Epilogu i dialogut i dizajnuar në Serbi, në dëm të shtetit të Kosovës

Politika

Epilogu i dialogut i dizajnuar në Serbi, në dëm të shtetit të Kosovës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 30 maj 2018 Në ora: 10:29
Thaçi-Mogherini-Vuçiq

Raportimet e ndryshme se presidenti i vendit Hashim Thaçi ka zhvilluar disa takime sekrete me udhëheqës të Serbisë dhe po bënë bisedime me ta, kanë ngritur shqetësime të shumta.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një koment në rrjetin social Facebook, ka ngritur shqetësimin për negociata të fshehta.

Ai ka paralajmëruar refuzim popullor ndaj bisedimeve të fshehta, që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dyshimet e Hotit

Hoti ka shkruar në "Facebook" se Republika e Kosovës, me aranzhimin e saj kushtetues bazuar në Planin e Ahtisarit, është e arritura më sublime e nacionalizimit shqiptar dhe kompromisi që është bërë për paqe në rajon.

“Çdo marrëveshje me Serbinë që e cenon këtë arritje dhe funksionalitin e Republikës, duke bërë ri-aranzhime kushtetuese, do të jetë e pa pranueshme.  Ata që po bëjnë negociata fshehtas dhe pa mandat le ta dinë se do të përballen me refuzim popullor. Republika e Kosovës, me aranzhimin e saj kushtetues bazuar në Planin e Ahtisarit, është e arritura më sublime e nacionalizimit shqiptar dhe kompromisi që kemi bërë për paqe në rajon", ka shkruar Avdullah Hoti.

Për takime sekrete ndërmjet të Presidentit Thaçi me udhëheqës të Serbisë, është raportuar edhe më herët. Por, Presidenti i Kosovës i ka mohuar raportimet e tilla.

Pavarësisht kësaj, Avdullah Hoti nuk ka përmendur asnjë emër, por ka folur vetëm në parim për dialogun.

Gazeta ka tentuar të marrë më shumë hollësi rreth dyshimeve të ngritura, por Hoti nuk është përgjigjur.

Në lidhje më çështjen e bisedimeve teknike më Serbinë, nuk ka dashur të flasë as shefi i delegacionit të Kosovës Avni Arifi, i cili në asnjë moment nuk i është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Rugova: Nuk ka negociata pa lejen e Kuvendit

Image
Naser Rugova

Ndërkaq, Naser Rugova deputet i LDK-së, ka thënë se askush nuk ka mandat të negociojë pa lejen e Kuvendit të Kosovës.

“Vlerësoj se askush nuk ka mandat të negociojë,  as fshehtas dhe as haptazi për çështje të tilla të rëndësishme të interesit nacional, pa vendimin e Kuvendit të Kosovës me 2/3 e votave. Çdo veprim tjetër i kujtdo qoftë është jo kushtetues”, ka nënvizuar Rugova.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, bisedimet me Serbinë vazhdon t`i konsiderojë të dëmshme për vendin duke i quajtur edhe si përfitim të Serbisë në territorin e Kosovës.

Image
Rexhep Selimi

“Nuk e di nëse Hashim Thaçi është duke biseduar më Serbinë, po kompromiset në mes Kosovës dhe Serbisë janë të dëmshme për Kosovën dhe territorin e saj, kurse për Serbinë kompromisi është përfitim vetëm në terrenin tonë. Çmimi që po paguan Kosova është i dyfishtë, kurse përfitimi i Serbisë po ashtu është i dyfishtë. Kosova edhe është përgjakur në luftë edhe po mbahet peng sot, kurse Serbia edhe ka përfituar nga ne derisa jemi në negociata e bisedime me ta”, ka thënë deputeti Selimi.

Sipas tij, që të shpëtojmë nga ky proces duhet që ta ndalim menjëherë, në të kundërtën, epilogu i këtij procesi është i dizajnuar në Serbi dhe i destinuar për dëmin e shtetit të Kosovës.

Abdullahu: Dikush duhet të ketë guxim donkishotian, të bëjë bisedime të fshehta me Serbinë

Image
Faton Abdullahu

Kurse, Faton Abdullahu njohës i çështjeve politike në vend ka thënë për “Bota sot”, se bisedimet e fshehta janë taktizime djallëzore, karakteristikë e shteteve autoritare, ku demokracia nuk funksionon dhe me te abuzohet për interesa klanore dhe afatshkurtra.

“Bisedimet e fshehta mund të bëhen shumë lehtë dhe pa problem edhe sot ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse demokracia tek ne ka të meta të mëdha, për aq sa institucionet kruciale janë të zhveshura  nga legjitimiteti i mirëfilltë. Për shkak se është kështu, për rrjedhojë, nuk ka mundësi të ketë kontroll të mirëfilltë demokratik ndaj negociatorëve me Serbinë. Kështu sot është krijuar një terren që si duket i konvenon negociatorëve dhe kjo është mundësia për t’i bishtnuar demokracisë dhe zgjedhur rrugë më të lehta, ku për shumë çka qytetari dhe institucionet do të sillen para aktit të kryer. Dikush duhet të ketë guxim donkishotian, apo të jetë në siklet të madh, të bëjë bisedime të fshehta me Serbinë, pa i njoftuar institucionet dhe qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas Abdullahut, bisedimet e fshehta me Serbinë mund t’i bëjnë vetëm qyqarët që nuk kanë guxim t’i dalin para qytetarit.

“Nëse kjo është e vërtetë, e ka indicie se kjo është kështu, atëherë kjo na jep të kuptojmë se negociatorët me pushtetin autoritar dhe antidemokratik, kontrollojnë segmente vitale në Kosovë, prandaj nuk kanë frikë t’i hyjnë një avanture të tillë, sepse janë të vetëdijshëm se situata nuk ju del nga kontrolli, sepse atë e mbajnë nën kontroll me shantazhe, kërcënime, aq sa edhe me shpërblime e malverzime të ndryshme”, shprehet ai.

Sipas tij, nëse ka bisedime të fshehta, kjo nuk po ndodh për herë të parë dhe autori i tyre nuk është i panjohur është Presidenti aktual, konfidenca antidemkratike dhe autoritare e të cilit kohëve të fundit vetëm se është forcuar.

“Është forcuar për aq sa kemi Qeveri jo funksionale, për aq Presidenti funksionon si autoritar” ka shpjeguar Faton Abdullahu njohës i çështjeve politike.

Tahiri: Duhet gjithëpërfshirje e spektrit politik në bisedime

Image
Mentor Tahiri

Kurse, sipas politologut Mentor Tahiri, bisedimet diplomatike jo gjithmonë janë të hapura për publikun. Bisedimet Kosovë-Serbi tani po hyjnë në fazë të ndjeshme ku padyshim do të kërkohen kompromise edhe nga pala kosovare.

“Çështja e legjitimitetit për të zhvilluar bisedime të tilla “pas perdeve” është gjithmonë e diskutueshme në aspektin e legjitimitetit. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë identifikojnë akterët e bisedimeve dhe i mbesin me autoritetin e duhur. Por, një gjë është e qartë, në fund do të jetë Kuvendi i Kosovës që ta legjitimojë me votën e tij rezultatin e bisedimeve çfarëdo qoftë ai.  Kosova tani ka nevojë që bisedimeve me Serbinë t’i qaset me gjithë përfshirje të spektrit politik. Tani kur duket që nuk ka vullnet për një qeveri teknike, është shumë emergjent krijimi i një “grupi të unitetit”. Si pozita ashtu edhe opozita gabojnë rëndë nëse mendojnë se kush merr pjesë në bisedime përfiton prestigj politik, sikurse edhe duhet ta dinë që qasje jo konstruktive nuk u bënë nderë”, ka thënë politologu Tahiri.

Image
Blerim Burjani

Kurse, analisti politik Blerim Burjani, ka thënë se ky dialog nuk është për statusin dhe territoret e Kosovës, por është dialog teknik pra duhet në thelb të ruhet dialogu teknik nga pala e Kosovës.

“Ky dialog i nxitur nga OKB që quhet teknik thjesht duhet të jetë në frymën e të menduarit nga dokumenti i OKB për dialog teknik”, ka nënvizuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat