Qeveria “liberalizon” korrupsionin, qytetarët nën mëshirën e BE-së

Politika

Qeveria “liberalizon” korrupsionin, qytetarët nën mëshirën e BE-së

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 30 maj 2018 Në ora: 22:52
Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të menaxhohet nga ministra me aktakuza. Ky fakt dëshmon të kundërtën e asaj që po kërkohet për liberalizimin e vizave, e që është luftimi i krimit dhe korrupsionit.  Fundi i këtij muaji dhe fillimi i tjetrit, sipas drejtuesve të shtetit pritet të jetë edhe koha kur do të jepet lajmi i shumëpritur për qytetarët e Republikës së Kosovës, sa i përket heqjes së vizave për në vendet e BE-së.

Mirëpo, qytetarët janë lodhur nga deklaratat e politikanëve se këtë kohë apo atë kohë do të liberalizohen vizat. Ata nuk e shprehin më as interesin më të vogël për të lexuar çfarëdo lajmi që ndërlidhet me viza.

Ka shume kohë që qeveritë kanë deklaruar se liberalizimi do të ndodhë brenda një afati të shkurtër, por këto deklarata kanë mbetur vetëm teori. Madje, aferat e ndryshme korruptive të publikuara ndër vite, kanë dëshmuar se nuk ka pasur interes nga politikanët që premtimi të zbatohet në praktikë.

Përmbushja e kriterit për luftimin e krimit dhe korrupsionit është obligim, ndërsa drejtuesit e vendit e kanë neglizhuar detyrë.

Qeveria aktuale nuk dallon nga të tjerat në aspektin e përmbushjes së kritereve për vizat. Kjo pasi, nuk po i shkarkon tre ministrat ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza nga Prokuroria e shtetit.

Neglizhenca e Qeverisë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, tregon se qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër përpos që të shpresojnë në mëshirën e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, politikanët që sot drejtojnë institucionet e Kosovës, janë të votuar nga qytetarët që  e duan liberalizimin e vizave dhe në fushatën elektorale morën premtimin se, liberalizimi do të ndodhë brenda tre muajve. Kjo mund t`i “penalizojë”, qytetarët në plotësimin e dëshirës së kamotshme, pasi votuan politikanë që qëllim të vetëm kishin arritjen në pushtet.

Miratimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sikur u dha shpresë atyre se do të ndodhë liberalizimi, mirëpo, saga për liberalizimin vazhdon.

Qershori pritet të jetë vendimtarë, të paktën që të dihet data se kur do të udhëtojmë pa viza në Evropë. Sidoqoftë, edhe nëse vjen lajmi i madh, kjo nuk do të jetë meritë e qeveritarëve, por e vet BE-së dhe qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat