Profesori ndërkombëtar jep alarmin: Evropa po zvogëlohet, Shqipëria drejt një rruge pa krye

Politika

Profesori ndërkombëtar jep alarmin: Evropa po zvogëlohet, Shqipëria drejt një rruge pa krye

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 18 maj 2018 Në ora: 13:02
Enver Bytyçi

Drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se është kundër idesë së "Shqipërisë së Madhe".

“Nuk është hera e parë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bën retorikë politike e "patriotike" ose "jopatriotike" me çështjen e ndjeshme të bashkimit të shqiptarëve. Kur i duhet bën spektakle "patriotike" për bashkim kombëtar, ndonjëherë tjetër "kërcënon" europianët se "Po qe se nuk na pranoni, ne do t'i bashkojmë shqiptarët në një shtet dhe do të krijojmë "Shqipërinë e Madhe"! Nganjëherë e lidh "Shqipërinë e Madhe" me "Europën e Madhe"! Lojë fjalësh në gojën e një kryeministri që di të artikulojë fjalë, fjali e fraza sipas interesit të tij personal e të pushtetit të tij, por që nuk di e nuk do të bëjë asnjë punë të hajrit”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur skeptik pasi që pas daljes së Britanisë së Madhe, Europa po zvogëlohet dhe se nuk zëvendësohet  me vende të Ballkanit.

“Unë jam skeptik jo vetëm për atë që quhet "Shqipëri e Madhe", por edhe për atë që kryeministri i vendit tim e quan "Europa e Madhe"! Europa po zvogëlohet. Edhe nëse Ballkani Perëndimor integrohet në këtë lloj Europe, dalja e Britanisë së Madhe nuk zëvendësohet me nja tre ose katër Ballkanë! Le mos të flasim për tendencat e disa vendeve për të dalë nga BE dhe zvogëluar edhe më tepër atë. Ose për konfliktet e brendshme në vendet e mëdha të BE-së. Kryeministri spanjoll refuzoi Samitin e Sofjes. Ka ndodhur kjo për herë të parë në historinë e BE-së. Kurrë një lider europian nuk ka refuzuar samitet e saj për arsye politike si kësaj herë kryeministri spanjoll”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Më tutje, ka shtuar se nëse Shqipërisë nuk i hapen negociatat, Rama do të thotë se "Europa po zvogëlohet".

“Një Europë, e cila nuk bëhet bashkë për t'i dhënë kontinentit më shumë stabilitet, paqe e siguri, siç duhej të ndodhte me Kosovën, kjo Europë është e destinuar të zvogëlohet, jo të zmadhohet. Ndërkaq kryeministri ynë flet për Europë të Madhe! Thjesht retorikë, thjesht një lloj servilizmi tipik hoxhian për të përfituar një çokë politike me hapjen e negociatave. Nëse nuk hapen negociatat do të shihni se çdo të thotë. Do të thotë se "Europa po zvogëlohet"! Se "Shqiptarët do të bashkohen në një shtet të madh"! Se Europën "do ta kërcënojnë faktorë të tretë" ose se atë "do ta kërcënojë ekstremizmi fetar islamik shqiptar"! Lloj-lloj formulash ka artikuluar deri më sot! Prandaj ka krijuar gjithë këtë amulli e paqartësi dhe po e çon Shqipërinë drejt një rruge pa krye.  Në vend të luftojë krimin e organizuar dhe kriminelët në qeveri, kryeministri i vendit tim merret, si dikur Enver Hoxha, me performancën globale të tij prej "lideri" paneuropian! Mentalitet bllokmenësh!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat