Tanja Fajon jep sinjalin pozitiv për vizat - Bota Sot
Tanja Fajon jep sinjalin pozitiv për vizat

Politika

E enjte, 16 gusht 2018

Tanja Fajon jep sinjalin pozitiv për vizat

Naile Eupi Nga Naile Eupi Më 16 maj 2018 Në ora: 12:48
Tanja Fajon

“Deklarata është pozitive dhe në drejtimin e duhur. Sa i përket datës ajo është në duart e institucioneve të BE-së, por ne shpresojmë se dinamika e përcjellë është pozitive. Më me rëndësi se kujt i shkojnë meritat është që fundi i vitit t’i gjejë qytetarët e Kosovës me mundësitë e lëvizjes së lirë nëpër vendet evropiane”, pohon zëvendësministri Anton Berisha.

Janë përmbushur kriteret e fundit për liberalizim të vizave, sipas raportueses për Kosovën, Tanja Fajon.

Këto deklarata Fajon i ka bërë në takimin e mbajtur në Bruksel me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Patëm një takim me zëvendësministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj dhe një diskutim një orë e gjysmë të situatën në Kosovë. Ne ramë dakord që heqja e vizave për njerëzit në Kosovë është një qëllim i përbashkët, pasi vendi ka përmbushur kushtet e fundit”, ka deklaruar Fajon.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare e konsiderojnë pozitive deklaratën e Fajon, gjersa shtojnë se liberalizimi i vizave nuk mund të funksionalizohet gjatë vitit 2018.

Image
Anton Berisha

Berisha: Data në duart e BE-së

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, thotë se është pozitive dhe në drejtim të duhur, kjo deklaratë e raportueses Tanja Fajon.

Data e liberalizimit të vizave, sipas Berishës, mbetet në duart e institucioneve të BE-së, gjersa shton se meritat për këtë nuk kanë rëndësi.

“Deklarata është pozitive dhe në drejtimin e duhur. Sa i përket datës ajo është në duart e institucioneve të BE-së, por ne shpresojmë se dinamika e përcjellë është pozitive. Më me rëndësi se kujt i shkojnë meritat është që fundi i vitit t’i gjejë qytetarët e Kosovës me mundësitë e lëvizjes së lirë nëpër vendet evropiane”, pohon Berisha.

Pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës, kriter tjetër për liberalizim të vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zyrtarë të Qeverisë, kishin deklaruar se është duke u dëshmuar se Kosova ka rezultate konkrete që tregojnë për luftimin e korrupsionit. Kurse, politologu Mentor Tahiri, thotë se duhet vlerësim adekuat nga autoritetet përkatëse të BE-së për këtë.

Image
Mentor Tahiri

Tahiri: Dinamika e deritashme nuk është premtuese

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, sipas Tahirit, varet nga dy aspekte, ndërsa ai shton se dinamika e deritanishme nuk është shumë premtuese, se liberalizimi mund të funksionalizohet gjatë vitit 2018.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës aktualisht varet nga dy aspekte. I pari është një vlerësim adekuat nga autoritetet përkatëse të BE-së se Kosova ka përmbushur kritere të nevojshme drejt luftimi të korrupsionit dhe krimit. Megjithatë nuk duhet nënvlerësuar as aspektin e dytë, e që janë çështje procedurale të cilat dinë të pësojnë edhe nga vonesa burokratike në vendimmarrje. Gjithsesi, institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë se ato janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe performanca e tyre analizohet me mjaft kujdes nga BE. Dinamika e deritanishme nuk është shumë premtuese, sa i përket liberalizimit të vizave diçka e tillë nuk do të mund të funksionalizohet gjatë vitit 2018”, thekson Tahiri.

Në fund të muajit prill, në Kosovë kishte qëndruar një delegacion i Bashkimit Evropian, me ç’rast kanë marrë të dhëna rreth luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ata kanë mbledhur të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Albinot Maloku, shprehet se BE-ja nuk ka qenë edhe më rigoroze ose po aq rigoroze sa ka mundur të jetë për çështje tjera, edhe në çështjen e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsioni.

Image
Albinot Maloku

Maloku: Ende nuk kemi konkretizim të kësaj luftë kundër korrupsionit

Maloku thotë se deklarimet e Fajon janë inkurajuese, por duhet të merren me rezervë që liberalizimi mund të ndodh së shpejti.

 “Deklarimet e Raportueses Tanja Fajon janë mjaft inkurajuese, mirëpo në lidhje momentin se kur mund të ndodh liberalizimi i vizave, kjo ende mbetet për t’u marrë me rezervë që mund të ndodh shpejt. Bashkimi Evropian në raport me Kosovën deri më tani nuk ka pasur asnjë konkretizim, veç kushteve nga më të ndryshmet. Gjithsesi lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar paraqet kushtin më të mirë që ka mundur ta ketë Kosova nga BE, por fatkeqësisht BE nuk ka qenë edhe më rigoroze ose po aq rigoroze sa ka mundur të jetë për çështje tjera. Ende nuk kemi konkretizim të kësaj luftë kundër korrupsionit, për të cilën flitet aq shumë”, nënvizon Maloku.

Shtetasit e Kosovës janë të vetmit që ende kanë nevojë për viza për lëvizjen në zonën Shengen.

Në vitin 2016,  Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që tashmë ka përfunduar dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test