Sjellja brutale e Haradinajt në Prizren, shenjë për fundin e koalicionit PAN

Politika

Sjellja brutale e Haradinajt në Prizren, shenjë për fundin e koalicionit PAN

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 qershor 2018 Në ora: 08:40
Ramush Haradinaj duke larguar Valdete Derallën nga foltorja

Partitë politike opozitare e kritikojnë sjelljen e kryeministrit Haradinaj ndaj Valdete Derallës në përvjetorin e 140-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ato theksojnë se, veprimi i Kryeministrit, përpos të tjerash dëshmon edhe dështimin e protokollit. Ndërkaq analistët politikë e konsiderojnë shqetësues sjelljen e Kryeministrit ndaj Valdete Deralles.

Të dielën është shënuar 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare në Prizren, ndërkaq në ceremoninë e shënimin të kësaj dite në Prizren, Kryeministri i Kosovës është “përkujdesur” të bëhej cak i medieve dhe kësisoj edhe të kritikohet nga opozita.

Haradinaj, ia ka ndaluar fjalimin një zonje në ceremoninë e përvjetorit të 140-të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pasardhësja e gjeneralit Mehmet Drellës, Valdete Drella, u afrua në foltore për t’iu drejtuar të pranishmëve dhe teksa ajo po vazhdonte fjalimin, ka ndërhyrë duke e kapur për dore dhe e tërhequr për ta larguar.

Skandali

Pas kësaj, një fjalosje mes zonjës dhe Haradinajt ka shpërthyer, i cili e shtynte atë për t’u larguar nga foltorja.

Më pas kanë ndërhyrë persona të tjerë dhe e kanë larguar me forcë zonjën.

Ky rast është kritikuar nga deputetët opozitarë dhe analistët politikë, mirëpo Kryeministri  nuk është “penduar” për këtë, pasi që të nesërmen menjëherë u shpreh në një konferencë se po të ishte burrë do ta kishte kryer ndryshme me të.

“Me qenë burrë e kisha kry ndryshe me të”, është përgjigjur kryeministri Haradinaj.

Kryeministri është treguar i ashpër duke matur forcën e shtetit në largimin e asaj gruaje nga foltorja.

“Është e papranueshme një i paftuar me u paraqit në foltore, atëherë dikush duhet me largu, ja policia ja unë. Në prezencë timen nuk mundet me nëpërkëmbë askush shtetin. Ata që është dashur të reagojnë, nuk kanë qenë në nivel të detyrës”, ka thënë Haradinaj.

Image
Haxhi Avdyli

Avdyli: Ngjarja e asaj dite ka shpërfaqur funksionimin e qeverisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar protokollin për këtë dhe sipas tyre, ngjarja e asaj dite ka shpërfaqur funksionimin e qeverisë.

 Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli në një prononcim për gazetën “Bota sot” deklaratat e kryeministrit Haradinaj i ka lidhur me një thënie të Mishel Obama.

“Mishel Obama: “Burrat e fortë, burrat që duan të jenë model, nuk kanë nevojë të rrezojnë një femër, ta mposhtin vetëm që ta bëjnë veten të fuqishëm”. Kjo thënie vlen për Ramush Haradinajn e fortë, plot muskuj që e mposhti një femër dje. Edhe atë nga pozita e Kryeministrit, pozitës më të fortë në shtet”, ka thënë deputeti.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje thotë se me veprimin e asaj dite, Kryeministri ka treguar se nuk është në nivelin e duhur.

Image
Drita Millaku

Millaku: Ky kryeministër nuk ka maturinë e një burrështetasi

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot”, se incidenti i asaj dite në shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka treguar karakterin e Ramush Haradinajt.

Në momentin kur ishte afruar zonja në foltore, krye parlamentari Kadri Veseli, u afrua dhe ia kishte ndezur mikrofonin, ndërkaq sipas Millakut, kjo dëshmon lojën e Kadri Veselit me Haradinajn dhe sipas saj, ky është fundi i koalicionit.

“Incidenti i asaj dite në shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, e ka bërë të lexueshëm karakterin e Ramush Haradinajt, më atë tregoi se ai është nën nivelin e duhur. Duke e parë nga afër këtë skandal, sidomos lojën e Kadri Veselit me Haradinajn, mendoj se ky është fundi i koalicionit. Ky kryeministër nuk ka maturinë e një burrështetasi, bile as edhe të një zotërie mesatar, nuk i takon kryeministrit të një vendi evropian të sillet me një zonjë siç është sjellë, është për turp e për faqe të zezë”, ka pohuar Millaku.

Veprimi i krye parlamentarit Kadri Veseli, është komentuar edhe nga kryeministri Haradinaj.

 “Nuk jam kundër Kadriut, ai ka qenë korrekt ka shpresua që i thotë dy fjalë edhe largohet”, ka deklaruar Haradinaj.

Në ceremoninë e shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, kishin folur zyrtarët shtetëror, përfshirë Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, Kryeministri Ramush Haradinaj, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi dhe personalitete të tjera.

Ndërkaq, Partia Socialdemokrate ka kritikuar protokollin e shtetit, madje duke e cilësuar dështues.

Image
Shqipe Pantina

Pantina: Kryeministri do të duhej t’i ngrehte “zhag” prej kabinetit të tij, të gjithë zyrtarët e protokollit

Deputetja Shqipe Pantina nga radhët PSD-së, ka thënë se Haradinaj largimin e asaj zonjës nuk do të duhej ta bënte në asnjë rrethanë, prandaj ngjarja e asaj dite ka qenë një dështim total.

“Veprimi i Kryeministrit me largimin e asaj zonjës mendoj se është një dështim total i protokollit të shtetit, nuk është një veprim që kryeministri do të duhej ta bënte në asnjë rrethanë. Megjithatë, kapja e asaj zonjës, kryeministri do të duhej t’i ngrehte “zhag” prej kabinetit të tij, të gjithë zyrtarët e protokollit. Ngjarja e asaj dite, ka qenë një dështim total dhe ajo duhet të shërbejë të reflektojë edhe në mënyrën se si organizohen aktivitetet e tilla, ku protokolli çdo herë pothuajse dështon”, ka theksuar Pantina.

Mënyra se si zonja ka dalë nga foltorja, sipas Pantinës, ka treguar se mund të ndodhte edhe ndonjë aksident më i madh dhe kjo për shkak të nivelit të ulët të sigurisë.

“Ngjarja e asaj dite duhet të shërbejë si reflektim, kështu që natyrisht që nuk është as punë, as detyrë e kryeministrit dhe për më tepër nuk është e mirë mënyra si e ka larguar prej foltores, është e papranueshme ajo sjellje sidomos në aktivitete të tilla kur ka mysafir siç ishte rasti i Presidentit të Shqipërisë. Do të duhej të funksiononte protokolli, për atë punë janë zyrtarë që merren me këtë, për atë punë janë punëtorët e sigurimit e kështu me radhë. Ajo çfarë ka treguar dje, mënyra sesi ajo zonja ka dalë nga foltorja, tregon  se aty ka mundur të ndodhë ndonjë aksident shumë më i madh, niveli i sigurisë fillimisht është tej i ultë dhe pastaj mënyra e organizimit të protokollit është për keqardhje, për më tepër është e turpshme”, ka shtuar  Pantina.

Veprimi i Haradinajt në Prizren, është kritikuar nga Qendra për Studime Gjinore, por edhe nga qytetarë të zakonshëm, duke e cilësuar këtë “skandal” të panevojshëm, ku një Kryeministër nuk do të duhej të përfshihej.

Ndërkaq, analistët politikë e cilësojnë shqetësues këtë veprim, duke thënë se ai veprim nuk përkon me punët dhe detyrat e Kryeministrit.

Image
Ilir Dugolli

“Reagimi i kryeministrit ishte i pa nevojshëm, bile edhe brutal, karshi një femre të moshuar”

Analisti politik, Ilir Dugolli, ka thënë se largimin me dhunë  kujtdo qoftë nga foltorja, do të ishte shqetësues, lëre më nëse këtë largim e bënë Kryeministri.

Dugolli e konsideron brutal dhe të panevojshëm reagimin e Kryeministrit.

“Incidenti ne Prizren, me rastin e 140 vjetorit te Lidhjes se Prizrenit, është mjaft shqetësues, për opinionin. Ky veprim i kryeministrit, nuk përkon me punët dhe detyrat e tij. Largimi me dhunë i kujtdo qoftë, nga foltorja e manifestimit ne fjalë, kishte me qenë shqetësues, e lerë më të ndodh nga kryeministri i shtetit. Nga ana tjetër, është e vërtetë se reagimi i kryeministrit ishte i pa nevojshëm, bile edhe brutal, karshi një femre të moshuar, (edhe pse e pa parashikuar nga protokoli) të një pasardhëse e një protagonisti kryesor, (siç u deklarua) e Mehmet Pashë Derallës”, ka deklaruar Dugolli.

Stafi organizues gjithashtu është i përfshirë në këtë incident, sipas Dugollit, prandaj Kryeministri duhet të mos i vendos njerëzit e papërgjegjshëm në detyrë.

“Mungesa e rolit te të gjithë stafit organizues në kryerjen e punëve dhe detyrave të cilat ata i kanë marrë për mbarëvajtje të programit, del të jetë i baraspeshuar në raport me incidentin. Me këtë, nuk dua të justifikoj veprimin e kryeministrit, mirëpo, shqetësues është fakti se deri kur duhet të vendosen njerëz të pa përgjegjshëm dhe neglizhues në krye të punëve të cilat nuk mund, apo nuk duan ata t’i kryejnë me sukses. Vënia në krye të çfarëdo udhëheqje të këtillë, nxjerrin probleme të panevojshme dhe të paparashikuara.  I tërë ky “marifet”, mendoj se ka si shkak, neglizhencën dhe mos kryerjen e punëve të veta nga organizatorët e manifestimit”, ka shtuar Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat