Vonesa e aktakuzave të Speciales, cilat parti provokojnë destablitet të brendshëm?

Politika

Vonesa e aktakuzave të Speciales, cilat parti provokojnë destablitet të brendshëm?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 qershor 2018 Në ora: 23:14
Selia e Gjykates Speciale

Ngritja e aktakuzave të para të Gjykatës Speciale që nga formimi i saj ishin temë diskutimi, duke u lakuar edhe muajt e ndryshëm se kur do të ndodhin ato.

U raportua se në pranverë të këtij viti do të ngriten aktakuzat e para, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi dhe kjo sipas analistëve lidhet me largimin e Prokurorit, David Schewendiman.

Schewendiman është larguar në shkurt të këtij viti për t’ia lëshuar vendin Prokurorit të ri, Kwai Hong Ip.

Gjersa në media raportohet se tashmë aktakuzat e para do të fillojnë në verë të këtij viti, analisti politik Nexhat Haziri, thotë se emërimi i prokurorit të ri nënkupton edhe procedura që kërkojnë kohë.

Tendenca e brendshme e disa partive politike për destabilitet të brendshëm politik, sipas Hazirit, mund të jetë arsyeja tjetër përse nuk kanë filluar ende aktakuzat e para të Gjykatës Speciale.

Image
Nexhat Haziri

“Mendoj se fillimi i punës së Gjykatës Speciale, pra prolongimi apo zvarritja e këtij fillimi është bërë edhe për shkak të organizimit të brendshëm të saj, pasi kishim tërheqjen e një prokurori e më pas emërimin e një tjetri, janë procedura që kërkojnë kohë. Po ashtu një faktor tjetër që ka ndikuar në mos fillimin akoma të punës së Gjykatës Speciale është, edhe tendenca e brendshme nga disa parti politike që ta provokojnë një destabilitet të brendshëm politik, siç ishte nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, përpjekjet e këtyre partive politike që përmes disa elementëve që këto që  kontrollojnë, por edhe i përdorin si mjete për të destabilizuar situatën kur nukk është në favorin e tyre, apo kur shohin se janë të rrezikuar nga ligji dhe drejtësia, dhe ky element i tyre janë organizatat e dala nga lufta dhe ata 40000 veteranët e rrejshëm”, ka pohuar Haziri.

Haziri shton se procesi i dëshmitarëve në Gjykatë Speciale ka përfunduar dhe siguria e tyre është e lartë.

“ Ndërsa, sa i përket çështjes së dëshmitarëve kujtoj se ky proces edhe, sipas informatave që kam është i përfunduar, pra dhënia e deklaratave, dëshmive e procedura të tjera. Po ashtu, mendoj se kësaj radhe edhe vetë institucionet e sigurisë si pjesë e punës së Gjykatës Speciale, kanë një gatishmëri dhe përgatitje më të lartë në aspektin e ofrimit të sigurisë për dëshmitarët në proceset e ndryshme që do t’i trajtojë Gjykata Speciale”, ka shtuar Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat