Deputeti i LDK-së: Ka kaluar koha kur Haliti me shokë kanë kërcënuar dikë në LDK

Politika

Deputeti i LDK-së: Ka kaluar koha kur Haliti me shokë kanë kërcënuar dikë në LDK

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 maj 2018 Në ora: 14:40
Pamje nga përleshja në mes Halitit dhe Gashit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Haxhi Avdyli, njëherit edhe kryetari i degës së LDK-së në Prizren, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se sulmi i djeshëm në Kuvend ndaj deputetit Arben Gashi tregon edhe një herë mendësinë e tyre të rrezikshme.

Avdyli thotë se ka kaluar koha që Haliti dhe shokët e tij e kanë frikësuar dikë në LDK.

Image
Haxhi Avdyli

“Xhavit Haliti, si nënkryetar i Kuvendit, si një person me një moshë aq të pjekur, bën sjellje fëmijërore, për këtë nuk kam koment. Sulmi i tij tregon edhe një herë atë mendësinë e vet që këta persona janë dhe kanë qenë të rrezikshëm. Tek e fundit, e ka sulmuar dhe prapë po fshihet, kinse nga ajo që ka qenë duke u rrëzuar. Kjo tregon që këta njerëz gjithmonë janë fshehur nga aktet e veta kriminale të cilat i kanë bërë”.

“Mendoj se Kuvendi nuk duhet bërë arenë për t’i qëruar hesapet, sepse aty jemi për diçka tjetër. Ne jemi aty për të diskutuar dhe për t’u ballafaquar, por jo edhe për të qëruar hesapet. Ne si LDK nuk i frikësohemi askujt, nuk e kemi as në plan t’i frikësohemi. Ka kaluar koha që Xhavit Haliti dhe shokët e tij e kanë frikësuar dikë në LDK. Ka kaluar koha, pasi që tani është një gjeneratë e re dhe nuk e ka në plan t’i frikësohet askujt, as Xhavit Halitit dhe as shokëve të tij”, është shprehur deputeti Avdyli.

Tutje, deputeti i LDK-së thotë se nuk do të lejojnë nëpërkëmbjen e asnjë deputeti, pasi që, sipas tij, ka kaluar ajo kohë kur me frikësime, e me vrasje kanë arritur për të frikësuar dikë.

“Ne jemi aty për diçka tjetër, jemi për ligje, jemi për diskutime, jemi për iniciativa ligjore, por nuk do të lejojmë nëpërkëmbjen e asnjë deputeti sepse ka kaluar ajo koha kur këta me frikësime e me vrasje kanë arritur për të frikësuar dikë”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat