Degradon Kuvendi i Kosovës

Politika

Degradon Kuvendi i Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 maj 2018 Në ora: 15:32
Përplasja Haliti-Gashi në Kuvendin e Kosovës

Skenave të përplasjeve verbale e fizike në mes të deputetëve ka pasur mjaft në seancat e Kuvendit të Kosovës.

E së fundmi ato po bëhen më të shpeshta, derisa nga deputetët po përdoret gjuhë banale.

Përpos përplasjes verbale që pati së fundmi në mes të deputetëve Xhavit Haliti nga PDK dhe Anton Quni nga LDK, në seancën e fundit të Kuvendit, pati përplasje fizike në mes të Xhavit Halitit dhe Arben Gashit, ku ndërhyri edhe Gani Dreshaj.

Për dhunën në Kuvend dhe masat që do të duhej të ndërmerren për deputetët që bëjnë sjellje të tilla, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Artan Murati, ka thënë se dhuna në Kuvend po e degradon këtë institucion, i cili nuk po funksionon.

Masat që duhet të merren

Image
Artan Murati

“Dhuna fizike ne Kuvend vetëm sa e degradon edhe më tepër institucionin më të lartë në vend. Kuvendi, edhe ashtu tash e sa kohë nuk është duke funksionuar normalisht, dhe sjelljet e tilla çfarë i pamë gjatë javës së kaluar më së paku i ndihmojnë në rikthimin e besimit qytetar dhe rënies në binarë”, është shprehur ai.

Sipas Muratit, dhuna në Kuvend duhet të ndëshkohet por kjo nuk parashihet nga rregullorja e Kuvendit.

“Dhuna dhe veprimet joparlamentare në Kuvend duhet të ndëshkohen, dhe atë me dispozita shumë strikte. Fatkeqësisht, as rregullorja aktuale e Kuvendit, e as draft-rregullorja e re nuk parashohin masa të mjaftueshme për të ndëshkuar deputetët ngucakeq e problematik në Kuvend”, vlerëson ai.

Mruati thotë se duhet të ndryshohet rregullorja e Kuvendit, që të ketë dispozita për të disiplinuar deputetët, por për një gjë të tillë nuk është parë vullnet nga grupet parlamentare.

“Rregullorja e re duhet të përmbajë dispozita konkrete të cilat do të mund të ndikonin në disiplinimin e deputetëve. Megjithatë, deri më tani, nuk është treguar vullnet i madh i grupeve parlamentare për të bërë ndryshimet e nevojshme në këtë drejtim, përkundër insistimit të vazhdueshëm nga shoqëria civile dhe publiku në përgjithësi”, ka deklaruar Artan Murati nga KDI.

Përjashtimi nga seanca dhe heqja e mëditjeve

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, mendon se ata që e kanë ndërmend të rrihen, e bëjnë ata, pavarësisht vendit se ku gjenden dhe për këtë nuk ndikojnë masat.

“Kush e ka njet me u rrahë, ai rrihet si në Kuvend, si në rrugë, si në punë, si në shtëpi. Kush e ka ndërmend me u sha, ai shahet pavarësisht rrethanave. Pra dallohet vepra e paramenduar dhe vepra në afekt, si thotë populli kur të zë taksirati. Në këtë pak ndikojnë shtrëngimi i masave sepse secili e kalkulon a po ja qet hesapi...”, ka vlerësuar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, nuk mund të ketë dënime tjera përpos përjashtimi nga seancat dhe heqja e mëditjeve.

“Dënimi në Kuvend me përjashtim në seanca dhe në këtë edhe me mosmarrje të mëditjeve, tjetër dënim nuk ka sepse deputetët janë të zgjedhurit e popullit por mandatin e kane personal dhe jo partiak dhe kanë një lloj imuniteti për veprime në Kuvend, në komisione dhe në mbledhje plenare”, është shprehur Ramush Tahiri.

Dukuri e shëmtuar

Image
Skënder Zogaj

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, dhuna në Kuvend është e shëmtuar dhe e patolerueshme dhe se përplasjet në mes të deputetëve duhet të dënohen.

“Dhuna në Kuvend është e patolerueshme sepse është dukuria më e shëmtuar dhe poshtëruese për imazhin e dëshiruar për shtetit dhe popullit të Kosovës! Përplasjet verbale të deputetëve dhe tentimet për qërim hesapesh fizikisht duhet të dënohen rreptë nga Kuvendi sepse me këtë lloj sortesh të ç’ekuilibruara dëmtohen rëndë proceset dhe ardhmëria e vendit. Shembull është Shqipëria, që po as pas 106 vitesh pavarësie nuk po arrin të bëhet shtet normal, pikërisht nga dhuna dhe përplasjet e egra ndërnjerëzore nëpër institucione që po e mbajnë të shkallmuar vendin dhe po degjenerojnë marrëdhëniet ndërnjerëzore të shtetasve shqiptar”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Fjalori banal

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thotë se duhet ndalur dhuna fizike dhe ajo verbale në Kuvend dhe fjalori banal që po përdoret.

“Fillimisht duhet ndalur dhuna në mes deputetëve edhe ajo verbale që shpeshherë kërcënon me dhunë, e dyta duhet të ndalet fjalori jonjerëzor, banal. Problemi më i madh i këtyre legjislaturave është se gjithkush u bë deputet e dalin e flasin njëri kundër tjetrit, më së shumti harxhohet koha në sharje dhe fyerje e banalitet. Ata edhe s’mund të kenë një kulturë tjetër se shumica e tyre vijnë nga ambiente të ndryshme dhe me prejardhje tq ndryshme sociale dhe me mungesë edukate elementare, prandaj ndodhin gjëra të tilla”, është shprehur Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat