Liberalizimi i vizave, realitet apo vazhdim i mashtrimit...

Politika

Liberalizimi i vizave, realitet apo vazhdim i mashtrimit...

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 maj 2018 Në ora: 20:55
Vazhdimisht jepen premtime për liberalizimin e vizave, duke dhënë dhe afate kohore.

“Deklarata e Qeverisë se liberalizimi i vizave do të ndodhë së shpejti për mua është thjesht deklaratë dëshirore, por jo edhe përmbajtjesore. Vendimi i BE-së për heqjen e vizave për Kosovën nuk varet nga plotësimi i kriterit të kohës, por nga rezultatet e prekshme që Kosova duhet t'i shënojë në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur Sami Blakaj, magjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Prej kohësh jepen premtime për liberalizimin e vizave, duke dhënë dhe afate kohore.

E së fundmi, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Samitin e Sofjes në Bullgari, është çështje javësh kur Kosova do ta marrë lajmin për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

“Është çështje javësh kur Kosova do të marr lajmin për vlerësimin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Samiti i Sofjes ishte rast i mirë për t’i treguar të arriturat e Kosovës përpara liderëve europianë dhe Deklarata e Përbashkët është një dëshmi që Kosova e ka të sigurt perspektivën euro-atlantike. Kosova përfundimisht është palë në raport me BE dhe duhet avancuar këtë marrëdhënie”, shkroi në Facebook Haradinaj.

Por, sa ka mundësi që të ndodhë një gjë e tillë, derisa nga BE së fundmi u tha që të mos jepen afate kohore në lidhje me vizat.

Image
Ramiz Kelmendi

Pa luftim të krimit e korrupsionit nuk ka liberalizim

Deputeti nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nëse dikush e di datën e liberalizimit, le të shkojë ta merr vërtetimin dhe ta sjellë në Kosovë.

“1 vit i ka 52 javë dhe kur flasim për javësh, mund të jetë dhe çështje ditësh, pra nëse dikush e din se kur jepen vizat, lirisht le t’i hipën aeroplanit dhe le ta merr atë vërtetim dhe le ta sjellë në Kosovë dhe u kry ajo punë”, është shprehur ai.

Por, sipas Kelmendit, kjo është një çështje politike ku lidershipi dëshiron t’i mbajë nën tension qytetarët, duke i bërë të besojnë se vizat do të hiqen shumë shpejt, por që derisa nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, nuk do të ketë liberalizimin.

“Kjo është çështje politike, që një pjesë e lidershipit po dëshiron që t’i mbajë në tension aktiv qytetarët, sidomos rininë në mënyrë që ata të mos e ngritin zërin, duke besuar në fjalët e liderëve politikë. Vizat, sipas të gjitha shpjegimeve ndërkombëtare që bëhen dhe kushteve që na janë vendosur, duhet të luftohet krimi dhe korrupsioni dhe të shihen elementit e veprimit. edhe këtu, gjithmonë thonë kem bërë ne. Ndoshta sipas Kosovës ka bërë mjaft por sipas kushteve të BE-së është pak që do të thotë se pa u luftuar krimi dhe korrupsioni, nuk do të ketë viza të shpejta”, ka theksuar Ramiz Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Ali Lajçi

Vazhdon mashtrimi me vizat

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vlerëson se po vazhdon mashtrimi me vizat, qe kur u votua Demarkacioni dhe po thonë gënjeshtra në opinion duke qëndruar kështu në pushtet.

“Po vazhdon avazi i vjetër, edhe një mashtrim sepse edhe kur u votua demarkacioni ishin në pyetje vizat. Ishte një inskenim, u dramatizuan se nëse votohet ai marrim liberalizimin, por u humb territori dhe me vizat u bë mashtrim. Ky matrapazllëk ka nisur disa vite më parë dhe po vazhdon ende, sikur dhe për ushtrinë. Prandaj, vizat vazhdojnë me atë avazin e vjetër, duke thënë gënjeshtra në opinion dhe qëndron në pushtet, që Kosovën e ka sjellë në këtë gjendje”, ka deklaruar Lajçi për “Bota sot”.

Image
Shqipe Pantina

Vetëm procedura zgjatë 8 muaj

Në anën tjetër, deputetja nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, shpjegon se vetëm procesi nga marrja e vendimit deri tek aplikimi merr 8 muaj kohë.

“Vetëm teknikisht, procesi nga marrja e vendimit deri tek aplikimi, merr diku 8 muaj. Kështu që nesër po të merrej vendimi në Komisionin Evropian e pastaj në Parlamentin Evropian, procedurat që ajo të ratifikohet edhe nga shtetet anëtare merr kohë të gjatë. Për më tepër, ne ende nuk e kemi marrë rekomandimin nga Komisioni Evropian, gjegjësisht Komisioni përkatës brenda Parlamentit Evropian, kështu që ajo çfarë thonë zyrtarët e BE-së, është e vërtetë, nuk duhet të japim afate kohore”, shprehet ajo.

Pantina thotë se shteti duhet t’i plotësojë kushtet e mbetura që të kemi vlerësim pozitiv përfundimtar për vizat.

“Ajo që duhet të bëjë shtetit ynë, qeveria jonë, është që t’i plotësojë kushtet e mbetura sepse ne ende nuk kemi vlerësim pozitiv përfundimtar se kushti për luftimin e krimit dhe korrupsionit është përmbushur. Kemi një deklaratë të Tanja Fajon por ajo është thjeshtë një deklaratë dhe jo vendim, ajo çka na duhet neve është një vendim gjegjësisht një raport vlerësues”, ka deklaruar Shqipe Pantina për “Bota sot”.

Image
Sami Blakaj

Vendimi në duar të 4 shteteve të BE-së

Ndërkaq, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, thënë se deklarata e qeverisë për liberalizim është dëshirore, pasi vendimi për heqjen e vizave varet nga rezultatet e luftimit të krimit dhe korrupsionit.

“Deklarata e Qeverisë se liberalizimi i vizave do të ndodhë së shpejti për mua është thjesht deklaratë dëshirore, por jo edhe përmbajtjesore. Vendimi i BE-së për heqjen e vizave për Kosovën nuk varet nga plotësimi i kriterit të kohës, por nga rezultatet e prekshme që Kosova duhet t'i shënojë në luftën e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur ai.

Sipas Blakajt, vendimi final për heqjen e vizave varet dhe nga katër shtete anëtare të BE-së, që ai të mos kalojë.

“Përveç kësaj, duhet pasur parasysh se vendimi final për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është vendim i thjesht, por është vendim që kërkon të paktën votën e 55 % të shteteve anëtare. Mjafton që katër shtete anëtare që përbëjnë 35% të popullatës evropiane të jenë kundër heqjes së vizave për Kosovën dhe vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën të mos kalojë”, ka shpjeguar më tej ai.

Blakaj vlerëson se liderët e vendit duhet ta kenë parasysh ndjeshmërinë e vendimmarrjes dhe që premtime të tilla humbin besimin e qytetarëve dhe shpresën për të ardhme evropiane.

“Prandaj vlerësoj se udhëheqësit kosovarë duhet të kenë parasysh ndjeshmërinë e vendimmarrjes brenda BE-së dhe në këtë drejtim të rezervohen nga premtimet jo përmbajtjesore dhe të mos thirren në afate kohore. Premtimet e tilla humbin besimin e qytetarëve ndaj politikës dhe njëkohësisht humbin shpresën e tyre për një perspektivë evropiane”, ka deklaruar Sami Blakaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat