Maqedoninë e braktisin të rinjtë e arsimuar, flet deputeti nga BDI

Politika

Maqedoninë e braktisin të rinjtë e arsimuar, flet deputeti nga BDI

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 14 maj 2018 Në ora: 21:09
Foto ilustrim

Statistikat e fundit tregojnë se rreth 25% e të rinjve me arsim të lartë kanë braktisur Maqedoninë në 10 vitet e fundit për të punuar në vende të tjera, kryesisht në Evropë. Sipas hulumtimit të kryer nga Fakulteti Juridik në Shkup, mbi 60% e kuadrit nga shkencat shoqërore shqyrtojnë mundësinë për të ikur nga vendi për një të ardhme më të mirë.

Megjithëse këto shifra janë jozyrtare, nuk mund të fshehët fakti se janë shifra jo të lakmueshme, sepse në bazë të kësaj Maqedonia rrezikon të humbë fuqinë intelektuale.

Për këtë çështje, deputeti nga BDI, Artan Grubi në një prononcim për gazetën ‘’Bota sot’’ nuk e mohon faktin se ka qytetarë që kanë zgjedhur rrugën drejt perëndimit për të siguruar një jetë më të mirë.

Image
Artan Grubi

‘’Vet autori i studimit thotë që statistikat janë jozyrtare dhe që vlerësimi i saktë është i vështirë, por megjithatë, nuk mund të mohohet fakti që qytetarët janë në kërkim permanent të perspektivave më të mira të punës. Kjo për mua është shumë legjitime dhe e natyrshme pasi që jetojmë dhe veprojmë në kushte globale të qarkullimit të shpejtë të njerëzve, mallrave dhe informacioneve ku bota është në pëllëmbë. Ashtu siç kemi shqiptar e maqedonas me punë më gjermani e gjetiu, kemi dhe gjerman e amerikan dhe të tjerë me punë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri sepse aty gjejnë perspektiva më të mira dhe ky trend i lëvizjes së lirë dhe kërkesës së punës më të mirë kudo është vështirë të ndalet’’, potencoi Grubi.

Tutje, sipas deputetit, Maqedonia duhet të punojë fortë që të ofrojë oferta joshëse ndaj të rinjve për t’i mbajtur brenda kufijve maqedonas.

‘’Në garën e atraktivitetit të tregjeve dhe ofertave, ne duhet të bëjmë çmos që të profilizojmë ofertë sa më joshëse për të rinjtë edhe pse kjo është shumë e vështirë në krahasim me vendet e zhvilluara’’, përfundon Grubi për gazetën ‘’Bota sot’’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat