Rasti i Behajdin Allaqit trazon komandantët, Prokuroria paralajmëron hetime

Politika

Rasti i Behajdin Allaqit trazon komandantët, Prokuroria paralajmëron hetime

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 16 maj 2018 Në ora: 20:34

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës paralajmëron se do të nis hetimet ndaj deklaratave të deputetit Miliam Zeka, i cili ka thënë se kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka akuzuar Thaçin për vrasjen e Behajdin Allaqit. Zyrtarët nga ky institucion i kanë thënë gazetës “Bota sot” se do t’i nisin hetimet ndaj të gjithë të apostrofuarve.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook ka publikuar disa foto me një shkrim sipër për të informuar qytetarët për dekorimin e gjeneralit amerikan, Wesley Clark, i cili gjendet në vizitë në Kosovë.

Por, ai nuk ka gjetur kohë për të komentuar fare deklaratat publike të Milaim Zekës, i cili i thotë se Ramiz Lladrovci është propozuar kandidat për kryetar të Drenasit, duke e shantazhuar Thaçin se ai qëndron prapa vrasjes së Behajdin Allaqit.

“Ekzistojnë tri letra me nënshkrimin e Ramiz Lladrovcit të vitit 2003, ku ai e akuzon presidentin Thaçi për një vrasje të rëndë të një njeriu, i cili sot është dëshmor në Kosovë. E akuzon për vrasjen e Behajdin Allaqit, po e them me emër”, është shprehur Zeka në një emision televiziv.

Kurse, në një prononcim për “Bota sot”, deputeti Zeka thotë se ai i posedon këto letra ku përmendet emri i presidentit lidhur me këtë vrasje.

Image
Milaim Zeka

Zeka: Lladrovci e din se unë i kam letrat

Teksa ka komentuar paralajmërimin e Lladrovcit për padi ndaj Zekës lidhur me deklaratat e tij publike, ky i fundit thotë se i posedon letrat e tij përmes të cilave akuzonte presidentin e vendit.

“Unë shumë e mirëpres padinë e tina. Krejt çfarë kam thënë është e vërtetë. Ekzistojnë tri letra dhe ato letra i kam me nënshkrim të Ramiz Lladrovcit. Këtë punë e din edhe Thaçi, e dinë krejt njerëzit. Kjo nuk është asgjë sekret, unë kam folur mbrëmë sepse ka rënë muhabeti”, deklaron  Zeka për “Bota sot”.

Madje, Zeka premton se është i gatshëm që këto letra t’ia jap edhe organeve të drejtësisë.

“Sa i përket Ramizit për padi, unë shumë e mirëpres pas asnjë problem. Në qoftë se unë nuk i jap para gjykatës letrat e tina atëherë unë dha dorëheqje si deputet. Ai e din se unë i kam letrat”, shtoi Zeka.

Nga ana tjetër, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar se do t’i hetojnë këto deklarata publike.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, do t’i ftoj për marrjen në pyetje të gjithë ata që po deklarohen publikisht si dhe të apostrofuarit në lidhje me pretendimet për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të prokurorisë.

“Bota sot”, ka dërguar edhe në adresë të institucionit të presidencës për të marr një qëndrim lidhur me çështjen në fjalë, por edhe aty askush nuk është përgjigjur.

Image
Ramiz Lladrovci

Lladrovci paralajmëron padi ndaj Zekës

Nga ana tjetër, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka paralajmëruar se do të padis deputetin Zeka për siç ka thënë ai “shpifje”.

“Milaim Zeka, ti je një rrenc dhe për shpifjet tua do të ushtroj padi!”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Më tej Lladrovci, i ka bërë thirrje publike Zekës që të bëj publike letrat për të cilat po pretendon.

“Nuk po i publikoni ato që pretendoni, sepse nuk ekzistojnë, as çanta, as incizime as letra denoncuese. Nuk ekzistojnë, ato janë pjesë e imagjinatës tuaj të sëmurë, të metodës shpif, shpif se diçka mbetet. Pse nuk i publikuat deri tash për ato që pretendoni se ekzistojnë, dhe pretendoni të implikoni emrin tim, familjes time dhe udhëheqësit e shtetit”, ka shkruar me tej Lladrovci.

“Milaim Zeka, të kam thënë edhe më herët, ti je një rrenc, je një shpifës. Ti e ndot ambientin e demokracisë me përrallat tua të sëmura që vetëm udbasht dinë t’i përgatisin e promovojnë.

Habitem nga mediat që të japin hapësirë për ta ndotë ambientin me shpifjet tua. Deri kur gazetarucat dhe ish-udbasht do të vazhdojnë punën e dreqit”, përfundon reagimi i Lladrovcit.

Image
Liburn Aliu

Aliu i kërkon Thaçit të flas lidhur me vrasjen e Allaqit

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se është mirë presidenti të jap një sqarim se çfarë din për vrasjen e Allaqit.

“Unë nuk e di se çfarë din Lladrovci edhe çfarë din Milaim Zeka. Nuk mund të them saktë, por unë mendoj se duhet të zbardhet rasti nga Prokuroria se si është vrarë, Behajdin Allaqi. Në vitin 98 është zhdukur, dihet se ka mbërri në fshatin Drenovc dhe ka qenë në kontakt me Hashim Thaçin. Pra Thaçi lë të tregon se ku ka shkuar pastaj”, thotë Aliu për “Bota sot”.

Një pyetje të tillë Aliu ia kishte bërë Thaçit edhe në seancën e Kuvendit.

“Në momentin kur u vra Behajdin Hallaqi, Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së. Ai u shpall hero por nuk i dihet varri. Thuhet se ai ishte nisur nga Drenovci me Hashim Thaçin. Nuk po kërkoj asgjë më shumë se një sqarim nga ai dhe kështu sqarohen shumë gjëra”, e kishte pyetur Aliu Thaçin.

Aliu ka komentuar edhe këtë pyetje që e kishte bërë në kuvend.

“Unë i kam kërkuar pyetje Hashim Thaçit për të na dhënë një përgjigje për të na treguar se çfarë ka ndodhur me Behajdin Allaqin. Mendoj që është dashur të bëhet publike se çfarë ka ndodhur aty. As unë nuk e di, por nëse është çështje që duhet të jepet përgjigje, duhet të jepet një përgjigje”, shtoi Aliu.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi thotë se Prokuroria e ka për detyrë të hetojë akuzat për vrasjen e Allaqit

Përderisa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk është deklaruar për “Botën sot”, se çfarë do të bëj me akuzat e kundër akuzat ndërmjet Lladrovcit dhe Zekës, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, thotë se ky institucion obligohet ligjërisht të nis hetime.

“Në aspektin juridik është e kuptueshme që një person, i cili del në televizion apo një mediumi tjetër elektronik apo të shkruar, madje edhe ato që fliten në rrugë, Prokuroria ka për detyrë menjëherë t’i marr ato akuza, ti kristalizojë të dhënat e tilla. Për këtë është Prokuroria”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

“Pra, organet e drejtësisë e kanë për detyrë, pikërisht që t’i marrin ato të dhëna, t’i hetojnë, t’i sistematizojnë, të shohin rrjedhat e tyre dhe qëllimet e tyre, të shohin se deri kur ka shkuar dhe mbi bazën e tillë të fillojnë organet hetimet”, deklaroi më tej ai.

Edhe Kelmendi thotë se ka dëgjuar akuza të shumta lidhur me zhdukjen misterioze të Allaqit.

“Unë nuk e di se si është vrarë. Flitet shumë çka se jo ky jo ai. Pra flitet, përmenden emra të ndryshëm duke filluar nga Thaçi. Mirëpo natyrisht që i takon Prokurorisë Speciale, policisë së Kosovës dhe organeve të tjera hetuese që të merren me rastin e tillë dhe me të dhëna të tilla, të marrin Milaimin në pyetje, të marrin Ramizin në pyetje dhe të konstatojnë gjendjen që me të vërtetë ku i kanë marrë këto të dhëna”, shtoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat