Haradinaj “siguron” mbijetesën në kurriz të shtetësisë së Kosovës

Politika

Haradinaj “siguron” mbijetesën në kurriz të shtetësisë së Kosovës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 16 maj 2018 Në ora: 10:22
Qeveria PANA-Lista serbe

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, po mundohet që me çdo kusht ta mbajë Qeverinë në këmbë, duke bërë kështu edhe veprime të pa menduara mirë dhe që mund të jenë në dëm të shtetësisë së Kosovës. Banorëve të fshatit Brod të Dragashit vetë Haradinaj, ditë më parë u premtoi krijimin e komunës se tyre, duke theksuar se krijimi i komunës se Gores, nuk është humbje për shqiptarët. Deputeti nga radhët e komunitetit goran Adem Hoxha, i cili është pjesë e Listës Serbe,  nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka marrë premtim se komuna e Gores do të krijohet.

Sipas analistëve krejt kjo po bëhet që Qeveria Haradinaj, të arrijë më mbijetojë edhe më gjatë në qeverisje.

Gjatë vizitës në fshatin Brod të Dragashit, Haradinaj kishte theksuar se “krijimi i një komune të re, asaj të Gorës nuk është humbje për shqiptarët kudo që janë as në Opojë, as në Prizren apo diku, përkundrazi u mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë dhe jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

“Kjo është iniciativë e deputetit të nderuar Adem Hoxha, që është deputet goran në parlamentin e Kosovës dhe kam ardhur këtu me propozimin e deputetit që të informohem për gjendjen dhe proceset këtu", tha i Haradinaj.

Kurse, deputeti nga radhët e komunitetit goran Adem Hoxha, e falënderoi kryeministrin për përkrahjen e vazhdueshme.

Gecaj: Votë dhe mbijetesë të qeverisë

Image
Bajram Gecaj

Bajram Gecaj, ish- zëvendësministër në Qeverinë e Isa Mustafës, në një prononcim për “Bota Sot” ka thënë se, Komuna e Gorës është krijesë për votë dhe mbijetesë të qeverisë së dështuar të Ramush Haradinajt!

“Fatkeqësisht për Kosovën dhe për qytetarët e saj, krijimi i pasluftës i komunave të reja ka qenë kryesisht i natyrës së pragmatizmit politik dhe aspak i natyrës funksionale. Derisa komunat e krijuara me Pakon e Ahtisaarit, ishin të imponuara nga domosdoshmëria e arritjes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, krijimi i komunave tjera u bë për interesa meskine të liderëve tanë dhe për vota, në vend se të bëheshin pas një studimi të gjithanshëm dhe kryekëput në interes të qytetarëve dhe shtetit tonë të ri. Për arsye krejtësisht politike dhe elektorale, gjatë mandatit të fundit të tij si kryeministër, Hashim Thaçi kishte miratuar krijimin e gjashtë komunave të reja në kabinetin e tij qeverisës, edhe pse vendimet e tilla i takojnë ekskluzivisht Kuvendit të Republikës së Kosovës. Premtimet e tilla, ashtu si edhe shumë premtime tjera të Hashim Thaçit, i kishte marrë era shpejtë dhe i kishte mbuluar pluhuri në sirtarët e qeverisë. Më 8 maj të këtij viti, Kryeparlamentari Kadri Veseli rrahu gjoks se e kishte “ngritur” për herë të parë flamurin kosovar në shënimin e përvjetorit të ditës së komunitetit goran. Të nesërmen, gjatë një vizite, po në rajonin e Gorës, Kryeministri Haradinaj kishte shprehur vullnetin e tij përkrahës për themelimin e një komune të re të Gorës, dhe këtë pa asnjë analizë paraprake profesionale. Është gjithashtu evidente se Lista Serbe kishte kërkuar në vazhdimësi themelimin e dy komunave të reja, Gorës dhe Prilluzhës”, ka thënë Gecaj.

Çmimi për votën e Adem Hoxhës

Sipas tij, më 21 mars të po këtij viti, deputeti goran Adem Hoxha, kishte ndarë për herë të parë votën e tij nga ajo e Listës Serbe, duke votuar pro ligjit mbi shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, votë kjo pa të cilën nuk do të mund kalonte ky ligj.

“Nëse këto ngjarje vështrohen dhe analizohen me vëmendje, lidhja në mes tyre bëhet pashmangshmërisht e vetëkuptueshme. Vullneti për komunën e re rezulton, pra, të jetë kryekëput me qëllim dhe për “pazare” politike!”, ka theksuar ai.

Gecaj ka potencuar, se përpos Gorës e Prilluzhës, në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal janë të dorëzuara edhe 18 kërkesa tjera të komuniteteve të ndryshme, të cilat kërkojnë themelimin e komunave të reja në vendbanimet e tyre. “Tani, dilema, shumë lehtë e zgjidhshme, është nëse do të duhej të zgjerojmë pushtetin lokal në 58 komuna, apo të presim rezultatin e një analize profesionale dhe bashkëkohore, e cila do të na orientonte drejt shteteve të avancuara demokratike evropiane dhe standardeve të tyre për vetëqeverisjen lokale”, ka thënë Bajram Gecaj për “Bota Sot”.

Kurse, analisti politik Nexhat Haziri, ka shpjeguar se është e vërtetë se vota e deputetit nga komuniteti goran Hoxha lidhet direkt me krijimin e komunës së Gores.

Image
Nexhat Haziri

“Po është e vërtetë, se ky është çmimi që duhet paguar nga ana e qeverisë së Kosovës, konkretisht të kryeministrit Haradinaj për votën e deputetit Hoxha që vije nga minoriteti goran për miratimin e demarkacionit te kufirit me Malin e Zi. Pra, ky është një pazarllëk i kryeministrit në dëm të Kosovës dhe kjo dëshmon për të satën herë se kjo kastë sunduese në Kosovë, është në gjendje të paguajë çfarëdo çmimi në dëm të Kosovës vetëm e vetëm për të siguruar mbijetesën e tyre në pushtet, mbijetesë kjo që ua ofron një lloj imunitetit në raport me ndjekjen nga drejtësia për veprimtarinë e tyre inkriminuese”, ka shpjeguar Haziri.

Edhe një komunë për Asociaiconin

Ai po ashtu ka thënë se me të njëjtin çmim, Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të ketë edhe një komunë më shumë në përbërje të saj, pasi dihet se në rajonin e Gorës funksionojnë sisteme paralele që financohen nga Serbia, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, sporti e të tjera.

“Pra, do të kemi edhe një komunë më shumë që më shumë do të jetë nën autoritetin e Beogradit zyrtar se sa të Prishtinës, siç janë edhe komunat që udhëhiqen nga serbët”, është shprehur Haziri.

Image
Blerim Burjani

Edhe analisti politik Blerim Burjani, ka thënë se Kosova ka një numër të madh komunash. Megjithatë, sipas tij rol vendimtar në mbijetesën e Qeverisë, do të ketë PDK-ja.

 “Kjo qeveri e lodhtë profesionalisht dhe nuk ka kush merret as më ekonomi, e as më arsim, e as më asgjë, tash sa do të mbahet kjo qeveri e dobët e pa frytshme varet shumë nga PDK-ja, sa të donë ajo , derisa të lodhet Kadri Veseli e prish, përndryshe partitë e vogla më shumë pak elektorat në përqindje udhëheqin qeverinë kjo nuk ndodhë kund në botë në asnjë praktikë ndërkombëtare, por për ketë arsye i ka punët keq qytetari i Kosovës”, ka thënë Blerim Burjani për “Bota Sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat