Serbia para aktit të kryer, njohja e Kosovës e domosdoshme

Politika

Serbia para aktit të kryer, njohja e Kosovës e domosdoshme

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 maj 2018 Në ora: 23:55
Flamuri i Kosoves

Serbia me politikën e saj të gabuar, e ka vulosur Pavarësinë e Kosovës, ka deklaruar Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke kujtuar se, për këtë situatë dhe rrethanat shumë të këqija në të cilat po zgjidhet çështja e Kosovës, janë ata përgjegjës.

 “Jemi deri diku vetë përgjegjës, duke pasur parasysh politikën e gabuar të Serbisë dhe disa lëvizje, me të cilat praktikisht kemi vënë vulën në zarfin e Pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Vuçiq.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se kjo deklaratë e Vuçiqit vjen pasi ata e kanë kuptuar tashmë se janë para aktit të kryer dhe se pavarësia e Kosovës duhet të pranohet.

Vuçiqi dëshiron të shpërqendrojë vëmendjen nga kohërat e kaluara, prandaj jep këso deklarata, thotë Tërnava, gjersa shton se Serbia vazhdon t’i bëjë presion Amerikës dhe shteteve të QUINT-it.

“Politikat që po zhvillohen kohëve të fundit, e sidomos qëndrimi i Amerikës me shtetet e QUINT-it për Kosovën, se sa më parë duhet të anëtarësohet si shtet i pavarur në OKB pavarësisht se a do ta njeh Serbia pavarësinë e Kosovës, a jo dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare si NATO, INTERPOL, UNESO etj dhe të ndikohet te shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që mos ta tërhekin njohjen e saj, sikur është duke bërë presion Serbia tek ato. Në bazë të bisedave që i kanë bërë të fortit e botës me Serbinë, e që ajo iu ka premtuar se do ta njeh pavarësinë e Kosovës, e duke pasur parasysh se Serbia pavarësisht premtimeve që i jep,  ajo përsëri vazhdon me të vjetrën. Tani duke i pa qëndrimet vendimmarrëse të mëdhenjve të botës si të Amerikës dhe QUINT-it, Vuçiqi dëshiron ta shpërqendrojë vëmendjen në ato kohërat e kaluara  dhe ta pranojë se Kosova është humbur me gabimet e udhëheqësve të mëhershme të Serbisë dhe se tani gjenden para aktit të kryer dhe duhet të pajtohen me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, thotë Tërnava, ekspert i sigurisë dhe njohës i çështjeve politike në vend.

Pas gati 20 vjet të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është ankuar se nga kjo kampanjë po pësojnë ende shumë qytetarë serbë.

Madje, ai shtoi se Serbia do të kërkojë llogari për një gjë të tillë.

Në situatën në të cilën gjendet Presidenti i Serbisë, për të treguar rezistencë ndaj mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, atëherë shprehet se do t’i kërkojë llogari NATO-s, prandaj sipas Tërnavës, kjo shprehje tregon sikletin në të cilën gjendet Vuçiqi.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava deklaron se Serbia, mund të kërkojë dëmshpërblim për shkak të bombardimeve, mirëpo njohja e pavarësisë së Kosovës, është akt i domosdoshëm.

“Mos njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, asaj do i kushtojë shumë, prandaj Serbia gjendet para një halli të madh, që gjithsesi duhet ta njohë pavarësinë e saj. Edhe në bisedat ndërmjet përfaqësuesve të këtyre shteteve të fortëve me Vuçiqin, ky i fundit gjithnjë ka premtuar se do ta njeh pavarësinë e Kosovës, prandaj tani e pranon se Serbia me politikat e saja të gabuara e ka vulosur pavarësinë e Kosovës, e sidomos me ankesën e Serbisë ndaj gjyqit ndërkombëtar për shpalljen e pavarësisë së Kosovës si të pabazë, e i cili gjyq shpalljen e pavarësisë e ka konfirmuar si të legjitime”.

“Tani në situatën në të cilën gjendet Vuçiqi, e të cilin mund ta gjenë fati i Gjingjiqit, ai tenton të tregojë rezistencë ndaj mosnjohjes se pavarësisë, atëherë shprehet se do t’i kërkojë llogari NATO-s për bombardimet në Kosovë. Edhe kjo shprehje e tij, tregon sikletin në të cilën gjendet Vuçiqi. Mund të ndodhe që si njohje të pavarësisë ndaj Kosovës, të kërkojë një lloj dëmshpërblimi për Serbinë, kinse si dëmshpërblim për bombardimet ndaj Serbisë,  e për zhvillimin e saj. Me këtë do ta ketë një satisfakcion ndaj popullit të tij, se ai ka bërë çfarë ka  mundur në rezistencat e tij ndaj shteteve më të forta të botës, por që njohja e pavarësisë së Kosovës është akt i domosdoshëm, sepse edhe Serbia i takon Evropës dhe nuk mund të ndahet nga ajo, e t’i bashkëngjitet Rusisë”, shton Tërnava.

Shqetësimet e Presidentit serb, ishin ikja e popullit nga Serbia dhe shkalla e ulët e lindshmërisë, ndërkaq sipas Tërnavës, nëse do të ndodhte njohja e Kosovës, atëherë investimet asaj do t’i shtohen.

“Serbia në këto kohëra edhe ashtu është në situata të vështira, sidomos me papunësi të madhe dhe shumë të rinjë po migrojnë jashtë vendit për punësim, si dhe nataliteti i saj është në rënie e sipër në përmasa të mëdha, sepse mesatarja e jetës është shumë e lartë dhe lindjet e fëmijëve te çiftet e rinjë janë të rralla. Sikur të ndodhë, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e saj, edhe investimet do të ishin në përmasa të mëdha nga vendet e perëndimit dhe do të hapeshin vende të reja të punës dhe të rinjtë nuk do të migronin”, përfundon Tërnava.

Ndaj deklaratës së Vuçiqit, ka reaguar sot zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

 Hoxhaj duke iu referuar prononcimeve të Vuçiq, ka theksuar se Pavarësia e Kosovës është vulosur nga vullneti e vendosmëria e njerëzve por, jo nga politika e gabuar e Serbisë.

”Pavarësia e Kosovës është vulosur nga vullneti, sakrifica dhe vendosmëria e njerëzve, dhe jo nga politika e gabuar e Serbisë! Pavarësia jonë nuk është një triumf mbi Serbinë, por një e drejtë legjitime për të ekzistuar, si qytetarë dhe si shtet”, ka përfunduar ai reagimin e tij në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat