Afera me milionat që i ndanë Bechtel Enkas, tregues se kush po qeverisë me vendin - Bota Sot
Afera me milionat që i ndanë Bechtel Enkas, tregues se kush po qeverisë me vendin

Politika

E diel, 24 qershor 2018

Afera me milionat që i ndanë Bechtel Enkas, tregues se kush po qeverisë me vendin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 qershor 2018 Në ora: 22:49
Qeveria e Kosovës

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po konsiderohet si njëra nga qeveritë më të dobëta të pasluftës. Zyrtarët e partive që janë në pushtet, tashmë me trup janë në zyrën e tyre e me mend në Gjykatë, pasi që shumë prej tyre po akuzohen për korrupsion.

E, lidhur me problemet me të cilat po ballafaqohet koalicioni aktual, ka folur edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se definicioni për Qeverinë Haradinaj do ishte “një qeveri banditësh, të padijshëm dhe mashtruesish”.

Haziri thotë se, afera me milionat që i ndanë me “Bechtel-Enka”, ishte një tregues i qartë për qytetarët tanë, se kush po e qeverisë sot me vendin.

Image
Nexhat Haziri

“Një qeveri banditësh, të padijshëm dhe mashtrues. Ky do të ishte definicioni im për qeverinë Haradinaj, dhe aspak nuk habitëm pse në kabinetin qeveritar ka ministra me aktakuza, pasi ky koalicion qeverisës në Kosovë nuk mund të jetë më ndryshe. Dhe po ashtu edhe afera me ato 43 milion që i ndanë me “Bechtel-Enka”, ishte një tregues i qartë për qytetarët tanë, se kush po e qeverisë sot me vendin tonë dhe sa e dëmshme do të jetë për vendin nëse koalicioni aktual PAN, vazhdon të qeverisë më Kosovën”, tha Haziri.

Tutje, ai thotë se kjo qeveri ka dështuar në të gjitha zotimet që ajo i ka marrë para qytetarëve.

“Pra është një qeveri që ka dështuar në të gjitha zotimet që ajo i ka marrë para qytetarëve tanë, si në keqmenaxhimin e buxhetit të shtetit, forcimi i krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, nepotizmi, militantizmi i të gjitha institucioneve shtetërore, degradim të institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë, ngecje të proceseve integruese të Kosovës në raport me BE-në, dhe nuk e di, se çfarë të mirë i solli kjo qeveri Kosovës”, shtoi ai.

Në fund, analisti politik, mendon se Qeveria Haradinaj duhet sa më parë të dorëheqet dhe partitë politike të merren vesh për zgjedhje të parakohshme.

“Duke marrë parasysh të gjitha këto, mendoj se Qeveria Haradinaj duhet sa më parë të dorëheqet dhe partitë politike të merren vesh apo të dakordoheshin që vendit në këtë periudhë prej gjashtë muajsh apo edhe 9 muajsh të ketë një qeveri teknike, e cila do të ishte e aftë për t’u përgjigjur sfidave të vendit që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, fillimin e punës së Gjykatës Speciale, dialogun me Serbinë, angazhim më të madh dhe më serioz edhe në aspektin e respektimit të ligjit dhe të zhvillimit ekonomik dhe krahas tyre ta përgadite vendin për zgjedhje të parakohshme që sipas mendimit tim afati më optimal për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve do të ishte marsi I vitit të ardhshëm”, përfundoi Nexhat Haziri, analist politik për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test