LDK kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme para dialogut

Politika

LDK kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme para dialogut

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 qershor 2018 Në ora: 22:17
Mbledhje e LDK-së

“Zgjidhja më e mirë do të ishte organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të sillnin një shumicë solide parlamentare, duke përfshirë këtu edhe shumicën shqiptare, dhe do të stabilizonin të gjitha proceset në vend, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë. Ky dialog nuk mund të zhvillohet nga institucionet, të cilat varen plotësisht nga Aleksandar Vuçiqi”, ka theksuar Bajram Gecaj.

Tërheqja momentale e Platformës për dialog për shqyrtim në Kuvend, sipas analistëve politikë është veprim i duhur, ndërkaq partitë politike opozitare thonë se pozita e ka kuptuar se Thaçi nuk duhet të jetë udhëheqës i bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka tërhequr  javën e kaluar platformën për dialog që Qeveria e ka dërguar në Kuvend për shqyrtim.

Haradinaj ka thënë se këtë e ka bërë për shkak se ka vërejtur një interesim të madh të forcave politike si në Parlament e edhe jashtë tij.

“Me i dhënë kohë atij debati dhe mos me kriju thyerje mes grupeve politike, e kemi tërheq platformën për bisedimet me  Serbinë. Me këtë i japim kohë spektrit politik grupeve parlamentare që të vij me idetë e tyre,  propozimet e tyre. Kosova ka nevoje me gjet formulën e një përfaqësimi gjithëpërfshirës në këtë temë kaq të rëndësishme”, ka thënë Haradinaj.

Palët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë

Kryeministri ka vlerësuar se tërheqja e Platformës ka ardhur si rezultat i konsultave që kanë pasur dhe gjendjes që është krijuar në diskutimet publike në Parlament, gjersa ka shtuar se ky është një veprim i duhur në këtë kohë.

Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje thonë, se Platforma është tërhequr që të mos dështojë Hashim Thaçi dhe kësisoj pozita e ka kuptuar se nëse Thaçi i udhëheq bisedimet mund të shpërthejë revoltë qytetare.

Image
Drita Millaku

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka vlerësuar se pozita ka filluar ta nuhasë situatën sa i përket dialogut, prandaj është tërhequr.

Zgjidhja e dialogut Kosovë- Serbi, sipas Millakut, është që palët të trajtohen në mënyrë të barabartë.

“Për sa i përket tërheqjes se platformës për bisedime me Serbinë, mendoj se pozita ka filluar ta nuhasë situatën në Kosovë për sa i përket dialogut me Serbinë ku do t’i udhëhiqte bisedimet Hashim Thaçi. Mendoj se është kuptuar se nuk kalon dhe se situata është e rëndë nëse këto bisedime udhëhiqen nga Thaçi mund të shpërthejë revoltë qytetare. Dialogu Kosovë-  Serbi ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është që  palët duhet të trajtohen të barabarta në mënyrë  të ndërsjellë  dhe duhet të hapen të gjitha temat pa pardon në mënyrë që të prodhohet një paqe pa dilema”, ka deklaruar Millaku për “Bota sot”.

Gecaj: Haradinaj nuk e kontrollon fare as koalicionin e as qeverinë

Në muajin prill, Qeveria e Kosovës kishte miratuar platformën për bisedimet me Serbinë, ndërkaq partitë politike opozitare vazhdimisht kanë qenë kundër kësaj platforme, madje LDK-ja e cilësonte atë jo serioze, të dobët dhe me pretendime jo kushtetuese.

Image
Bajram Gecaj

Anëtari nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë për “Bota sot”, se Haradinaj  ka provuar se deri më tani ai nuk kontrollon Qeverinë dhe koalicionin qeverisës.

Hashim Thaçi e ka dorëzuar Platformën, sipas Gecajt, por Haradinaj duhet të ketë guxim që t’i marrë detyrat e tij.

“Kryeministri Haradinaj ka provuar deri më tani se ai nuk e kontrollon fare as koalicionin e as qeverinë. Platformën nuk e ka dorëzuar dhe as që e ka tërhequr ai, por Hashim Thaçi. Pra, platforma është tërhequr që  mos të ketë dështim të Hashim Thaçit, pasi që Presidenti llogaritë se më mirë është të shkojë në bisedime pa pyetur askënd se sa në rast se refuzohet nga Kuvendi dhe pastaj i pamundësohet përfaqësimi. Kryeministri Haradinaj, do të duhej ta ketë guximin, vullnetin dhe intelektin të merret vetë me detyrat e tij politike e kushtetuese, jo te kërkojë shpëtimin tek Hashim Thaçi, ashtu siç e gjeti edhe tek demarkacioni”, ka pohuar Gecaj.

Ai ka thënë se proceset e rëndësishme duke përfshirë edhe dialogu me Serbinë, do të zgjidheshin vetëm përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të sillnin një shumicë solide parlamentare, duke përfshirë këtu edhe shumicën shqiptare, dhe do të stabilizonin të gjitha proceset në vend, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë. Ky dialog nuk mund të zhvillohet nga institucionet, të cilat varen plotësisht nga Aleksandar Vuçiqi”, ka theksuar Gecaj.

Platforma nuk kishte asnjë detaj teknik apo juridik

Platforma për finalizimin e dialogut me Serbinë, nuk saktësonte temat që mund të trajtohen dhe as nuk ka listuar parimet mbi bazën e të cilave duhet të udhëhiqet i gjithë procesi.

Platforma kërkonte që kjo fazë finale t’i lihet në dorë presidentit Hashim Thaçi, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes të bëhet nga Kuvendi.

Analistët politikë e cilësojnë të mirë veprimin e tërheqjes së kësaj Platforme, gjersa shtojnë se ajo ka qenë e pa detajuar.

Image
Blerim Burjani

Analisti politik Blerim Burjani, ka thënë se kjo Plaftormë nuk kishte asnjë detaj teknik apo juridik, nuk kishte sqarime.

Këso dokumete të pa sqaruara mirë, sipas Burjanit, i kanë kushtuar shtrenjtë Kosovës.

“Më mirë që ishte tërhequr pasi që ajo nuk është kurrfarë Platformë. Nuk kishte asnjë detaj, as teknik, as juridik, as sqarim, platformë pa detaje dhe sqarime për caqet që duhet të mbërrihen. Thaçi është mësuar që të shkruajë me tri rreshta, e tërë punën ta përfundojë pa letra dhe dokumente,  me pallavra që deri tash Kosovës i kanë  kushtuar shtrenjtë, fusnota dhe marrëveshjet e shumta pa asgjë, vetë çka ka dashur ka bërë e tani duan të kërkojnë konsensus, është vonë shumë sepse dikush në Kosovë duhet të marrë përgjegjësi për 5 vjet dialog kundër interesit të Kosovës më shumë”, ka deklaruar Burjani.

Edhe analisti politik Skender Zogaj, e konsideron të mençur veprimin e tërheqjes së Platformës.

Zogaj: Problemi është historik dhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime politike

Image
Skender Zogaj

Zogaj, ka thënë se opozita tashmë duhet ta japë kontributin e saj politik.

“Tërheqja e platformës për finalizimin e dialogut me Serbinë nga Kuvendi është veprim i mençur i Haradinajt, i cili duke mos ngulur këmbë për projekt-platformën e qeverisë i ka dhënë mundësi partive politike që të reflektojnë përkitazi me problemin më të rëndësishëm historik për Kosovën që nuk guxon të përmbyllet me tekat e individëve ose të grupeve të interesave parciale! Pra, Qeveria ka vepruar mirë. Opozita duhet ta mirëkuptojë këtë veprim dhe të angazhohet për të dhënë kontributin e saj jo politik, por atdhetar, sepse problemi është historik dhe nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime politike”, ka nënvizuar Zogaj.

Pavarësisht krimeve të Serbisë, sipas Zogajt, Kosova duhet t’ia zgjas dorën e pajtimit Serbisë.

“Sa i përket zgjidhjes përfundimtare Kosova për hir të lirisë dhe ardhmërisë më të mirë të rajonit, duhet të t’ia zgjas dorën e pajtimit Serbisë, pavarësisht nga krimet monstruoze që i ka bërë! Ky është kompromisi dhe asnjë kusht tjetër nuk mund të vije në shprehje”, ka shtuar Zogaj.

Gjatë muajit qershor, Kosova dhe Serbia pritet që të rifillojnë bisedimet për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve në mes veti.

Autoritetet e Kosovës kishin paralajmëruar se marrëveshja mund të ndodhë në një periudhë nëntë muajshe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat