Skenar për ndarjen e Mitrovicës në këmbim të ulëses në OKB?

Politika

Skenar për ndarjen e Mitrovicës në këmbim të ulëses në OKB?

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 8 qershor 2018 Në ora: 19:31
OKB

Bashkimi i qytetit të Mitrovicës vlerësohet të jetë më i rëndësishëm se sa ulësja e Kosovës në OKB, kështu thotë, Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes. Kurti, pak ditë më parë derisa ka zhvilluar një takim me raportuesin e Bashkimit Evropian për Kosovën, Igor Sholtes, ka thënë se për Kosovën më e rëndësishme është bashkimi i qytetit të Mitrovicës se sa ulësja në OKB.

Sipas një njoftimi nga VV gjatë takimit është biseduar për situatën politike dhe institucionale në Kosovë, për drejtësinë dhe EULEX-in, e po ashtu për dimensionin social e ekonomik të vendit.

“Kurti gjatë takimit theksoi se për shtet ndërtimin dhe zhvillimin tonë bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm sesa ulësja në OKB që po premtohet pa mbulesë dhe se tash kur shënojmë një dekadë të EULEX-it mund të themi se ai ka dështuar sa i përket si krimeve të luftës po ashtu edhe krimeve të paqes”, thuhet në komunikatë.

Sipas VV-së ky takim ishte në kuadër të një bashkëpunimi të vazhdueshëm të Lëvizjes me përfaqësuesit dhe zyrtarët nga Bashkimi Evropian.

Millaku: Në udhëheqje të shtetit qëndrojnë njerëz të shantazhuar

Në lidhje më këtë, edhe deputetë tjerë nga Vetëvendosje, potencojnë faktin se më me rëndësi për vendin është bashkimi i Mitrovicës se sa ulësja e Kosovës në OKB.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, ka thënë për “Bota Sot” se Albin Kurti,  ka deklaruar një gjë shumë të saktë, pasi më i rëndësishëm është bashkimi i Mitrovicës se sa ulësja në OKB .

Image
Drita Millaku

“Derisa në udhëheqje të shtetit qëndrojnë njerëz të shantazhuar, kompromiset  më Serbinë do të jenë të dhimbshme dhe po të analizohet historiku i ndarjes së Mitrovicës do të shihet se fajtori kryesor për ndarje të qytetit është Hashim Thaçi. E dimë mirë se në fushata elektorale shumë herë është premtuar nga Thaçi bashkimi i Mitrovicës realisht në prapaskenë është pikërisht Thaçi që ka punuar deri në ndarje të plotë të Mitrovicës dhe ndarja e qytetit në dy komuna. Loja e tillë e Thaçit po vazhdon edhe më tutje duke  punuar për formimin e Asociacionit”, ka thënë Drita Millaku.

Sipas saj, lejimi i Asociacionit në çfarëdo forme, do të jetë fatal për Kosovën dhe se gjenerata të tëra nuk do të kenë rehati.

“Thaçi nuk duhet të lejohet të bëjë as një hap më tutje në relacion më Serbinë për shkak se ka lidhje të forta më strukturat parapolitike serbe. Ai po punon në mënyrë intensive për ndarje të Kosovës dhe ti jepet dhuratë Serbisë veriu i Kosovës. Atë që është fituar me gjak po i falet me laps”, ka thënë Drita Millaku.

Kurse sipas njohësit të çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri përveç lirisë së Kosovës dhe të popullit të saj, po aq e rëndësishme është integriteti territorial dhe sovraniteti.

Image
Ramush Tahiri

“Askush nuk ka të drejtë për asnjë çmim dhe me asnjë arsyetim të shkel mbi këto vlera dhe parime bazë e të patjetërsueshme. Do të mbetet njollë e zezë në histori për të gjithë ata deputet nënshkrues të Deklaratës të Pavarësisë së Kosovës që me vetëdije të plotë shkelën mbi integritetin territorial të Kosovës të garantuar me Kushtetutën e KSA të Kosovës të vitit 1974 dhe me Rezolutën 1244 të KS  të  OKB. Këta e përshinë në Deklaratë se pavarësia shpallet në gjithë territorin minus asaj që është arritur me Marrëveshjen Jugosllavi e mbetur - Maqedoni të vitit 2001”, ka thënë Tahiri.

Tahiri: As veriu, as Asociacioni nuk mund të jenë pjesë e kompromisit të dhimshëm

Ai ka potencuar se as veriu e as Mitrovica e as Asociacioni, nuk mund të jetë pjesë e pazarit dhe e kompromisit të dhimbshëm.

“Nuk mendoj që askush nuk do të jetë aq i papërgjegjshëm sa të bëjë kompromise si po thonë të dhimbshme për Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj e duket të levërdishme për udhëheqësit dhe ekipet e bisedimeve. Ministra e këshilltarë e ekspertë të llojllojshëm, jo vetëm materiale por edhe ngritje  e mbajtje në pozicione shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Konkretisht as veriu e as Mitrovica e as Asociacioni nuk mund të jetë pjesë e pazarit dhe e kompromisit të dhimbshëm. Asnjë udhëheqësi nuk e ka këtë mandat me ligje dhe me kushtetutë dhe nëse e bëjnë një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm kudër vullnetit të popullit dhe herdokurdo do të përballen me përgjegjësi jo vetëm morale dhe me gjykim të popullit”, ka thënë politologu Tahiri.

Sipas tij, Kosova mund të ketë vetëm zgjidhje të vullnetshme e jo asgjë me imponim dhe me mashtrim.

“Populli i Kosovës lirinë e pavarësinë e vet nuk e ka asnjëherë as në pazare e as në kompromise. Kjo i përket popullit e jo liderëve të tij, e aq me pak ka pjesë në këtë Serbia ose faktori ndërkombëtar. Pra Kosova është e duhet të jetë e lirë dhe e pavarur, shtet i të gjithë qytetarëve  të saj  dhe në gjithë territorin pra me Mitrovicë. Pra, nëse ndahet Kosova  atëherë s`ka nevojë për ulëse në OKB sepse i bashkohet Shqipërisë si krahinë e saj. Këtë e di edhe Bashkësia ndërkombëtare dhe ky është kompromisi Kosova shtet qytetar”, ka përfunduar njohësi i çështjeve politike në vend Ramush Tahiri.

Gecaj: Krahasimet e Kurtit nuk guxojnë të parashtrohen

Image
Bajram Gecaj

Në lidhje më këtë, në një prononcim për “Bota sot” Bajram Gecaj, nga LDK ka thënë se janë disa krahasime të cilat nuk duhet dhe nuk guxojnë të parashtrohen fare.  Ky krahasim i Albin Kurtit, sipas tij, është njëri nga to.

“Bashkimi i Mitrovicës dhe shtirja e autoritetit të institucioneve të Republikës se Kosovës në veri janë po aq të rëndësishme sa është edhe ulësja në OKB dhe njohja nga shtetet tjera, në veçanti nga pesëshja evropiane. Kosova duhet të aspirojë dhe të punojë shumë për realizimin e të gjitha këtyre objektivave, jo të ndajë njërën nga tjetra. Unë personalisht frikohem se më ketë qeveri dhe më këta përfaqësues të institucioneve të Kosovës ne mund edhe të rrëshqasim në kompromise të rrezikshme për vendin dhe të ardhmen tonë”, ka thënë Gecaj për “Bota sot”.

Sipas Gecaj, vendi ka nevojë që fillimisht të ecim drejt zgjedhjeve të reja parlamentare pas të cilave do të formohej në qeveri stabile e shumicës, duke përfshire edhe shumicën shqiptare, dhe e cila pastaj do të mund të përfaqësonte vendin denjësisht dhe në mënyrë profesionale.

“Qeveria e pakicës, e varur në plotni nga Beogradi, nuk do të mund të na përfaqësojë denjësisht dhe Kosova sipas të gjitha gjasave do të dilte e dëmtuar nga një proces i tillë shumë i rëndësishëm për vendin”, ka përfunduar Bajram Gecaj nga LDK.

Mentor Tahiri: Mitrovica është qytet i ndarë me vetë ligjet aktuale të Kosovës

Image
Mentor Tahiri

Kurse, sipas politologut Mentor Tahiri nuk dihet sakt se në çfarë ka menduar Kurti.

“Nëse i referohet rrezikut që të ketë ndarje të Kosovës, respektivisht që Serbisë t’i dhurohet veriu si koncesion për ulësen në OKB, atëherë kjo qëndron. Por nëse bëhet fjalë për Mitrovicën si qytet i ndarë, kjo nuk ka kurrfarë relacioni me anëtarësimin e Kosovës në OKB.  Mitrovica është qytet i ndarë me vetë ligjet aktuale të Kosovës. Ekzistojnë dy komuna në qytet, të cilat nuk kanë asnjë lidhje institucionale me njëra tjetrën. Ky është një koncesion i bërë qysh në bisedimet e Vjenës, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Së këndejmi gjithë retorika politike lidhur me “bashkimin” e Mitrovicës nga ana e cilitdo politikan, është një retorikë pa ndonjë mbulesë reale politike”, ka potencuar për “Bota sot” politologu Mentor Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat