Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “çështja” e Kosovës mbetet pengesë e madhe në rrugën e vendit të tij drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe i bëri thirrje Prishtinës për lëshime.
“Problemi i vetëm i madh të cilin e shoh si pengesë në rrugën tonë evropiane është çështja e Kosovës”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për AFP.
Duke folur rreth deklaratës së Vuçiqit , politologu Faik Krasniqi, ka thënë se nëse BE-ja e ka seriozisht që Kosova dhe Serbia njëherë e përgjithmonë t'i përmirësojnë marrëdhëniet e tyre, një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë.
“Vështirë se mund të bëhet kur dihet se çfarë politikë agresore bën Beogradi zyrtar ndaj Kosovës, atëherë Serbisë nuk bën t'i hapen dyert nga ana e BE-së pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur. Në të kundërtën Serbia gjithmonë do t'i shkaktojë probleme shtetit të Kosovës. Rastin e fundit e kishim para disa ditëve kur Qeveria e Serbisë i ndaloi hyrjen në territorin e saj ekipit përfaqësues të Kosovës në karate që ishin nisur për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë, që mbahet në Novi Sad. Njëkohësisht do të ishte gabim trashanik dhe i pafalshëm nga ana e BE-së nëse Serbinë e pranon në gjirin e saj para shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht kur bëhet fjalë për dy shtetet shqiptare, Kosovën dhe Shqipërinë”, ka thënë politologu Krasniqi.