Përgjegjësitë e EULEX-it në duart e drejtësisë vendore

Politika

Përgjegjësitë e EULEX-it në duart e drejtësisë vendore

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 25 maj 2018 Në ora: 21:54
Foto ilustrim

EULEX pas dhjetë vjetësh, pritet të ndryshojë mandatin, saktësisht me 14 qershor të këtij viti. Mandati aktual, me përgjegjësi ekzekutive, monitoruese dhe mentoruese nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë, këtij misioni i mbaron muajin e ardhshëm, kur edhe pritet për të vazhduar me një mandat tjetër, por kësaj radhe vetëm me rol këshillues për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur për këtë çështje për gazetën “Bota sot”, duke thënë se institucionet e Kosovës mund ta zëvendësojnë edhe më mirë EULEX-in, duke i kryer punët dhe obligimet ligjore të parapara sipas Kushtetutës së Kosovës.

Image
Hajrullah Tërnava

“Institucionet tona si gjatë kohës së EULEX-it, si tani, ata i kryejnë punët dhe obligimet ligjore të parapara sipas Kushtetutës së Kosovës. Me një fjalë edhe me ikjen apo zhbërjen e EULEX-it, institucionet tona do t’i kryejnë punët e tyre të përditshme ndoshta edhe në mënyrë më efektive, sepse tani nëse nuk do të jenë të suksesshëm në kryerjen e punëve të tyre, atëherë askënd nuk do mund ta fajësojnë. Përkundër kësaj arsyeje, tani BE nga institucionet e Kosovës do të jenë më të vendosur, që ndaj institucioneve të Kosovës, të kërkojnë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i mbetur për liberalizimin e vizave të qytetarëve të Kosovës”- tha Tërnava.

Rolin e ri të EULEX-it si këshillëdhënës, Tërnava e sheh si të dyshimtë, pasi qytetarët e Kosovës nuk    janë të kënaqur me punën e tyre gjatë këtyre viteve sa kanë qenë vet në drejtësi, ndërsa thotë se këshillat e  EULEX, nuk duhet të merren gjithmonë parasysh.

“Tani EULEX-i në të ardhmen do të ketë rol tjetër të këshillëdhënësit ndaj institucioneve te Kosovës. Nëse deri tani EULEX-i ka pasur rol më të drejtpërdrejtë në luftimin e krimit të organizuar si dhe ndaj krimit në përgjithësi, dhe si i tillë e ka kryer mandatin e tij, edhe që qytetarët tonë nuk janë të kënaqur me punën e tyre, tani në këtë situatë të luftimit të krimit do ta ketë rolin sporadik që do te thotë se do ta ketë rolin e këshillëdhënësit, që nuk do të thotë gjithsesi edhe kur të japin këshilla institucioneve tona, se ato këshilla duhet të jetësohen”- u shpreh Tërnava.

Vendimet e EULEX-it nuk janë obligative sipas tij, pasi roli i EULEX-it ka ndryshuar tërësisht tani.

“Nëse dikur EULEX kishte autorizime prioritare në luftimin e krimit dhe po këtij institucioni i kemi zënë besë si ne edhe ata që e kanë instaluar këtë shërbim, bëhet pyetja pse mos t’i besohet tani këtij shërbimi që do ta ketë rolin e këshillëdhënësit, edhe që qytetarët e Kosovës nuk ishin në të kaluarën edhe aq të kënaqur me kryerjen e obligimeve dhe detyrave qe iu kishin besuar këtij shërbimi. Në tërësi, roli i EULEX tani ndryshon dhe vendimet e tyre nuk janë obligative, në të kundërtën gjithnjë institucionet e Kosovës do të vendosin për vendimmarrjen dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe për këto rezultate do të iu japin llogari institucioneve të Kosovës”- potencoi Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat