Partia Socialdemokrate, e cila së fundmi zgjodhi organet e reja drejtuese, kryesisht deputetë dhe zyrtarë të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, pritet që të ketë bashkëpunim më partitë tjera opozitare për temat të cilat interesi mund të jetë i përbashkët.
Partia me kryetar Shpend Ahmetin, ndjejnë nevojën për një opozitë të organizuar dhe më të madhe.
Deputeti Partisë Socialdemokrate në Kuvendin e Kosovës, Faton Topalli, ka thënë për “Bota sot” se partia e tij është për bashkëpunim të drejtë me partitë e tjera opozitare.
“Ne jemi për bashkëpunim me partitë tjera opozitare, për temat për të cilat kemi interes të përbashkët. Edhe deri më tani ka ekzistuar një bashkëpunim i tillë dhe nëse ka vullnet të mirë ky bashkëpunim mund të rritet në intensitet. Nevoja për një opozitë të organizuar dhe bashkërenditje të veprimeve është shumë e madhe. Se çfarë do të ndodhë në praktikë do ta shohim gjatë muajve në vijim”, ka thënë Topalli.
Kurse në lidhje me deklaratat e ndryshme të deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët hodhën akuza ndaj deputetëve të Partisë Socialdemokrate, deputeti Topalli u është kundërpërgjigjur ashpër.
“Po ta pyesnim Vetëvendosjen asnjë parti nuk do të duhej ta kalonte pragun, por këtë e përcaktojnë votuesit. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim, nëse ky është i dëshiruar nga të dy anët. Nëse jo, shihemi tek pragu”, ka thënë deputeti Faton Topalli.