Tetë muajt e qeverisjes Haradinaj, dështim total

Politika

Tetë muajt e qeverisjes Haradinaj, dështim total

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 27 maj 2018 Në ora: 18:26
Qeveria PANA-Lista Serbe

Padyshim, tetë muajt qeverisjes Haradinaj do mbahen mend si muajt e mbrapshtë. Dhe këto nuk janë fjalë boshe opozitare, as edhe fjalë inatçore, por një realitet i bazuar në fakte reale. Mendoj se realiteti ynë që flet vetë është pasojë e politikës dhe politikanëve e pushtetarëve shqiptarë, të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre prishën shtetin, drejtësinë dhe shoqërinë. Për më keq e ardhmja me këtë qeverisje është një kërcënim për atë që vjen pas.

Ashtu si dje, edhe akoma më keq edhe sot, është fjala për tërë periudhën e paslufte, në shoqërinë tonë gjërat janë për në të keq dhe asgjë nuk është në vendin e vet, pasi edhe shumë e shumëkush nuk e di se ku është sot dhe se ku do të jetë nesër; kudo dhe për çdokënd është problem siguria për jetën, pronën, dinjitetin dhe për të ardhmen.

Prandaj dhe them se nuk ka të ardhme të mirë në atë vend që e tashmja ndërtohet mbi themelet e padrejtësive dhe nuk ka siguri dhe të ardhme të mirë aty ku njerëzit kërcënohen jo vetëm nga politika po dhe nga njëri-tjetri; kur kërcënohen nga injoranca, egoizmi, mosmirënjohja dhe kur mohohet e drejta dhe e vërteta nga intriga, gënjeshtra dhe hipokrizia. Nuk ka të ardhme të mirë aty ku nuk sundon drejtësia, ku nuk ka mirëqenie, punë e zhvillim. Nuk ka të ardhme për njerëzit aty ku atdheu, shoqëria dhe shteti e pushteti shikohen, synohen e konsiderohen si pre për t’i rrëmbyer, vjedhur e grabitur.

Kosova ka dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor, pasi qeveria ka kapur drejtësinë duke e përdorur atë si mburojë për veprimet e saja antiligjore. Kjo qeveri ka dështuar edhe në arsim, shëndetësi dhe krijim të vendeve të punës, duke e renditur Kosovën në vendin më të fundit sa i përket përparimit të saj në sferat kyçe të jetës. Qeveria Haradinaj, në këto tetë muaj vetëm ka punësuar militantë, njerëz të lidhur me krimin dhe drogën e që iu duhen kur të vjen puna për vota, duke e katandisur vendin si mos më keq. Në asnjë prej sferave të jetës kjo qeveri nuk ka shtrirë dorën për të mirë, edhe aty ku ka prekur vetëm sa e ka degraduar edhe më shumë.

Duke përdorur gjuhën arrogante të saj kundër opozitës, mediave dhe shoqërisë civile, kjo qeveri e ka humbur edhe sensin e realitetit në vend, për të cilin kjo shoqëri nuk është në lartësinë e duhur të reagimit ndaj së keqes. 

E keqja nuk mbaron në këto tetë muajt, në të ardhmen kjo qeveri pritet që edhe më shumë të dështojë, faturën e se cilës e paguajnë qytetarët e ndershëm të vendit. Derisa mishin e hanë qeveritarët, faturën e paguajnë qytetaret e varfër. Askush nuk do besonte se ata që cilësoheshin çlirimtarë do e rrjepin këtë popull deri në asht, prej nga gjaku në vena më nuk po ecën pasi gjaku është ngrirë. Kjo qeveri nuk i shërben për të mirë Kosovës, për më tepër po i bën dëme të mëdha, për të cilat Kosova nuk meriton t’i përjetoj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat