Me votimin e demarkacionit me Malin e Zi, një tjetër kusht mbeti për liberalizimin e vizave për Kosovën. Është luftimi i krimit dhe korrupsionit. Por sipas kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, çështje e liberalizimit të vizave është çështje javësh.
Lidhur me këtë, drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se javët si premtime për liberalizimin e vizave janë që nga viti 2010, duke shtuar se koha për këtë varet nga vullneti politik dhe procedurat e BE-së.
“Kryeministri dhe politikanët tjerë me deklarata të tilla nuk thonë diçka të pavërtetë, ato javë për qytetarët e Kosovës po vazhdojnë prej vitit 2010 e këtej. Jemi të vetëdijshëm që për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës koha është çështje e vullnetit politik dhe e procedurave të brendshme të BE-së”, është shprehur ai.
Sipas Dakut, nga përvoja e vendeve tjera në këtë proces, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin të lirë në fund të këtij viti ose fillimit të vitit që vjen.
“Nga përvoja e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor kemi parë se prej propozimit të Komisionit Evropian e deri te miratimi i tij në Parlament Evropian dhe Këshill procedurat marrin kohë rreth pesë (5) muaj. Kjo nënkupton që qytetarët e Kosovës lëvizjen pa viza mund të e gëzojnë kah fundi i vitit 2018 ose fillimi i vitit 2019”, ka deklaruar Selim Daku për “Bota sot”.