Gjykata Speciale jep detaje për mbrojtjen e dëshmitarëve

Politika

Gjykata Speciale jep detaje për mbrojtjen e dëshmitarëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 qershor 2018 Në ora: 08:20
Selia e Gjykatës Speciale

Menjëherë pas formimi të Gjykatës Speciale, ishin përmendur muaj të ndryshëm se kur do të fillonin aktakuzat e para, ndërkaq një gjë e tillë nuk ka ndodhur përkundër raportimeve të ndryshme mediatike. Kjo vonesë e aktakuzave të Gjykatës Speciale, sipas analistëve politikë mund të jetë si pasojë e sigurisë së dëshmitarëve, por edhe për shkak të ndryshimit të prokurorit të kësaj Gjykate, vlerësojnë analistët.

Përkundër që kanë kaluar dy vite që kur Kuvendi i Kosovës ka votuar për Gjykatë Speciale, aktakuzat e para të kësaj Gjykate ende nuk kanë filluar të ngriten.

Menjëherë pas formimi të Gjykatës Speciale, ishin përmendur muaj të ndryshëm se kur do të fillonin aktakuzat e para, ndërkaq një gjë e tillë nuk ka ndodhur përkundër raportimeve të ndryshme mediatike.

Kjo vonesë e aktakuzave të Gjykatës Speciale, sipas analistëve politikë mund të jetë si pasojë e sigurimit të dëshmitarëve, por edhe për shkak të ndryshimit të prokurorit të kësaj Gjykate, vlerësojnë analistët.

Mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë pengesë në gjyqësinë e Kosovës, sidomos në rastet e krimit të organizuar dhe krimeve të luftës.

Sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare, ekziston një numër jo i vogël  i dëshmitarëve të vrarë, të cilët ishin dëshmitarë të mbrojtur të proceseve të ndryshme gjyqësore.

Në anën tjetër për dëshmitarët e Gjykatës Speciale tashmë është ngritur një zyrë e veçantë për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme.

Zyrë për ndihmë ndaj dëshmitarëve

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar parashikon mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.

“Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar parashikon mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare. Për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve është ngritur një zyrë e posaçme për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme dëshmitarëve që mund të jenë të rrezikuar për shkak të dëshmisë së tyre, madje edhe personave që mund të jenë të rrezikuar prej dëshmisë së dhënë nga dëshmitarët. Ndër masat për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve përfshihen masa dhe marrëveshje sigurie që parashikohen në legjislacionin e Kosovës, mbajtja e seancave gjyqësore in camera me dyer të mbyllura ose private, dhënia e dëshmisë nëpërmjet mjeteve elektronike ose mjeteve të tjera të posaçme dhe mbrojtja e identitetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Gjykatës Speciale dhënë për gazetën “Bota sot”.

“Gjithashtu, në Ligj kërkohet shprehimisht që Dhomat e Specializuara të Kosovës të garantojnë mbrojtjen e dëshmitarëve të cenueshëm, ndër të cilët viktimat e dhunës seksuale dhe gjinore dhe fëmijët. Ndër masat mbrojtëse gjyqësore që urdhërojnë gjykatësit janë caktimi i pseudonimeve, ndryshimi i pamjes dhe i zërit, nxjerrja e vonuar e të dhënave identifikuese, dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës dhe të tjera”.

Në mars të këtij viti Dhomat e Specializuara të Kosovës kishin publikuar Listat e Mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, ose të cilitdo personi tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik, në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Direktivën për Mbrojtësit. Numri i avokatëve të akredituar është 40.

Image
Adrian Gjoshi

Si mbrohen dëshmitarët?

Avokati Adrian Gjoshi, thotë se mekanizmat mbrojtës të krijuar për të mirën e dëshmitarëve dhe viktimave në disa aspekte janë të paprecedentë në historinë e të drejtës penale ndërkombëtare.

Gjoshi përmend disa masa që janë paraparë për mbrojtjen e dëshmitarëve, ndër tjerash sipas Gjoshit, është edhe dëshmia nga largësia.

“Gjykata Speciale ka krijuar një korpus juridik që parasheh mbrojtje dhe mbështetje efektive të dëshmitarëve dhe viktimave. Vlen të thuhet se, mekanizmat mbrojtës të krijuar për të mirën e dëshmitarëve dhe viktimave në disa aspekte janë të paprecedentë në historinë e të drejtës penale ndërkombëtare. Janë paraparë që dëshmitë dhe dëshmitarët të mbrohen me masa të ndryshme, siç është: marrja e dëshmisë nga largësia (pra dëshmitari mund të mos marrë fare pjesë në gjykatë, por dëshminë ta jap përmes skype p.sh.), dhënia e pseudonimeve dhe emrave të rinj për dëshmitarët etj. Këto masa e shumë të tjera janë ndërmarr apo mund të ndërmerren për të mbrojtur integritetin fizik dhe psikik të dëshmitarëve. Mirëpo, pavarësisht kësaj parashikueshmërie ligjore, rreziku për ndikim në dëshmitarë është gjithmonë ekzistues”, është shprehur avokati  Gjoshi.

Gjykata Speciale, e cila do të merret me raste të dyshuara për krime lufte në Kosovë, në përbërje ka vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë, ndërkaq në shkurt të këtij viti prokurori David Scheëendiman, është larguar për t’ia lëshuar vendin Prokurorit të ri, Këai Hong Ip.

Analistët politikë thonë se aktakuzat e para mund të vonohen edhe për shkak të largimit të Prokurorit, pasi që janë disa procedura që kërkojnë kohë.

Skender Zogaj, analist politik thotë për “Bota sot”, se Gjykata Speciale ka pasur disa pengesa brenda vetes, duke filluar që nga largimi i një kryeprokurori.

Zogaj: Rreziku nuk mungon

Siguria e dëshmitarëve dhe rreziku i tyre nuk mungon, mirëpo sipas Zogajt, dëshmitarët duhet vetë të marrin masa mbrojtëse.

Image
Skender Zogaj

“Gjykata Speciale ka pasur disa pengesa brenda vetes,  siç ishte largimi i një kryeprokurorit dhe caktimi i tjetrit, që mendoj unë se e ka shkaktuar vonesën e paraqitjes se aktakuzave të paralajmëruara për në janarin e sivjemë. Sa përket sigurisë së dëshmitarëve rreziku nuk mungon por nuk besoj se kjo çështje ka qenë me ndikim për fillimin e punës së gjykatës. Rreth sigurisë së dëshmitarëve ekziston një përvojë nga proceset e mëhershme dhe, dua të besoj se janë marrë masat e duhura mbrojtëse! Ndonëse, dëshmitarët edhe vetë duhet të marrin masa mbrojtëse duke i informuar saktë njerëzit e tyre të besueshëm në familje e në farefis, me lëndët e dëshmive që i kanë për gjykatë! Kjo do të ishte masë e mirë mbrojtëse për dëshmitarët”, pohon Zogaj.

Përkundër, që vetë e kishin votuar më 03.05.2015, pas dy viteve disa deputetë tentuan zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Në javën e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, 43 deputetë kishin dhënë nënshkrimet e tyre për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, mirëpo kjo tentativë e tyre kishte dështuar.

Nisma për shfuqizimin e Speciales ndikoi në shtyrjen e aktakuzave

Tendenca e brendshme e disa partive politike për destabilitet të brendshëm politik, sipas analistit politik Nexhat Hazirit, mund të jetë arsyeja tjetër përse nuk kanë filluar ende aktakuzat e para të Gjykatës Speciale.

“Mendoj se fillimi i punës së Gjykatës Speciale, pra prolongimi apo zvarritja e këtij fillimi është bërë edhe për shkak të organizimit të brendshëm të saj, pasi kishim tërheqjen e një prokurori e më pas emërimin e një tjetri, janë procedura që kërkojnë kohë. Po ashtu një faktor tjetër që ka ndikuar në mos fillimin akoma të punës së Gjykatës Speciale është, edhe tendenca e brendshme nga disa parti politike që ta provokojnë një destabilitet të brendshëm politik, siç ishte nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, përpjekjet e këtyre partive politike që përmes disa elementëve që këto që  kontrollojnë, por edhe i përdorin si mjete për të destabilizuar situatën kur nuk është në favorin e tyre, apo kur shohin se janë të rrezikuar nga ligji dhe drejtësia, dhe ky element i tyre janë organizatat e dala nga lufta dhe ata 40000 veteranët e rrejshëm”, ka pohuar Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Haziri shton se, procesi i dëshmitarëve në Gjykatë Speciale ka përfunduar dhe siguria e tyre është e lartë.

“Ndërsa, sa i përket çështjes së dëshmitarëve kujtoj se ky proces edhe, sipas informatave që kam është i përfunduar, pra dhënia e deklaratave, dëshmive e procedura të tjera. Po ashtu, mendoj se kësaj radhe edhe vetë institucionet e sigurisë si pjesë e punës së Gjykatës Speciale, kanë një gatishmëri dhe përgatitje më të lartë në aspektin e ofrimit të sigurisë për dëshmitarët në proceset e ndryshme që do t’i trajtojë Gjykata Speciale”, ka shtuar Haziri për “Bota sot”.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç emërohet me ligj si “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat