“Specialja mbi kokë” dhe kompromiset e rrezikshme të Thaçit me Serbinë

Politika

“Specialja mbi kokë” dhe kompromiset e rrezikshme të Thaçit me Serbinë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 25 maj 2018 Në ora: 17:26
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi është i gatshëm edhe për kompromisin e fundit me Serbinë, pavarësisht pasojave. Thaçi, gjatë pjesëmarrjes në forumin “To be Secure”,  i cila u mbajt në Sofje të Bullgarisë,ka paralajmëruar kompromis për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me shtetin e Serbisë.

“Bashkimi Evropian kërkon nga të gjithë ne që t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura dhe mendoj se marrëveshja për normalizim është kruciale edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, por edhe për rajonin. Për Kosovën, dialogu nuk ka alternativë, do të punojmë për kompromis dhe do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare që për Kosovën nënkupton anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe njohje reciproke (midis Kosovës dhe Serbisë)”, kishte deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Një paralajmërim të tillë e kanë kundërshtuar ashpër përfaqësuesit e opozitës. Sipas këtyre të fundit, Thaçi me pozicionin e tij personal, e ka lënduar rëndë imazhin e Kosovës në botë, duke bërë koncesione me Serbinë me të vetmin qëllim, që të amnistohet nga Gjykata Speciale.

E, sipas njohësit të zhvillimeve politike në vend, që nga momenti kur Kosova kishte hyrë në bisedime me Serbinë është ditur se nuk do ta merr maksimumin e kërkuar.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim edhe në zyrën e Presidencës për të marrë informata shtesë lidhur me paralajmërimin e presidentit Thaçi për kompromise, mirëpo këta të fundit ishin të paqasshem.

Selmanaj: Qasja e Thaçit personale

Image
Driton Selmanaj

Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se Thaçi është duke folur në emër të tij personal dhe jo në emër të institucionit që përfaqëson, sepse, sipas deputetit të LDK-së, ai nuk ka marrë asnjë mandat që të jetë negociator me Serbinë.

“E para mendoj se Thaçi është duke folur në emër të tij personal dhe jo në emër të institucionit që përfaqëson, sepse ai nuk ka marrë asnjë mandat që të jetë negociator. Kuvendit i Kosovës në vitin 2012-13 ka obliguar Qeverinë e Kosovës që të negociojë me Serbinë dhe askush tjetër nuk ka mandat që të përfaqësojë Kosovën në negociata me Serbinë, e aq më pakë të ketë të drejtë të bëjë kompromise të tjera”, tha Selmanaj.

Sipas Selmanajt, kushdo që merr mandat brenda Kuvendit nuk duhet të bëjë lëshime tjera, përpos asaj  çka Kosova ka përcaktuar me Pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Në këtë fazë unë mendoj që më tepër qasja e tij është në sferën krejtësisht personale, ashtu siç gjithmonë ka ditur të bëjë politik . Por, në kontekstin e mandatit kushtetues dhe mandati  tij që Kuvendi i Kosovës do të duhej t’ia jepte unë mendoj se ai po flet në emër të tij dhe askush tjetër, jo vetëm ai, por kushdo qoftë që merr mandat brenda Kuvendit nuk duhet të bëjë lëshime tjera, përpos asaj  çka Kosova ka përcaktuar dhe është marrë vesh me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Kosovës tashmë”, përfundoi Driton Selmanaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për gazetën “Bota sot”.

Deputetja e VV-së: Thaçi mbi kokë ka Gjykatën Speciale

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, mendon se presidenti i vendit është i shantazhuar, pasi që sipas saj, e ka mbi kokë “kërbaçin” e Gjykatës Speciale dhe gjithçka që i kërkohet do ta nënshkruajë, duke mos pasur asnjë standard për të iu përmbajtur.

Millaku për gazetën “Bota sot”, u shpreh se kompromiset dhe lëshimet e Thaçit ndaj Serbisë kanë filluar që në Rambuje, e nuk kanë përfunduar akoma.

“Hashim Thaçi është i shantazhuar sepse e ka mbi kokë kërbaçin e Gjykatës Speciale dhe gjithçka që i kërkohet do ta nënshkruajë, duke mos pasur asnjë standard për të iu përmbajtur. Kompromiset dhe lëshimet e Hashim Thaçit ndaj Serbisë kanë filluar qysh në Rambuje, e po shihet se nuk kanë përfunduar akoma. Problemi qëndron në atë se ky njeri e ka vënë Kosovën në një pozitë jashtëzakonisht të papërshtatshme, për shkak të te kaluarës së tij”, është shprehur Millaku.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Serbia deri më sot, në të gjitha proceset e bisedimeve ka kërkuar koncesione nga Kosova.

“Problemi mendoj unë qëndron në atë se Serbia deri më sot në të gjitha proceset e bisedimeve si në Rambuje ,Vjene, etj, ku marrë pjesë ka kërkuar koncesione nga Kosova. Por, pasi e ka marrë pajtimin tonë ajo nuk ka nënshkruar duke filluar procesin dhe duke kërkuar koncesione të reja, pra kjo po vazhdon akoma me pajtimin e Hashim Thaçit”, tha deputetja e VV-së.

Millaku shton se Thaçi me pozicionin e tij personal karshi Gjykatës Speciale e ka lënduar rëndë imazhin e Kosovës.

Në fund, ajo konsideron se duhet të veprohet fuqishëm që t’i pengohet Thaçit pjesëmarrja në ketë proces, sepse sipas saj, do të jemi para një rreziku të madh.

“Problemi qëndron në atë se Hashim Thaçi me pozicionin e tij personal karshi Gjykatës Speciale e ka lënduar rëndë imazhin e Kosovës në botë dhe karshi bashkësisë ndërkombëtare duke bërë koncesione për Serbinë me qëllim që të amnistohet vet. Pra, duke ditur karakterin e këtij njeriu duhet të veprohet fuqishëm që t’i pengohet pjesëmarrja në ketë proces në të kundërtën do të jemi para një rreziku që të humbim shumë”, shtoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

“Thaçi e pranoi në Mal të Zi se do t'i bëjë lëshime Serbisë”

Image
Bilall Sherifi

Ndërsa, deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka paralajmëruar se Thaçi do t’i bëjë lëshime Serbisë.

“Hashim Thaçi në fjalën e tij në Forumin e Sigurisë të mbajtur në Mal te Zi deklaroi se: “Marrëveshja përfundimtare, që duhet të jetë obligative, do të jetë e vështirë për Kosovën, por nuk do të jetë e lehtë as për Serbinë”!!! Pohimi në një forum të tillë se “Marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën” është pranim publik nga ana e Hashim Thaçit se është duke përgatitur koncensione të dëmshme në favor të Serbisë sepse edhe vet e pohon se “do të jenë të vështira për Kosovën”. Pas pranimit publik se në bisedimet përfundimtare është i gatshëm të nënshkruaj vendime “që do të jenë të vështira për Kosovën” e ndjej për obligim të deklaroj se unë shoh një rrezik për ardhmërinë e Kosovës”, ka deklaruar deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

“Është ditur se nuk do të marrim maksimumin”

Image
Lirim Zorra

Kurse, analisti politik Lirim Zorra mendon se ideja e kompromisit gjithmonë është prezente në fushën politike në Ballkan si kërkesë e  BE-së.

Ai në një prononcim për gazete “Bota sot”, tha se që nga momenti kur që Kosva ka hyrë ne bisedime me Serbinë,  është ditur se nuk do ta marr maksimumin.

“Ideja e kompromisit gjithmonë është prezente në fushën politike në Ballkan si kërkesë e  BE-së për  avancime dhe integrime evropiane që nga krijimi i politikes së jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Edhe liderët  e Kosovës ose të Serbisë këtë element sigurisht që e dinë, andaj besoj që nga momenti që kemi hyrë në bisedime me Serbinë, mbas pavarësisë, është ditur se nuk do të marrim maksimumin, por një zgjidhje me kompromise, ku Kosova dhe Serbia ecin përpara në rrugën euro atlantike”, është shprehu Zorra.

Sipas tij, çdo lider do të bënte kompromise, për shkak presionit ndërkombëtar.

“Besoj çdo lider do të bënte kompromise, për shkak presionit ndërkombëtar dhe po ashtu çdo  marrëveshje është ratifikuare në parlament me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, andaj nuk mund  të themi se veç Thaçi bën kompromise, mirëpo çdo parti e cila nga plani i Ahtisaarit e deri më sot kanë mbështetur në parlament marrëveshjet kanë qenë pro kompromiseve”, përfundoi Zorra për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat