Gjykata Speciale të zbardhë rastin e 8 milionë markave

Politika

Gjykata Speciale të zbardhë rastin e 8 milionë markave

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 7 maj 2018 Në ora: 21:38
Anton Quni dhe Xhavit Haliti

Viteve të fundit, emri “Gjykatë Speciale” është bërë makth për shumë politikanë të Kosovës.

Tashmë, kanë përfunduar të gjitha proceduat për fillimin e ngritjes së aktakuzave të para. Të akuzuarit e mundshëm, nuk do të mund t`i shpëtojnë hetimit të Speciales, ani pse shpeshherë është vërejtur tendenca për t`i ikur përgjegjësisë nga persona të caktuar.

Në thelb të hetimeve, ashtu siç është thënë edhe më herët, janë dyshimet e ngritura nga raporti i senatorit Dick Marty, por me shumë gjasë në target të hetimeve do të jenë të përfshira edhe krime të tjera të supozuara që janë kryer nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000.

Prokurori amerikan, Jack Smith është emëruar kryeprokuror i Gjykatës Speciale. Zyrtarizimi i Smith, është një sinjalizim se ngritja e aktakuzave është afër.

Në anën tjetër, skena politike në Kosovë vazhdon të jetë e trazuar.

Mos ngritja e aktakuzave deri më tash, ka lënë hapësirë për spekulime të ndryshme lidhur me atë se kush do të jenë të akuzuarit, mirëpo nuk ia ka zbehur rëndësinë Dhomave të Specializuara.

Nën ankthin e pritjes për veprimin e Gjykatës Speciale, janë familjarët e personave të vrarë për motive politike. Të mbështetur në raportin e Prokurorit Wiliamson, i cili ndër të tjera thotë se, Gjykata Speciale do të merret edhe me hetimin e vrasjeve të kundërshtarëve politik, familjarët e të vrarëve për motive politike, e kanë Gjykatën Speciale shpresë të fundit për zbardhjen e rasteve.

Në fakt, kufizimi i hetimeve të Gjykatës Speciale, vetëm në raportin e Dick Marty-t do të ishte zhgënjyes për qytetarët e Kosovës, të cilët qe një kohë të gjatë i kanë humbur shpresat në sistemin e drejtësisë vendore.

Aq jo efikase kanë qenë Gjykatat në Kosovë, sa që po kërkohet edhe krijimi i një Gjykate të re Speciale për të hetuar korrupsionin.

Madje, një kërkesë të tillë e ka paraqitur vetë Ministri i Drejtësisë në Kosovë Abelard Tahiri.

Kur kjo kërkesë vjen nga vetë ministri, atëherë mund të kuptohet qartë se sa keq janë punët në organet e drejtësisë në Kosovë. Gjithsesi, ende nuk dihet nëse kërkesa bënë fjalë për krijimin e një Gjykate Speciale vendore apo ndërkombëtare siç është kjo  për krimet e luftës.

Andaj, pritjet e qytetarëve të Kosovës nga Dhomat e Specializuara janë të mëdha.

Edhe debati i fundit për milionat e që i janë dhënë UÇK-së nga ish- Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ndërlidhen tërthorazi me Gjykatën Speciale. Mbase, kjo gjykatë është e vetmja që mund të hedhë dritë mbi dyshimet që së fundi po ngriten nga deputeti i Kuvendit të Kosovës Anton Quni. E vërteta duhet të dihet sido që të jetë ajo! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat