Deputeti i LDK-së flet për amanetin e Ibrahim Rugovës, tregon se kur do të jetësohet ai

Politika

Deputeti i LDK-së flet për amanetin e Ibrahim Rugovës, tregon se kur do të jetësohet ai

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 14 maj 2018 Në ora: 18:30
Presidenti Ibrahim Rugova

Ish- kryeministri i vendit, tash kryetari i LDK, Isa Mustafa, gjatë fushatës elektorale kishte paralajmëruar ndryshimin e simboleve shtetërore, e ku sipas Mustafës, Kosovës do t’i kthehej flamuri dardan dhe himni, “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”.

Por edhe pas një dekade pavarësi, amaneti i presidentit Ibrahim Rugova ende nuk është realizuar dhe simbolet shtetërore të propozuara nga presidenti Rugova, flamuri i Dardanisë dhe himni “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë”, mbetën thjesht fjalë të cilat më së shumti përmenden gjatë fushatës elektorale.

Madje në fushatën e fundit për zgjedhje lokale, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parti kjo që po qeverisë me vendin, kishin thënë se janë të gatshëm ta përkrahin këtë iniciativë të LDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Bota sot” se në mundësinë e parë juridike dhe politike, shteti i Kosovës do ta ketë himni “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” dhe gjithashtu flamurin dardan.

Image
Naser Rugova

“Ajo ide nuk është e re për LDK, thjesht është qëndrim i LDK-së dhe në mundësinë e parë politike, juridike, por edhe në koncept më të gjerë, himni “Kur ka ra kushtrimi n ‘Kosovë” të jetë himni i Kosovës dhe flamuri dardan të jetë flamur i shtetit të Kosovës, sepse konsiderojmë se reflekton në kuptimin më të mirë për të gjitha përpjekjet e Kosovës. Me Himnin “Kur ka ra kushtrimi ne Kosove” janë perceptimet më të mira dhe gjithëpërfshirëse dhe në veçanti transmeton dhe shpërfaq në tërësi vlerat e mëdha në Republikën e Kosovës”, ka thënë Rugova.

Tutje ai ka deklaruar se kërkohet vullnet politik dhe një konsensus i gjerë për ndryshim të himnit dhe simboleve aktuale.

“Kjo çështje nuk dërgohet vetëm në qeveri, por edhe në Kuvend. Duhet një konsensus i spektrit politik, qytetar në radhë të partive politike, parlamentare, por edhe atyre jo parlamentar, gjithashtu edhe institucioneve kulturore dhe ku të arrihet një konsensus i tillë nuk do të kishte asgjë të keqe ku gjithmonë edhe me miratimi edhe të komuniteteve tjera. Kërkohet vullnet politik dhe pastaj të procedohet në parlament sepse është kuvendi ai që i ka të gjitha predispozitat që të votojë ndryshmet e kërkuara nga deputetët”, ka përfunduar deputeti Naser Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat