Nervoza dhe sharjet me nënë në Kuvend, kjo është arsyeja pse po “shpërthejnë” Kadri Veseli e Xhavit Haliti

Politika

Nervoza dhe sharjet me nënë në Kuvend, kjo është arsyeja pse po “shpërthejnë” Kadri Veseli e Xhavit Haliti

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 20 maj 2018 Në ora: 14:44
Xhavit Haliti e Kadri Veseli

Së fundi, në parlamentin e Kosovës kanë shpërthyer debate të ashpra në mes deputetëve. Për dallim nga e kaluara, ku kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ishte i vetmi që fyente e madje nuk hezitonte edhe të shante deputetët, një gjë të tillë tashmë po e bën edhe zëvendësi i tij nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti.

Madje Haliti ka shkuar edhe më larg. Pas debatit të ashpër me fjalë fyese dhe sharje ditën e enjte me deputetin e LDK-së, Arben Gashi, në seancën e së premtes, Haliti ka tentuar ta sulmojë edhe fizikisht Gashin, ku me ndërhyrjen e deputetëve u evitua përleshja mes dy deputetëve.

Por cila është arsyeja që Veseli dhe Haliti po eskalojnë gjatë seancave parlamentare? Pse Veseli dhe Haliti po e degradojnë edhe më shumë tempullin e demokracisë në vendin tonë?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Haki Abazi.

Sipas Abazit, prapa nervozes dhe eskalimit të Veselit dhe Halitit, fshihet ajo se të dy këta, së bashku me presidentin Thaçi, akuzohen rëndë për një sërë krimesh.

Image
Haki Abazi

“Parlamenti i Kosovës është i mbushur me njerëz me të kaluar të dyshimtë. Njerëz që akuzohen për krime, vrasje, plagosje dhe për krim ekonomik, nxitje të krimeve dhe me nivel shumë të ulët të edukatës dhe kulturës. Fatkeqësi është që Veseli dhe Haliti janë njerëzit kryesor të personaliteteve publike që janë akuzuar se bashku me Presidentin”, thotë Abazi.

Ai më tej, tregon arsyen që Veseli dhe Haliti po shpërthejnë në nervozë kohëve të fundit.

“Këta po ashtu kanë udhëhequr bllokimin e proceseve gjyqësore duke qenë se janë po ashtu pjesë e strukturave që nëpërmjet përgjimeve të EULEX, janë njerëzit që kanë vendosur për njerëzit në gjykata, prokurori dhe këshill gjyqësor. Kjo si duket tani po i bën këta njerëz të ndjehen shumë nervoz ose të gjithë pushtetshëm dhe reagimet  e tyre janë jo institucionale dhe ofenduese. Kjo praktikë është vendosur që një kohë dhe po vazhdon, por sigurisht që do ju vie fundi, sepse ka një limit se sa durohen këto forma të trajtimit të institucioneve dhe publikut”, shprehet për gazetën “Bota sot”, Haki Abazi.

Analisti Abazi, thekson se kjo praktikë jo profesionale është sjellë nga Shqipëria.

“Ajo që duhet thënë se këta individ kanë sjellë praktikat me jo profesionale dhe sjelljen e ligë nga Shqipëria, që do të thotë se nuk është se kritika është sjellë nga Shqipëria, por sjellja dhe denigrimi i institucioneve ka sjellur deri tek përplasja kur atyre duhet thënë në fytyrë se nuk ka Kosova dhe institucionet nuk janë pronë e tyre private”.

“Kjo ka bërë që debati gjithashtu të degradojë në pozicione ekstreme, ata duke përdorur gjuhë fyese, ndërsa pjesa tjetër duke tentuar që të përgjigjen dhe mbrojnë institucionet me gjuhen që ata e kuptojnë dhe nuk mendojnë që njerëzit po frikësohen nga arroganca e tyre”, përfundon Haki Abazi, analist dhe njohës i zhvillimeve politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat