Vizat nuk u liberalizuan, por Haradinaj po e “paguan” këtë çmim ndaj Listës Serbe

Politika

Vizat nuk u liberalizuan, por Haradinaj po e “paguan” këtë çmim ndaj Listës Serbe

Ismail Jakupi Nga Ismail Jakupi Më 13 maj 2018 Në ora: 14:19
Adem Hoxha dhe Ramush Haradinaj

Gati po bëhen dy muaj nga ratifikimi i demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, por liberalizimi i vizave nuk po ndodh.

Vota vendimtare për miratimin e kësaj marrëveshjeje ishte e deputetit goran të Listës Serbe, Adem Hoxha.

Një javë para miratimit të Demarkacionit, “Bota sot” nga burime të saja kishte raportuar se kushti i Listës Serbe në këmbim të votës për Demarkacionin, ishte edhe themelimi i Komunës së Gorës.

Zyrtarë qeveritarë por edhe deputetja Duda Balje, e cila përfaqëson komunitetin boshnjak (bashkëpunëtore e ngushtë e Kadri Veselit) nxituan ta hedhin poshtë mundësinë që të ketë një marrëveshje të tillë Haradinaj – Lista Srpska.

Por, e vërteta duket të jetë ndryshe. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qëndruar para disa ditëve në fshatin Brod të Dragashit dhe atje deputetit të Lista Srpska i ka premtuar krijimin e një komune të re.

“Krijimi i një komune të re, asaj të Gorës nuk është humbje për shqiptarët kudo që janë as në Opojë, as në Prizren apo diku, përkundrazi u mundëson këtyre njerëzve të jetojnë dhe t’i kenë mundësitë për jetë dhe jam përkrahës i një komune në Gorë që jeta të zhvillohet në mënyrën më të mirë të mundshme” – kishte deklaruar Haradinaj gjatë vizitës në Gore.

Image
Adem Hoxha dhe Aleksandar Vulin, gjatë një takimi në Dragash

Për këtë premtim të Haradinajt për ndarjen e Komunës së Dragashit dhe themelimin e një komune të re me bazë etnike, ka reaguar qendra e Vetëvendosjes në Dragash.

“Në ditët kur po negociohej me deputetë për votimin e një marrëveshje që Kosovës i’a humbi rreth 8000 hektarë tokë, Adem Hoxhës, deputetit nga Lista serbe, në këmbim të votës, iu premtua themelimi, apo thënë më mirë legjitimiteti i një komune të Gorës, pasi e njëjta është funksionale në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas Vetëvendosjes “komuna e Gorës” tashmë “gjendet në fshatin Vraniç të kësaj treve, në të cilën veprohet tërësisht në bazë të sistemit serb dhe dirigjohet po nga i njëjti sistem."

Vetëvendosje po ashtu i ka bërë thirrje Haradinajt, që mos të ndikoj në fuqizimin e këtyre strukturave serbe, por të ndërmarr masa të menjëhershme për eliminimin e tyre, pasi të gjithë e dimë se ato paraqesin cenim të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat