“Kali i Trojës” po pengon Ushtrinë e Kosovës!

Politika

“Kali i Trojës” po pengon Ushtrinë e Kosovës!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 11 qershor 2018 Në ora: 10:58
FSK-ja

Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, do të ndodhë vetëm përmes ligjit ngase Lista Serbe nuk do të ndryshoj qëndrim për të votuar ndryshimet kushtetuese për t’i hapë rrugë krijimit të ushtrisë. Lista Serbe në të gjitha qeveritë e Kosovës po e luan rolin e “Kalit të Trojës”.

Diplomatët ndërkombëtarë po kërkojnë në vazhdimësi që Ushtria e Kosovës të formohet prej ndryshimeve kushtetuese dhe jo nga ndryshimi i pakos ligjore, ndërsa Lista Serbe është duke i penguar ndryshimet kushtetuese.

Lista Serbe edhe një herë gjatë ditës së sotme ka hedhur poshtë pohimet se serbët në Kosovë mbështesin formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Kështu sot deklaruan se për Prishtinën lufta me serbët nuk ka mbaruar, për çka presim reagim më urgjent të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Lista Serbe, sipas së cilës deklarimet e tilla janë të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Për më tepër, kjo parti i është kundërvënë edhe njëherë formimit të ushtrisë së Kosovës, pasi sipas saj është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe marrëveshjen e Kumanovës, por edhe interesave të sigurisë së popullit serb në Kosovë dhe shtetit serb.

E Qeveria e Kosovës ende nuk e ka proceduar ndryshimin e FSK në Forca të Armatosura të Kosovës edhe pse zyrtarët qeveritarë thonë se interesi i Qeverisë është që kjo të ndodhë sa më parë.

Zyrtarët qeveritarë kanë pohuar se do ta bëjnë punën e saj si gjithmonë në bashkëveprim me partnerët e saj strategjik.

Në anën tjetër profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami potencon se Kosova po vonohet shumë në krijimin e ushtrisë.

Ai shton se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, do të ndodhë vetëm përmes ligjit ngase Lista Serbe nuk do të ndryshoj qëndrim për të votuar ndryshimet kushtetuese për t’i hapë rrugë krijimit të ushtrisë.

Image
Avni Islami

 

Tutje Islami thotë se Lista Serbe në të gjitha qeveritë e Kosovës po e luan rolin e “Kalit të Trojës”.

“Ushtria e Kosovës duhet të formohet me anë të ligjit, por duke bërë presion pozitiv te bashkësia ndërkombëtare që ata të pranojnë dhe të shohin si realitet, meqë ata po insistojnë sikurse Lista Serbe që ushtria të formohet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo përmes ligjit kjo del të jetë e pamundur”, shprehet Islami për gazetën “Bota sot”.

Ka vite me radhë që dëgjojmë nga liderët shtetërorë se ushtria do të formohet shpejt, por Avni Islami është skeptik që kjo të ndodhë këtë vit.

Sipas tij, interesi i përgjithshëm i Kosovës dhe shoqërisë nuk mundet me mbetet peng i kushtëzimeve të vazhdueshme të grupeve të vogla parlamentare.

Iniciativat e liderëve të Kosovës, që transformimi të ndodh përmes ligjeve është ndaluar nga diplomatët ndërkombëtarë duke thënë se ushtria e Kosovës duhet të formohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ndërsa, një vit më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte marrë një iniciativë krye në vetë për krijimin e Ushtrisë. Ai kishte deklaruar se, iniciativa për kalimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës është e domosdoshme.

Presidenti Thaçi, pasi i kishte dorëzuar projektligjin që FSK-ja të bëhet ushtri kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit ka thënë se, “Kosova nuk mund ta lë veten në mëshirë të askujt”.

“Ju informoj se para pak çastesh bazuar në kompetencat e mija kushtetuese dhe si komandant suprem i FSK-së i dorëzova kryetarit të Kuvendit, projektligjin që FSK-në e bën ushtri. Kjo iniciativë e imja është e domosdoshme dhe bëhet me qëllim të ruajtjes së sovranitetit territorial dhe bëhet me qëllim të ruajtjes së paqes në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Thaçi.

“Ashtu siç është informuar opinioni publik në Kosovë tri vite më parë pata paralajmëruar krijimin e FAK e fatkeqësisht realiteti ka mbetur i njëjtë. Si president do të doja që transformimi të ndodhte ashtu siç jemi përpjekur tash e rri vite përmes një procesi transparent. Por një gjë të tillë nuk kemi arritur sepse deputetët serbë e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të votojnë ndryshimet për t'i bërë Forcat e Armatosura. Kosova nuk mund ta lë fatin e vet në mëshirën e askujt. Për mua më e rëndësishme se simbolika që lidhet me emrin është përmbajtja”, kishte deklaruar presidenti Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat