Plani B i LDK-së për zgjedhjet, nëse tryezat nuk funksionojnë

Politika

Plani B i LDK-së për zgjedhjet, nëse tryezat nuk funksionojnë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 maj 2018 Në ora: 08:04
Mbledhje e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, është duke pritur rezultatin e tryezave të diskutimit për çështjet e mëdha, në mënyrë që të vendosë lidhur me hapat që do të ndërmarrë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Kështu ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, Bajram Gecaj zyrtar i kësaj partie. Sipas Gecajt, edhe vet qëllimi i tryezave është caktimi i datës së zgjedhjeve, meqë qeveria aktuale nuk i sjellë asnjë të mirë vendit.

Ka një kohë të gjatë që Lidhja Demokratike e Kosovës, po kërkon caktimin e datës së zgjedhjeve. Megjithatë, përveç kërkesave në mënyrë verbale nëpër medie të ndryshme, ky subjekt politik ende nuk ka ndërmarr ndonjë hap konkret që do të qonte në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Image
Bajram Gecaj

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ditë më parë, ka ripërsëritur qëndrimin e tij dhe të LDK-së se Qeveria nuk ka legjitimitet, duke hedhur kështu një varg akuzash ndaj Haradinajt. Hoti mes tjerash ka thënë se i ka thirrur tryezat e partive për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zyrtari i kësaj partie, Bajram Gecaj, ka konfirmuar  se arsyeja kryesore e këtyre tryezave, ishte që nga fillimi marrëveshja e subjekteve politike, për zgjedhjet.

“Duhet të kemi parasysh se kjo qeveri tanimë ka humbur legjitimitetin e nevojshëm. Nëse një marrëveshje nuk do të mund të arrihet, atëherë strukturat e LDK-së do të mblidhen dhe do të vendosin për hapat e mëtutjeshëm. Kjo qeveri nuk i sjell asnjë të mirë këtij vendi, prandaj duhet të shkojë sa më parë”, ka thënë Gecaj.

LDK duhet të konsolidohet nga brenda

Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike, kanë vlerësuar se Qeverisja Haradinaj, vërtet ka dobësi dhe është një ndër qeverisjet më të dobëta të këtij legjislacioni.

Megjithatë, ata konsiderojnë se LDK nuk e ka shumë seriozisht me kërkesën e saj për zgjedhje.

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se mungesa në veprimtaritë partiake për shkaqe shëndetësore e Isa Mustafës e ka hendikepuar LDK-në, sepse bëhet fjalë për kohën dhe rrethanat më të ndjeshme politike për Kosovën që po kalon çaste të rënda institucionale!

“LDK, që është subjekti më i fuqishëm demokratik e që padrejtësisht ndodhet në opozitë, ka arsye që të mos pajtohet me gjendjen dhe duke akuzuar qeverinë Haradinaj, të pretendoj të merr pushtetin. Mundësia e vetme janë zgjedhjet, të cilat po i kërkon LDK-ja, edhe pse, unë mendoj se, nuk e ka shumë seriozisht, sepse dyshoj që është plotësisht e gatshme për të hy në zgjedhje! LDK-ja ende nuk i ka realizuar disa objektiva partiake për konsolidimin e brendshëm dhe reformën partiake e cila është deklaruar por nuk është realizuar”, ka thënë Zogaj.

Ai konsideron se LDK-ja duhet ta kuptoj seriozisht faktin se nuk i funksionon pothuajse asnjë degë, sepse udhëheqjet e Degëve kanë degjeneruar duke rënë në duar të disa halabakëve interesgjinj, injorantë dhe anti-LDK-istë që degët i kanë shndërruar në “kotece pularie”.

“Ngritjet e zërit të Avdullah Hotit janë përpjekje të mira për të zgjuar vullnetet e fjetura të anëtarësisë së gjerë, që është me potenciale të mëdha mirëpo që duhet të riorganizohen në riaktivizimin e plotë piramidal. Kjo duhet të bëhet që LDK-ja të shkojë fitimtare në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Zogaj.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Kjo qeveri ndihet komode pas votimit të demarkacionit

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, ka thënë se tryezat politike, janë të kota dhe para institucionale, pasi sipas tij, janë institucionet ku duhet folur haptas, por edhe duhet insistuar haptas për ndryshime të mëdha politike dhe qeverisëse.

“Nuk e besoj se kjo ndodhë me tryeza, as data e zgjedhjeve nuk do të ndodhë pa marrëveshje, sepse  kjo qeveri ndihet komode pas votimit të demarkacionit që LDK e shpërbleu pa asnjë kusht këtë qeveri. Tani po presin dhe presin që LDK të jap vota për interesa të mëdha madhore, edhe pse LDK kishte gabuar rëndë politikisht ku pa asnjë kusht kishte votuar demarkacioni, e LDK-në pikërisht për demarkacion e kanë rrëzuar nga pushteti”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, tani nuk ka gjasa fare që të shkohet në zgjedhje të paktën jo këtë vit, pasi duhet të këtë përkrahje edhe prej deputetëve të PDK-së për të rrëzuar së paku 6-7 deputet të PDK-së.

“Tani duhet të përkrahin idenë e opozitës për të rrëzuar këtë qeveri të rrëzuar, të pa aftë dhe  analfabetike. Megjithatë PDK-ja po i mban të tillët, sepse po i duhet që ti ruaj interesat e biznesit dhe kontrollit publik, pasi dihet shumë mirë se deri më tani i ka ruajtur shumë mirë interesat nëpër borde dhe kudo”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.

Image
Ali Hertica

Tryezat, humbje kohe

 Kurse, analisti politik Ali Hertica, ka thënë se Qeverisja Haradinaj, vërtet ka dobësi  dhe është një ndër qeverisjet më të dobëta.

“Mund të thuhet, se është qeverisje e punësimit, kur dihet se është një vend i familjarizimit për punësim. E gjithë kjo që është evidente, pasi Qeverisja Haradinaj është një qeverisje e pa shpresë dhe pa dhënë deri më tani asnjë rezultat për ta shtyrë procese përpara drejt integrimit dhe zhvillimit ekonomik, duke e zbutur varfërinë ekstreme të qytetareve të Kosovës. Andaj thirrja e takimeve të subjekteve politike, që të debatojnë rreth një tryezë është vetëm humbje kohe, sepse pozita e ka numrin që është në qeverisje me koalicionin, kurse opozita nuk ka numra të mjaftueshëm për ta thirrur mocionin e mosbesimit për ta rrëzuar qeverisjen Haradinaj”, ka thënë Hertica.

Ai ka vlerësuar, se tryeza e cila po thirret nga subjektet politike, është vetëm mashtrim i koalicionet që të mbaj peng opozitën, duke e provuar sa ka forcë për rrëzim të qeverisë Haradinaj dhe asgjë më shumë.

“Opozita tani është shumë e pa forcë dhe dembele për këtë proces të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse tani me dy taborre opozita qëndron shumë e dobësuar në këtë drejtim për të thirrur mocionin të besimit Haradinaj. Koha po ec, e qytetari po vuan nga e gjithë kjo kohë e cila njëherësh edhe po sjell degradim tërësisht qytetareve  të përvuajtur nga kjo kastë politike e cila duhet të jap llogari qytetarëve dhe atyre që i dhanë votën”, ka thënë analisti politik Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat