Koalicion LDK-VV në horizont, fundi i koalicioneve për interesa personale

Politika

Koalicion LDK-VV në horizont, fundi i koalicioneve për interesa personale

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 maj 2018 Në ora: 19:50
Foto ilustrim

Nga opozita kanë filluar tashmë paralajmërimet se do të bëhen bashkë për ta çuar qeverinë PAN-në në opozitë.

Përkundër se një bashkim mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje duket si i vështirë, nuk duket edhe si i pamundur. Kështu të paktën shprehen deputet e këtyre subjekteve.

Se është i mundshëm një koalicion mes LDK-së dhe VV-së, i pari që e tha një gjë të tillë ishte deputeti më i zëshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.

Glauk Konjufca, kishte lënë të hapur mundësinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjeve të reja. 

“Nëse Vetëvendosje del e para do të ia bënim si në vitin 2017 që shkuam te LDK-ja, i bëmë ftesë LDK-së”, ka thënë ndër tjerash Konjufca.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës mendojnë edhe pse herët për të vendosur, janë të hapur të bashkëpunojnë, sikurse që thonë se po bashkëpunojmë në tryeza me subjektet politike. Edhe deputetja e Lëvizja Vetëvendosje shprehet pro një koalicioni të tillë. Sipas saj, Kosova ka nevojë për një ndërrim pozitiv, e ketë mund ta sjell vetëm ky koalicion.

Ndërsa, në një linjë të tillë nuk qëndron edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Ramush Tahiri konsideron se një koalicion mes LDK-së dhe VV-së, do të varet shumë nga rezultati që këto dy parti do të fitojnë në zgjedhje.

Veliu: LDK e gatshme të bashkëpunojë

Image
Agim Veliu

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se mund të bashkëpunojnë edhe me Lëvizjen Vetëvendosje kur të është në interes vendi.

“Ne mund të bashkëpunojmë, sikurse që po bashkëpunojmë në tryezën me subjektet politike. Kur janë në interes për vendin, nëse kemi interes të përbashkët, nëse është në interes për vendin ne edhe mund të bashkëpunojmë”, është shprehur Veliu.

Nënkryetari i LDK-së thotë se do t’i japin përparësi gjetjes se një konsensusi, e nëse nuk e arrijnë këtë me tryeza, atëherë do të përdorin mundësi të tjera.

“Ne jemi deklaruar shumë hapur se do t’i japim përparësi gjetjes se një konsensusi, por nëse nuk arrijmë me tryeza, atëherë ne do t’i futemi një bashkëpunimi tjetër, me subjekte politike për ta rrëzuar këtë qeveri”, përfundoi nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, për gazetën “Bota sot”.

Vetëvendosje: Ky koalicion i nevojshëm

Image
Drita Millaku

Edhe deputetja tjetër e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka lënë të hapur një mundësi të tillë.

Millaku në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se Kosova ka nevojë për një ndërrim pozitivë, e ketë, sipas saj, mund ta sjell vetëm koalicioni VV-LDK.

“Ky koalicion është realisht i nevojshëm pasi qe edhe Lëvizja Vetëvendosje e edhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë opozitë dhe Kosova ka nevojë për një ndërrim pozitiv, e ketë mund ta sjell vetëm ky koalicion”, është shprehur deputetja e VV-së.

Millaku thotë se PDK-ja ka konsumuar pushtetin në formën më të keqe të mundshme. Sipas deputetes së VV-së dalja e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë do t’i kontribuonte vendit.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka konsumuar pushtetin në formën më të keqe të mundshme dhe dalja e saj në opozitë do t’i kontribuonte Kosovës dhe do të ishte e shëndetshme edhe për PDK-në, pra do t’i jepte shans që të reformohej”, tha Millaku.

Në fund, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje shprehet se efektet e këtij koalicioni do të vëreheshin që në fillesat e saj.

“Lëvizja Vetëvendosje është parti që ka potencial dhe do t’i jepte vlera dhe cilësi qeverisjes. Efektet e koalicionit VV dhe LDK, do të vërehen që në fillim për arsye se ka potencial real në inicimin dhe realizimin e reformave pozitive dhe qasjes ndryshe ndaj qeverisjes në  përgjithësi. Njëherë e përgjithmonë duhet t’i jepet fund koalicioneve për interesa personale”, tha në fund deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

“Varet nga zgjedhjet”

Image
Ramush Tahiri

Ndërsa, analisti politik, Ramush Tahiri, thotë për gazetën “Bota sot”, se një koalicion mes LDK-së dhe VV-së, do të varet nga rezultati që do të fitojnë në zgjedhje.

Tutje, ai përmend edhe deklarimet e zyrtarëve të LDK-së të bëra më parë, se Vetëvendosje duhet t’i kërkojë falje  për  veprimet e mëparshme ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa.

“Varet prej rezultatit që fitojnë në zgjedhje dhe gjithashtu varet sa kane afërsi ideologjike dhe programore. Në LDK kanë deklaruar se VV duhet të kërkojë falje për akuzat që ia kishte bërë më herët LDK -së dhe për veprimet e dhunshme ndaj ish-kryeministrit Mustafa”, është shprehur.

Në fund, Tahiri është shprehur skeptik për një koalicion parazgjedhor ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë nuk mendojë se do të ketë koalicion parazgjedhor ndërmjet partive më të mëdha”, ka përfunduar analisti politik, Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se tashmë edhe zyrtarisht subjektet politike janë duke organizuar tryeza, për të diskutuar çështje të ndryshme,  siç është themelimi i ushtrisë, dialogu me Serbinë, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e çështje të tjera, por e vetmja për të cilën përfaqësuesit e partive thanë se janë pajtuar, ishte vazhdimi i tryezave të tilla.

Ndërkohë, Lista Serbe muaj më parë kishte marrë vendim të dalë nga Qeveria e Kosovës dhe tani qeveria Haradinaj ka mbetur me “qeveri të pakicës”, por pavarësisht kësaj ai është shprehur i sigurt se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, opozita shprehet me ambicie të mëdha për rrëzimin e Qeverisë PAN.

Dihet se qeveria aktuale e cila është udhëhiqet nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë për Kosovës, Ramush Haradinaj është duke e drejtuar vendin me vetëm 52 vota, ky zvogëlim në numër erdhi pas largimit të Listës Serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat