Dënimi i ish-kryeministrit Gruevski, drejtësia në Kosovë duhet ta ketë model

Politika

Dënimi i ish-kryeministrit Gruevski, drejtësia në Kosovë duhet ta ketë model

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 maj 2018 Në ora: 17:19
Ilustrim

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është dënuar sot me dy vjet burgim për shpërdorim detyre në rastin e blerjen së një automjeti qeveritar në vlerë të 580 mijë eurove.

Gjykatësja Dobrila Kacarska tha se me shkeljet e bëra, Gruevski ka nënçmuar dhe fyer qytetarët meqë pas shpinës së tyre dhe në fshehtësi është pajisur me veturë sipas dëshirës së tij.

“Është nder të jesh bartës i funksionit, e në veçanti kryeministër. Legjitimitetin e ka marrë nga qytetarët andaj dhe duhet të kujdeset për interesat e tyre. Por, në vend të kësaj, ai i ka nënçmuar qytetarët”, ka deklaruar gjykatësja duke e shpallur fajtor Gruevskin dhe ish-zyrtarin e MPB-së.

Ky rast i Maqedonisë, sipas analistëve politikë, duhet të jetë model për luftimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Analisti politik Lirim Zorra, thotë se rasti i Gruveskit është shenjë që keqpërdorimet e bëra janë duke marrë dënim.

Image
Lirim Zorra

“Saktësisht nuk e njoh rastin në detaje të Gruevskit, mirëpo është një shenjë që keqpërdorimet e bëra nga çdo zyrtar duhet të marrin dënim, qoftë me rikthim të shumës ose dënim me burg. Maqedonia sigurisht që po synon të krijojë një model të luftimit të keqpërdorimit të pozitës, zyrtare mirëpo duhet pritur se a do ta mbajë vërtet burgun ish- kryeministri Gruevski apo do të ketë apelime të cilat me kalimin e kohës e ulin dënimin ose edhe e falin”, deklaron Zorra.

Raste për keqpërdorime të zyrtarëve shtetërorë janë mjaft prezente në vendet e Ballkanit, ndërkaq shumë raste mbesin vetëm nën dyshime, duke bërë që zyrtarët shtetërorë të mos deklarohen pas raportimit të mediave për keqpërdorime.

Një rast i atillë, ka qenë i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj kishte pushuar në hotelin  “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës. Ky fshat turistik është më i shtrenjti në botë.  Pushimet familjare të Haradinajt kanë zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve ka arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e vitit të ri në këtë holet ka kushtuar një mijë e 50 franga. Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, del se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga.

 Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë pranuar të tregojnë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet, me arsyetimin se “Kryeministri nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare dhe se institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”.

Analisti Lirim Zorra, nuk bënë ndërlidhje të rastit Haradinaj dhe rastit të dënimit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, mirëpo pohon se luksi i madh i zyrtarëve të shtetit janë elemente të pranishme.

Ai thotë se pushimet e Haradinajt, shtojnë dyshime se si i krijon një familje atë shumë të parave, pa ndonjë biznes të mesëm apo të madh.

“Sa i përket rastit Haradinaj në Zvicër besoj është më ndryshe, sepse paratë nuk kane qenë publike, por private të familjes Haradinaj mirëpo këtu shtrohen shumë pyetje, se si i krijon një familje pa ndonjë biznes të mesëm ose të madh këto para dhe a ka sponzorizime nga individë ose firma të cilat pastaj presin të shpërblehen nga Kryeministri ose ndonjë dikaster ministror, andaj besoj se janë rast të ndryshme, por të cilat një elemente e kanë luksin e madh të zyrtarëve të shtetit”, thekson Zorra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat