Blakaj: Pjesëmarrja e Uashingtonit në dialog, lajm i mirë për Kosovën

Politika

Blakaj: Pjesëmarrja e Uashingtonit në dialog, lajm i mirë për Kosovën

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 maj 2018 Në ora: 20:44
Foto nga arkivi të bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë

Njohësi i çështjeve për Integrime Evropiane, Sami Blakaj ka thënë për “Bota sot” se ndonëse Uashingtoni zyrtar nuk është pjesë aktive e negociatave në Bruksel,  procesi i dialogut ka qenë gjithmonë nën vëzhgimin e politikës amerikane.

Image
Sami Blakaj

“Megjithatë deklarimet e fundit të Ambasadorit amerikan Delaëie, se dialogu final Kosovë-Serbi do të fillojë shumë shpejt, na japin të kuptojmë se SHBA nuk do të rri duarkryq, por se do të jetë më aktive karshi fazës finale të bisedimeve Kosovë-Serbi”, ka deklaruar ai.

Për më tepër, ai ka shtuar se përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së në dialog do të ishte një garanci shtesë për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pjesëmarrja efektive e Uashingtonit në këtë fazë të dialogut është një lajm i mirë për Kosovën. Përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së në këtë proces do përshpejtonte dinamikën e punës së dialogut si dhe do të ishte një garanci shtesë për arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Blakaj.

Për me tepër, ai ka shtuar se dëmet që mund t`i shkaktojë vendit në këtë fazë të dialogut, mund të jetë themelimit të Asociacionit të komunave serbe, por sipas tij, nuk duhet që t`i lejohet një gjë e tillë.

“Ndërsa lidhur me dëmet që mund ti vijnë Kosovës në këtë fazë të dialogut, mendoj se janë dëme që i referohen pikërisht themelimit të Asociacionit të komunave serbe.  Këtu pala kosovare duhet të jetë e qartë dhe e pa kompromis, kur bëhet fjalë për formimin e asociacionit në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formojë një nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë duke cenuar kështu funksionimin unitar juridik të Kosovës”, ka përfunduar Blakaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat