnë gjërat.

“E pamoralshme. Zhgënjim, kur e mendon se qytetarët presin aq shumë prej tyre. Kjo fletë edhe për mosfunksionimin e llogaridhënies në këtë institucion. Më e keqja është se të gjithëve si duket ju konvenon që të vazhdojë kështu dhe të mos ndryshojë asgjë. ‘Zgjate zot’ sikur pëshpëritin tinza deputetët. Kurse qytetari pret dhe shpreson që ata të vendosin e punojnë ndershëm për t’i ndryshuar gjërat në të mirë”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat