“Uashingtoni e njeh sovranitetin e Izraelit mbi Jerusalemin, shuhen shpresat palestineze”

Politika

“Uashingtoni e njeh sovranitetin e Izraelit mbi Jerusalemin, shuhen shpresat palestineze”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 maj 2018 Në ora: 19:49
SHBA-ja hap Ambasadën e saj në Izrael

Ndonëse SHBA hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Izrael, e cila u zhvendos nga Tel Avivi në Jerusalem, megjithatë hapja e kësaj ambasade po shihet si shumë kontraverse, pasi statusi i Jerusalemit është në qendër të konfliktit në mes të Izraelit dhe Palestinës.Hapja e ambasadës amerikane në Jerusalem ka qenë një çështje mjaft e nxehtë që ka ndarë komunitetin ndërkombëtar.

Duke folur rreth kësaj çështje politologu Mentor Tahiri ka thënë për “Bota sot” se statusi i Jerusalemit është pika më neuralgjike e cila po pamundëson paqen ndërmjet izraelit dhe arabëve palestinezë.

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, qyteti ka rëndësinë e tij historike dhe religjioze për të gjitha fetë abrahamike gjë po e tendosë akoma më shumë armiqësinë e sotme politike.

“Ky fakt po bën të vështirë çfarëdo kompromisi mbi Jerusalemin, i cili sikur të arrihej do të mundësonte një përkufizim të qartë dhe ndërkombëtarësh të pranuar ndërmjet dy popujve. Në ndarjen e parë të territoreve ndërmjet Izraelit dhe Palestinës me 1947, OKB kishte paraparë një status të veçantë eksterritorial për Jerusalemin, duke e trajtuar atë praktikisht si një territor neutral i cili nuk do t’i përkiste asnjërit prej shteteve. Por atëbotë asnjëra nga palët, as izraelitët e as arabët, nuk pranuan planin e OKB-së. Izraeli qysh atëherë kishte shtrirë sovranitetit mbi Jerusalemin Perëndimorë. Me luftën gjashtë ditore me 1967, Izraeli morri nën kontrollin gjithë territoret palestineze, përfshirë këtu edhe Jerusalemin Lindorë”, ka thënë politologu Tahiri.

Sipas tij, nga këndvështrimi izraelit çështja e Jerusalemit ka përfunduar qysh me 1980, kur Izraeli edhe zyrtarisht e aneksoi qytetin me atë që njihet si “Ligji mbi Jerusalemin”.

“Izraeli asnjëherë nuk ka shqyrtuar mundësinë që Jerusalemi Lindorë të jetë pjesë e territoreve nën administrimin e Autoriteteve Palestineze edhe pas formimit të vetëqeverisjes në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Gjithashtu nga këndvështrimi i ligjeve izraelite, banorët e Jerusalemit Lindorë janë shtetas izraelit, përfshirë këtu edhe arabët palestinezë. Në qytet sot banojnë rreth 60% hebrenj dhe rreth 40% arabë. Aneksimi i vitit 1980 i Jerusalemit Lindorë, nuk është pranuar nga shumica e shteteve, kurse vendimi i Presidentit Trump për të vendosur Ambasadën e SHBA-ve në Jerusalem, është tregues konkret se Uashingtoni zyrtar e njeh sovranitetin e Izraelit mbi Jerusalemin dhe se të njëjtin e njeh si kryeqytet të Izraelit”, ka thënë politologu Tahiri.

Ai ka thënë se më rëndësishmja është se me këtë veprim, administrata në Uashington e njeh sovranitetin e izraelit mbi gjithë qytetin, me çka kundërshtohen shpresat palestineze se një ditë Jerusalemi Lindorë do të jetë kryeqytet i Shtetit Palestinez.

“Nga këndvështrimi palestinez, Jerusalemi është kryeqytet i Shtetit Palestinez, por për shkak se është nën kontrollin izraelit, kryeqyteti i përkohshëm palestinez është Ramallah. Ngjarjet tragjike në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit që ndodhën pas protestave palestineze lidhur me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, janë një goditje e fortë kundër përpjekjeve të deritanishme për të arritur çfarëdo kompromisi i cili do të mundësonte paqe për dy popujt. Në ndërkohë, Shteti Palestinez ka një subjektivitet më të qartë në kuadër të sistemit politik ndërkombëtarë, pasi që është edhe shtet vëzhgues në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Lidhur me të ardhmen e Shtetit Palestinez, do të rriten polarizimet brenda botës perëndimore. Në anën tjetër, shihet një Izrael shumë i vendosur për të mbajtur situatën nën kontroll”, ka thënë politologu Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat