“Kompromiset me Serbinë”, Shahu: Amerika nuk heq dorë nga Kosova

Politika

“Kompromiset me Serbinë”, Shahu: Amerika nuk heq dorë nga Kosova

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 maj 2018 Në ora: 21:53
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

Është paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të hyjnë në fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes tyre. E për këtë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi së fundmi ka deklaruar se “do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që për Kosovën nënkupton anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe njohje reciproke”, duke shtuar se për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë.

E se a mund të ketë kompromise të dhimbshme për Kosovën, në dialogun me Serbinë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, thotë se deklarata të tilla që hapin panik për shqiptarët, nuk kanë skena të papritura brenda dhe se Kosova do të jetë shtet shqiptar, pasi ka mbrojtjen e Amerikës.

Image
Rexhep Shahu

“Unë besoj se Thaçi nuk do ta blejë të ardhmen e Kosovës siç ka blerë biografinë e tij apo librin e tij biografik. Këto lloj deklaratash që përhapin panik e drithërima për shqiptarët nuk besoj se kanë brenda tyre skena të panjohura apo të papritura të dramës shqiptare apo të zhvillimeve të parathëna. Kosova është e do të mbetet shtet shqiptar sot e në të ardhmen sepse ka aktualisht mbrojtjen e përkrahjen e Amerikës”, shprehet ai.

Sipas Shahut, Amerika nuk do të heqë dorë nga investimi i saj dhe se Kosova i ka bërë kompromiset që i janë kërkuar.

“Nuk besoj se ata që e kanë ndërtuar projektin Kosovë, pra nuk besoj se Amerika do të heqë dorë nga investimi i saj. Kosova i ka bërë kompromiset që janë kërkuar, ka bërë lëshimet që i janë kërkuar nga miqtë dhe aleatet. Skenarët që hedh në letër Thaçi për vëmendje, për tërheqje vëmendje, për ushtrim pushteti të munguar tashmë, nuk besoj se kanë fshehtësira të frikshme që njerëzit nuk i dinë dhe që duhet të lutet zoti që kemi Thaçin e t’i jemi mirënjohës atij që ta zgjasë dorën e të na shpëtojë. Pra Kosova i ka bërë kompromiset e duhura”, vlerëson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat