Nuk ka më punë për UNMIK-un në Kosovë

Politika

Nuk ka më punë për UNMIK-un në Kosovë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 maj 2018 Në ora: 10:32
UNMIK

Përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ambasadorja Nikki Haley, ka kërkuar nga Këshilli që të ndërpres misionin e UNMIK-ut, i cili po shpenzon miliona euro në Kosovë.

Lidhur me këtë, se a duhet të ndërpritet misioni i UNMIK-ut në Kosovë, avokatë dhe njohës të çështjeve juridike kanë dhënë vlerësimet e tyre.

UNMIK-u nuk është funksional

Avokati i njohur Tomë Gashi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se faktikisht misioni i UNMIK-ut nuk është funksional, i ndonjë rëndësie të veçantë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Image
Tomë Gashi

“Misioni i UNMIK-ut në Kosovë faktikisht nuk është funksional në kuptimin e ndonjë rëndësie të posaçme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me 2008. Dhe ai mision aq i rëndësishëm i OKB-së e ka kryer misionin e vet për 9 vite të ekzistimit funksional në Kosovë”, është shprehur ai.

Gashi vlerëson se UNMIK-u nuk ka qenë mision perfekt, por ka qenë më i suksesshëm se misioni i EULEX-it në Kosovë.

“Dhe sado që kritikojmë misionin e UNMIK-ut, duket haptas se ka qenë një mision larg misionit perfekt, por më i suksesshëm se misioni i EULEX-it, më shumë punë ka bërë UNMIK-u për periudhën e tij të sundimit në Kosovë se sa që ka bërë misioni i EULEX-it për 10 vite sa ishte këtu dhe duhet ditur se UNMIK-u ishte këtu menjëherë pas luftës kur gjendja ishte tepër kaotike, se sa misioni i EULEX-it kur ky mision erdhi 9 vite pas lufte dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ku gjendja ishte pakrahasueshëm më e mirë në çdo sferë, se sa që ishte në 1999”, ka vlerësuar avokati.

Sipsa tij, ky mision duhet ta përfundojë mandatin e tij në Kosovë për arsyet që ka cekur dhe ambasadorja e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Por, sido që të jetë besoi se është koha që misioni i UNMIK-ut të përfundojë në Kosovë, në t’i falënderoheni OKB-së apo UNMIK-ut për punët e mira dhe më pak të mira të kryera në Kosovë, duhet të përkujtojmë se policia e UNMIK-ut ka vrarë edhe protestues paqësor të Lëvizjes Vetëvendosje me 2007 dhe ka bërë edhe gabime tjera të pajustifikueshme dhe të pafalshme. Dhe përfundimisht duhet të përfundojë misioni i UNMIK-ut në Kosovë, për arsyet të cilat shumë mirë i ka theksuar ambasadorja e SHBA-së në OKB”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi.

Të shpallet joekzistente rezoluta 1244

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, me shpalljen e pavarësisë, Kosova ka filluar të ndërtohet dhe se UNMIK-u duhet të përfundojë mandatin e tij këtu.

“Natyrisht që për mendimin tim në kohën kur Kosova ka shpallur pavarësinë, ka filluar të ndërtohet shtetësia e Kosovës, me ndihmën e Unionit Evropian dhe shteteve tjera, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pastaj nga përcaktimet e tilla politike, ka qenë e përcaktuar një periudhë kohore 3 vjeçare sa i përket jetës së UNMIK-ut në Kosovë. Mendoj se ka kaluar koha dhe është një deklaratë dhe kërkesë e ambasadores së SHBA në Këshill të Sigurimit, që duhet UNMIK-u të përfundojë këtu misionin e vet, të tërhiqet prapa”, ka theksuar ai.

Sipas Kelmendit, Këshilli i Sigurimit duhet të shpallë joekzistente rezolutën 1244, pasi edhe shpenzohen mjete të mëdha por edhe i shërben Serbisë kundër Kosovës dhe është pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës.

“Këshilli i Sigurimit të shpallë inekzistente Rezolutën 1244, e cila e ka kryer punën e vet, ka kryer detyrat e veta dhe në kohë të caktuar të këtij shteti, por që sipas mendimit tim është pengesë e mëtejshme në drejtim të demokratizimit të çështjes së Kosovës, për faktin se mjetet e mëdha që shpenzohen përmes këtij misioni, i cili për vite të tëra, asnjë punë nuk e kryen në Kosovë dhe në anën tjetër i shërben shumë zyrtarëve të Beogradit, në luftë kundër Kosovës me rezolutën 1244 dhe me misionin e tillë, që sipas kësaj rezolute Kosovë është krahinë e Serbisë, do të thotë paraqet pengesë për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës dhe për integrimet euroatlantike të saj”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”.

Ky mision e ka përfunduar mandatin e vet me 2008

Image
Blerim Burjani

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve juridike në vend, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ky mision e ka përfunduar mandatin me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Ky mision e ka përfunduar mandatin e vet me 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, është e tepërt raportimi i KS për gjëra të cilat ky mision de-fakto nuk funksionon më në Kosovë, vetëm KFOR është aktiv bazuar me Rezolutën 1244. SHBA dhe shtetet mike të Kosovës do të duhej të ndalnin përfundimisht këtë raport në KS të panevojshëm, dhe të gjitha shtete e OKB-së, përfshirë edhe KS duhet të angazhohen për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që edhe përfundimisht të rrumbullakohet çështja e Kosovës”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat