Paaftësia e Serbisë kundrejt NATO-s dhe “humbja” e Kosovës

Politika

Paaftësia e Serbisë kundrejt NATO-s dhe “humbja” e Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 maj 2018 Në ora: 23:30
Foto ilustrim

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka shprehur besimin se Kosova shumë shpejt do të nënshkruajë marrëdhëniet diplomatike edhe me Serbinë.

Çitaku ka deklaruar se kush ka dyshime për legalitetin e pavarësisë së Kosovës, atëherë le ta lexojë vlerësimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Është e vërtetë se Kosova është shtet i ri, por ne jemi një komb shumë i vjetër. Ne kemi qenë gjithmonë aty. Jemi krenarë për aleancat që kemi me të gjithë ju dhe shpresoj se së shpejti Kosova do të nënshkruajë marrëdhëniet diplomatike edhe me Serbinë”, u shpreh Çitaku.

Deklarata e ambasadores Çitaku, vjen menjëherë pas deklaratës së Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte deklaruar se politika e gabuar e Serbisë, ka vulosur Pavarësinë e Kosovës.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analisti politik, Faik Krasniqi, thotë se zyrtarët serbë gjithmonë kanë për të thënë diçka për humbjen e Kosovës, mirëpo Pavarësia e Kosovës është një e drejtë legjitime.

Image
Faik Krasniqi

“Zyrtarët serbë gjithmonë kanë për të thënë diçka për humbjen e Kosovës. Serbia nuk e ka humbur Kosovën, sepse Kosova s'ka qenë kurrë e Serbisë. Por, Pavarësia e Kosovës ka ardhur si pasojë e një të drejte legjitime për të ekzistuar, si qytetarë dhe si shtet, e mbështetur nga shumica e vendeve të civilizuara të botës”, pohon Krasniqi.

Çlirimi i Kosovës kishte rezultuar pas sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë e Serbi, sulme këto të cilat patën zgjatur 78 ditë.

Tani 19 vite pas bombardimeve të NATO-s, Presidenti serb, thotë se do të kërkojë llogari për këtë, për shkak që sipas tij, këto bombardimet kanë lënë pasoja tek serbët.

Mirëpo, sipas Krasniqit, Serbia nuk do të mund të bëjë asgjë në këtë aspekt.

“NATO ka vepruar mbi bazën e humanitetit e Konventës për të drejtat e njeriut dhe Serbia s'mund të bëj asgjë në këtë aspekt, sepse shteti i tij ka qenë në prag të shfarosjes së një popull”, thekson Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat