Liberalizimi i vizave, nëse Kosova pranon këtë kusht...

Politika

Liberalizimi i vizave, nëse Kosova pranon këtë kusht...

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 27 maj 2018 Në ora: 14:50
Ilustrim

Për analistin e njohur Haki Abazi, deklarata e ambasadorit të Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, i cili është shprehur se është vështirë të jepet një datë për liberalizimin e vizave, nuk përbën lajm.

Kjo pasi që sipas tij, kohëve të fundit një mesazh të tillë e kanë përcjell edhe zyrtarë të BE-së në Kosovë.

“Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë e tha para disa ditëve atë që ka deklaruar ambasadori i Suedisë. Sidomos në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, nuk janë plotësuar kriteret dhe kjo është çështje që të gjithë e dinë, e më së miri ata që janë duke monitoruar këtë sektor”, thotë Abazi për “Bota sot”.

Sipas tij, liberalizimi i vizave mund të ndodh më shumë për të shpërblyer klasën politike në mënyrë që të formohet Asociacioni se sa që janë plotësuar kushtet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Image
Analisti politik, Haki Abazi

“Nëse ndodhë që liberalizmi i vizave të bëhet do të jetë vendim politik për të shpërblyer këtë klasë politike me një 'asht' për formimin e Asociacionit të komunave serbe. Kaq nuk ka të bëjë këtu aspak me interesin qytetar, por edhe këtu kam dyshime nëse liberalizimi ose jo është një embargo kundrejt klasës së tanishme politike në Kosovë”, deklaron ai.

Sipas Abazit, gënjeshtrat dhe mashtrimet për liberalizim të vizave kanë një histori të gjate.

“Janë ministra të mandateve dhe qeverive të ndryshme që kanë dhënë premtime përveç krerëve të institucioneve. Thaçi, Haradinaj, Enver Hoxhaj, Edita Tahiri, Vlora Citaku, Besim Beqaj, e shumë të tjerë. Në ndërkohë me para publike janë organizuar edhe festa e shampanjë për kinse liberalizim. Turpi nuk ndalet tek premtimi, turpi i madh është që këta njerëz nuk kuptojnë se sa naiv dhe të paditur janë. Këtë traditë të gënjeshtrës e mashtrimit po e vazhdojnë këta që janë sot në pushtet. E ditur po flasin sikur të mos kanë kaluar një dekadë që nga premtimet e para dhe deklarimet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Gati një dekadë qysh se qytetarëve tjerë të rajonit lëvizin lirshëm, përveç shqiptarëve të Kosovës. Këta mendjen nuk e kanë për të kuptuar procese, si duket as nuk marrin vesh kur flasin gjuhën angleze në bashkëbisedime me partnerët evropian”, shtoi ai.

Kujtojmë se Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor ku qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë lirshëm për në shtetet e BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat