Zhdukja e mistershme e Behajdin Allaqit nën domenin e Speciales

Politika

Zhdukja e mistershme e Behajdin Allaqit nën domenin e Speciales

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 maj 2018 Në ora: 23:10
Behajdin Allaqi, selia e Gjykatës Speciale

Një mister mbi misteret e luftës, mund të konsiderohet edhe zhdukja pa gjurmë e Behajdin Allaqit, i cili ishte një ndër udhëheqësit kryesor të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Me një vendim të LPK-së, Allaqi do të duhej të drejtonte krahun e luftës në Kosovë. Por kthimi i tij në atdhe, nuk i kishte dalë sikurse e kishte paramenduar. Me tu kthyer në Kosovë,  në vitin 1998, Allaqi është zhdukur pa gjurmë. Ai nuk ka as varr, ndërsa mbanë epitetin e heroit të kombit, me vendim të institucioneve të Kosovës. Emri i Allaqit nuk bën pjesë as në listën e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.  Ky rast vazhdon të mbetet një enigmë.

Behajdin Allaqi dhe rasti i zhdukjes së tij, është rikthyer si temë diskutimi në vendin tonë.

Deputeti Milaim Zeka, ka thënë se me anë të tri letrave, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci,  kishte akuzuar Presidentin Thaçi për vrasjen e Behajdin Allaqit.

“Ekzistojnë tri letra me nënshkrimin e Ramiz Lladrovcit të vitit 2003, ku ai e akuzon presidentin Thaçi për një vrasje të rëndë të një njeriu, i cili sot është dëshmor në Kosovë. E akuzon për vrasjen e Behadin Allaqit, po e them me emër”, ka thënë Zeka.

Në anën tjetër, Presidenti Thaçi ka zgjedhur heshtjen, duke mos ju përgjigjur akuzave e deklaratave të Milaim Zekës. Mbase, kjo mund të jetë një strategji e Presidentit, për të mos iu përgjigjur çdo njërit që bën akuza ndaj tij, e që nuk janë të pakta.

Deklarata të tilla, ku nuk kursehen as emrat e njerëzve viktima dhe të dyshuarve për këto raste, janë të shpeshta. Të tillat i hasim nëpër deklarime publike e më së shumti në rrjetin social facebook.

Më e keqja është se, këto deklarata nuk janë hetuar gati asnjëherë. Edhe për ato që janë hetuar, nuk është se ka pasur rezultate konkrete. 

Me rastin e zhdukjes së Behajdin Allaqit, shumë shpejt mund të merret Gjykata Speciale, meqë edhe zhdukja apo vrasja e tij enigmatike, korrespondon me rastet që do t`i trajtojë specialja.

Andaj, deklaratat publike, akuzat e kundër akuzat ndërmjet ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të vërtetohen vetëm nga Gjykata Speciale.

Hetime për këtë rast, ka paralajmëruar edhe Prokuroria e Shtetit. Por, ky paralajmërim nuk jep shumë shpresë për zbardhjen e së vërtetës. Kjo, pasi janë shumë “krime politike” që presin në radhë për tu zbardhur nga drejtësia.  Krejt kjo, tregon se sa jo efikase i kemi pasur organet e drejtësisë, të cilat për vite me radhë nuk i kanë zbardhur këto raste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat