Komandant “Luli” e shpalli të mbyllur, por ja çfarë bën sot SHIK-u! Abazi zbulon fondet të cilat u përdorën për SHIK-un

Politika

Komandant “Luli” e shpalli të mbyllur, por ja çfarë bën sot SHIK-u! Abazi zbulon fondet të cilat u përdorën për SHIK-un

Nga: P.R Më: 13 maj 2018 Në ora: 19:37
Foto ilustrim "Bota sot"

Ishte 14 qershori i vitit 2008, kur Kadri Veseli, i njohur si komandant “Luli”, kishte deklaruar mbylljen zyrtare të Shërbimit Informativ të Kosovës, (SHIK), shërbim të cilin e kishte udhëhequr ai për vite me radhë.

Por, edhe pse zyrtarisht Veseli kishte deklaruar të mbyllur këtë shërbim famëkeq,  në Kosovë shpesh ka zëra që ai është ende aktiv. SHIK-u, shumë herë ka qenë dhe vazhdon të akuzohet për shumë të këqija dhe vrasje që kanë ndodhur në Kosovë, e sidomos vrasjet politike, ku më së shumti nga kjo kishte pësuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lidhur me atë se a vazhdon të jetë ende aktiv SHIK-u në Kosovë, njohësi i zhvillimeve politike dhe analisti, Haki Abazi ka folur për gazetën “Bota sot”.

Abazi thotë se fondet e PTK-së janë shfrytëzuar nga SHIK-u dhe PDK-ja.

Image
Haki Abazi

“Veprimet e SHIK-ut janë të pa sqaruara, në çfarë baze ligjore ka vepruar, kush e ka financuar, kush ka dhënë urdhra, në çfarë forme ka mbijetuar financiarisht, çfarë përqindje e fondeve të PTK janë shfrytëzuar për SHIK-un, agjentet dhe veprimet e pajisjeve e tyre. Pse po falimenton PTK, a ka përdorur PTK-në SHIK-u dhe PDK-ja për të ndikuar rezultatet e zgjedhjeve dhe shumë të panjohura tjera për SHIK-in, tregojnë që SHIK edhe sot vazhdon të ekzistoje dhe përdor struktura të institucioneve për të vepruar”, ka deklaruar Abazi.

Sipas tij, eksponentë të SHIK-ut janë të instaluar nëpër partitë tjera për të përçarë ato, duke mos përjashtuar as LDK-në.

“Natyrisht që SHIK dhe eksponentët e tyre kanë infiltruar njerëz nëpër partitë tjera për të përçarë, për të krijuar situata shantazhi, duke korruptuar dhe ofruar vende pune, kompensim material dhe kjo e bën problematike reformën e partive politike dhe konsolidimin. Është krejt e qartë tani se LDK asnjëherë nuk ka mund të jetë plotësisht imune ndaj këtyre veprimeve. Rezultatet e 18 viteve të fundit tregojnë që SHIK-u është një strukturë anti shtet dhe që ka luajtur role kryesore në sabotimin e shtetformimit të Kosovës”, përfundon analisti, Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat