Kushtet e Vetëvendosjes për dialogun me Serbinë dhe i “preferuari” i Vuçiçit

Politika

Kushtet e Vetëvendosjes për dialogun me Serbinë dhe i “preferuari” i Vuçiçit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 maj 2018 Në ora: 10:36
Albin Kurti

Pakënaqësi pati nga opozita kur presidenti i vendit Hashim Thaçi u caktua udhëheqës i dialogut me Serbinë. E kundërshtimi vazhdon ende, kur nga Qeveria është miratuar platforma për fazën e fundit të dialogut e që pret miratim nga Kuvendi, ku sipas platformës, roli i udhëheqësit i përcaktohet presidentit.

Së fundmi Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se para se të fillojë procesi i ri i dialogut, duhet të ketë dialog të brendshëm politik në mes të partive politike në Kosovë, duke shtuar se do të pranonin të ishin pjesë e dialogut, nëse Thaçi nuk do të jetë kryesues.

Kurteshi jep detajet

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, thotë se do të jenë pjesë e dialogut nëse plotësohen kushtet që ata i kanë parashtruar.

Image
Ismail Kurteshi

“Nëse plotësohen ato kushte që i keni parashtruar, jo vetëm puna e Thaçit por edhe të tjera. Platforma është e njëanshme dhe Vetëvendosje jo vetëm që ka vërejtje për Thaçin si udhëheqës por ka vërejtje në platformën në përgjithësi. Ne e kemi shpjeguar rrugën, hapat që duhet ndërmarrë se si duhet shkuar në bisedime ku delegacioni i Kosovës i paraqet njerëzit e denjë, kërkesat që janë të arsyeshme për Kosovën”, është shprehur ai.

Sipas Kurteshit, fillimisht duhet të bëhet analiza e bisedimeve të mëhershme dhe të mos legjitimohen ata që kanë dështuar.

“Në radhë të parë duhet të bëhet një analizë e bisedimeve që janë bërë deri tash dhe marrëveshjeve që janë arritur dhe të mirat dhe dëmet që ato ia kanë sjellë Kosovës dhe pastaj janë edhe pikat e tjera dhe në fund është shumë me rëndësi se kush i udhëheq bisedimet. Ata që kanë dështuar në bisedime në të kaluarën, nuk ka mundësi asnjë lloj platforme që t’i legjitimojë edhe njëherë, për këtë duhet një marrëveshje konsensuale në mes të subjekteve politike dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo platformë është refuzuar nga opozita”, ka deklaruar deputeti Ismail Kurteshi për “Bota sot”.

Thaçi i preferuari i Vuçiqit

Ndërsa, profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka treguar fillimisht se presidenti si i zgjedhur i popullit mund të drejtojë dialogun dhe të nënshkruajë në emër të Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Përpara se të them nëse ka mundësi që Thaçi të heqë dorë nga kryesimi i delegacionit në këto bisedime, më duhet që t'i jap përgjigje pyetjes nëse ai duhet të jetë ose jo në krye të këtij delegacioni. Thaçi është president i vendit, i zgjedhur në mënyrë legjitime. Si i tillë, në parim nuk ka asgjë të keqe që ai t'i kryesojë bisedimet dhe të nënshkruajë në emër të Kosovës për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Në fund të fundit çdo konflikt përfundon me marrëveshje. Ka arsye pro dhe kundër protagonizmit të tij në këtë proces”, është shprehur ai.

Për këtë ai thotë se ka arsye pro dhe kundër, të cilat i shpjegon.

“Argumenti pro lidhet me pozicionin e tij. Një njeri që zgjidhet president i vendit automatikisht do të duhej ta kishte të shkruar në ballë devotshmërinë dhe besnikërinë e tij ndaj shtetit, kushtetutës, atdheut dhe kombit. Nëse kontestojmë autoritetin e tij, atëherë kontestojmë dhe integritetin dhe legjitimitetin e tij. Është vështirë që ai të largohet nga kryesimi i këtyre bisedimeve, ndryshe do të vihej në diskutim legjitimiteti i tij si president”, vlerëson Bytyçi.

Sipas tij, Thaçi është i preferuari i Vuçiçit.

“Ndërkohë Thaçi është i preferuari i homologut të tij serb, presidentit Vuçiç. Bashkësia ndërkombëtare, e interesuar me çdo çmim për kompromis, mbështet palë bashkëpunuese, jo konfrontuese. Për këto arsye Hashim Thaçi nuk ka gjasa të largohet nga ky pozicion e njëkohësisht në parim duhet të kryesojë bisedimet”, shprehet më tej.

Profesori ndalet tek çështja e besimit tek presidenti si udhëheqës i dialogut, derisa thotë se ka bërë shumë gabime në të kaluarën.

“Por sa i besueshëm është ai? Është jo komode të thuash se presidenti i vendit nuk është i besueshëm. Por, fatkeqësisht Thaçi ka bërë gabime të rënda në nënshkrimin e marrëveshjeve të kaluara. Nuk ka qenë transparent dhe ka imponuar vullnetin e tij personal. Prandaj dhe lindi nevoja e korrigjimit të disa gjërave dhe kundërshtimit deri me dhunë të zbatimit të marrëveshjeve që ai nënshkroi. Ky është një hendikep shumë i madh”, vazhdon ai.

Thaçi nuk garanton ruajtjen e territorit

Në anën tjetër, Bytyçi thotë se duke qenë se ai mund të nënshkruajë marrëveshje, mund të bëjë që Kosova të humbë.

“Nga ana tjetër, presidenti i vendit është garant i kushtetutës, sovranitetit të vendit dhe si i tillë roli i tij është të qëndrojë mbi palët, d.m.th të jetë zbatues i kushtetutës, nëse dikush e shkel atë. Si kryesues i bisedimeve dhe nënshkrues i marrëveshjes ai e humbet këtë rol dhe mesa duket nuk ka asnjë institucion që atë ta kontrollojë dhe ndalojë në kompromiset me Serbinë. Kjo mund të çojë në atë që Kosova të humbasë në paqe, atë që e fitoi në luftë, e cila i kushtoi gati 20 mijë viktima e po kaq gra e vajza të përdhunuara, si dhe 2/3 e banesave të djegura e shkatërruara apo dhjetëra mijë hektarëve të mbjella të djegura gjithashtu”, vlerëson profesori Bytyçi për “Bota sot”.

Ai thotë se një gjë të tillë ka mundur ta bëjë Rugova por nuk e ka bërë, derisa shton se Thaçi nuk garanton ruajtjen e territorit.

“Nëse do të duhej që Kosova të ndahej me kompromisin e ndarjes së territorit të saj, këtë do ta bënte Rugova pa shkaktuar asnjë viktimë në Kosovë. Të jesh viktimë e një lufte të pakuptimtë dhe të bëhesh viktimë e ndarjes më pas të territorit, ta fitosh një luftë më ndihmën e NATO-s dhe ta humbasësh atë me firmën tënde, kjo do të ishte një rast unik në histori. Fatkeqësisht Thaçi nuk garanton ruajtjen e territorit të Kosovës, megjithëse është përgjegjësi kryesor me kushtetutë për këtë detyrë sublime”, ka deklaruar ai.

Andaj, sipas tij, VV dhe LDK duhet të hartojë një dokument që i përcakton vijat e kuqe për presidentin apo këdo që udhëheq dialogun.

“Çfarë mund të bëhet? Unë besoj se Vetëvendosje. LDK etj duhet të hartojnë një dokument me të cilin t'i përcaktojnë vijat e kuqe për Thaçin apo cilindo që kryeson bisedimet e Prishtinës me Beogradin. Ky dokument duhet të përcaktojë për çfarë nuk lejohet të bisedohet, jo më të nënshkruhet”, vlerëson Bytyçi.

Ai e sheh edhe Kuvendin si vend që të merren vendimet dhe të mbahen debate pas çdo takimi në bisedime, duke shtuar se të gjitha partitë duhet të bashkohen, të tregojnë unitet në dialogun me Serbinë dhe të evitojnë ndarjen e Kosovës.

“Së dyti, do të duhet që pas çdo takimi për bisedime dhe para nënshkrimit të çdo marrëveshjeje të debatohej dhe merrej vendimi në Kuvendin e Kosovës, nëse është e nevojshme edhe pa praninë e medias. Askush nuk ka të drejtën legjitime të bisedojë e nënshkruajë copëtimin e territorit të Kosovës. As presidenti i Republikës, edhe sikur të ishte njeriu më perfekt i Kosovës. Prandaj dhe Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë e tjera në koalicionin qeverisës duhet të bashkohen, të dëshmojnë unitet në çështjen e bisedimeve me Serbinë, për të evituar ndarjen dhe kthimin e Kosovës në një Bosnjë të dytë, pra evitimin e krijimit të një Republika Srpska të dytë në Kosovë. Gjithçka tjetër mund të jetë objekt diskutimi dhe marrëveshjeje”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Abdullahu tregon veprimet që duhet të ndodhin në Kosovë para se të vazhdohet dialogu me Serbinë

Image
Faton Abdullahu

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se sikur është puna aktualisht, institucionet e vendit nuk mund të jenë në nivel të detyrave dhe se ato nuk e përfaqësojnë shumicën.

“Kështu sikundër qëndron puna aktualisht në institucionet kryesore të Kosovës, konsideroj se ato nuk mund të jenë në nivel të detyrave të cilat ua kërkon dhe përgjegjësitë para të cilave i vë, dialogu përfundimtar me Serbinë. Institucionet aktuale nuk konstituohen nga shumica. Duke mbetur pakicë ato rrjedhimisht kanë humbur legjitimitetin. Që kjo rrethanë të ndryshojë nuk pati disponim shtetndërtues. Kjo u pa edhe nga përgjigja jo e ndershme, që ju bë ftesës për organizimin e ‘Tryezave’. Nuk është çështja më e rëndësishme se a është Presidenti Thaçi i mirë apo jo për të dialoguar, se a është kërkesa e VV-së që të përfshihet në dialog e sinqertë apo vetëmbrojte, çështja është se institucionet vitale të shtetit tonë sot nuk e përfaqësojnë shumicën”, u shpreh Abdullahu,

Sipas tij, fillimisht duhet të shpërbëhet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje që institucionet të kenë legjitimitet demokratik dhe më pas të vazhdohet dialog me Serbinë.

“Prandaj një President dhe një Qeveri që nuk mund të kontrollohet demokratikisht dhe efektivisht nga Kuvendi, ai Kuvend duhet të shpërbëhet dhe të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Determinueshëm kemi një situatë ku, nëse nisemi nga pragmatizmi shtetndërtues për të mirën e Kosovës, së pari duhet zgjedhje të jashtëzakonshme që institucionet të vishen me legjitimitet demokratik, e pastaj dialog përfundimtar me Serbinë. Më mirë për këto zgjedhje të humbim kohë dhe para, sesa ta humbim një pjesë të sovranitetit që mund ta determinojë dialogu i keqmenaxhuar me Serbinë”, vlerësoi Faton Abdulalhu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat