Tanja Fajon jep sinjalin, por këto janë dy problemet e Kosovës për vizat

Politika

Tanja Fajon jep sinjalin, por këto janë dy problemet e Kosovës për vizat

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 maj 2018 Në ora: 17:13
Ilustrim

Janë përmbushur kriteret e fundit për liberalizim të vizave, sipas raportueses për Kosovën, Tanja Fajon.

Këto deklarata Fajon i ka bërë në takimin e mbajtur në Bruksel me zëvendësministrin e Punëve të Jashtmë të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Patëm një takim me zëvendësministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj dhe një diskutim një orë e gjysmë të situatën në Kosovë. Ne ramë dakord që heqja e vizave për njerëzit në Kosovë është një qëllim i përbashkët, pasi vendi ka përmbushur kushtet e fundit”, ka deklaruar Fajon.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare e konsiderojnë pozitive deklaratën e Fajon, gjersa shtojnë se liberalizimi i vizave nuk mund të funksionalizohet gjatë vitit 2018.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, thotë se është pozitive dhe në drejtim të duhur, kjo deklaratë e raportueses Tanja Fajon.

Image
Anton Berisha

Data e liberalizimit të vizave, sipas Berishës, mbetet në duart e institucioneve të BE-së, gjersa shton se meritat për këtë nuk kanë rëndësi.

“Deklarata është pozitive dhe në drejtimin e duhur. Sa i përket datës ajo është në duart e institucioneve të BE-së, por ne shpresojmë se dinamika e përcjellur është pozitive. Më me rëndesi se kujt i shkojnë meritat është që fundi i vitit t’i gjejë qytetarët e Kosovës me mundësitë e lëvizjes së lirë nëpër vendet evropiane”, pohon Berisha.

Pas ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës, kriter tjetër për liberalizim të vizave është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Zyrtarë të Qeverisë, kishin deklaruar se është duke u dëshmuar se Kosova ka rezultate konkrete që tregojnë për luftimin e korrupsionit. Kurse, politologu Mentor Tahiri, thotë se duhet vlerësim adekuat nga autoritetet përkatëse të BE-së për këtë.

Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, sipas Tahirit, varet nga dy aspekte, ndërsa ai shton se dinamika e deritanishme nuk është shumë premtuese, se liberalizimi mund të funksionalizohet gjatë vitit 2018.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës aktualisht varet nga dy aspekte. I pari është një vlerësim adekuat nga autoritetet përkatëse të BE-së se Kosova ka përmbushur kritere të nevojshme drejt luftimi të korrupsionit dhe krimit. Megjithatë nuk duhet nënvlerësuar as aspektin e dytë, e që janë çështje procedurale të cilat dinë të pësojnë edhe nga vonesa burokratike në vendimmarrje. Gjithsesi, institucionet e Kosovës duhet të kuptojnë se ato janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe performanca e tyre analizohet me mjaft kujdes nga BE. Dinamika e deritanishme nuk është shumë premtuese, sa i përket liberalizimit të vizave diçka e tillë nuk do të mund të funksionalizohet gjatë vitit 2018”, thekson Tahiri.

Image
Mentor Tahiri

Shtetasit e Kosovës janë të vetmit që ende kanë nevojë për viza për lëvizjen në zonën Shengen.

Në vitin 2016,  Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që tashmë ka përfunduar dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat