Dosjet e Speciales në duar të kryeprokurorit amerikan, së shpejti aktakuzat e para

Politika

Dosjet e Speciales në duar të kryeprokurorit amerikan, së shpejti aktakuzat e para

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 maj 2018 Në ora: 08:19
Selia e Gjykatës Speciale

Lidhur me emërimin e Smith si kryeprokuror i Speciales, nga Gjykata Speciale kanë thënë se procesi i rekrutimit për emërimin e Prokurorit të Specializuar, bëhet në pajtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe legjislacion e procedura të tjera përkatëse, por që më shumë informacione ka vetëm Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) në Bruksel. E nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, zëdhënësi Chirs Bennett, ka thënë se BE e ka organizuar përzgjedhjen.

Jack Smith për 16 vite ishte pjesë e departamentit të drejtësisë në SHBA. Ndërsa tani, ai do të jetë kryeprokuror i Gjykatës Speciale, duke zëvendësuar ish kryeprokurorin David Schwendiman, të cilit i ka përfunduar mandati. Pas përfundimit të mandatit të Schwendiman, ishte paraparë që në vend të tij të emërohej Kwai Hong Ip, por do të jetë prokurori amerikan Jack Smith ai që do ta marrë këtë post.

Lidhur me emërimin e Smith si kryeprokuror i Speciales, nga Gjykata Speciale kanë thënë se procesi i rekrutimit për emërimin e Prokurorit të Specializuar, bëhet në pajtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe legjislacion e procedura të tjera përkatëse, por që më shumë informacione ka vetëm Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) në Bruksel.

“Procesi i rekrutimit për emërimin e Prokurorit të Specializuar bëhet në pajtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe legjislacion e procedura të tjera përkatëse”, thuhet në përgjigjen e tyre për gazetën “Bota sot”.

E nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, zëdhënësi Chirs Bennett, ka thënë se BE e ka organizuar përzgjedhjen.

“Bashkimi Evropian ka organizuar përzgjedhjen. Ju lutemi kontaktoni ata”, thuhet në përgjigjen e Bennett për “Bota sot”.

Image
Avokati Tomë Gashi

Gashi tregon arsyet pse Smith u emërua Kryeprokuror i Speciales

Lidhur me përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Specializuar dhe ngritjen e aktakuzave të para, avokati i njohur Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vlerëson se emërimi i Jack Smith si kryeprokuror i Speciales nuk është rastësi, derisa jep arsyet se pse është zgjedhur sërish një amerikan.

“Përzgjedhja-emërimi i Kryeprokurorit amerikan Jack Smith nuk është e rastësishme, pasi që të gjithë Kryeprokurorët që veprojnë në kuadër të Gjykatës Speciale në Hagë kanë qenë amerikanë. Kjo është bërë e qëllimshme që ish- pjesëtarët e UÇK-së, që do të akuzohen në Gjykatën Speciale, por edhe ne shqiptarët në përgjithësi, të mos kemi asnjë mundësi, që prokurorët amerikanë t’i kritikojmë për një-anshmëri të qëllimshme, e që në të ardhmen të mos mundemi të kritikojmë Zyrën e Prokurorit Special në Hagë, për shkak të ndihmës vendimtare që SHBA e ka dhënë në çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, por edhe për meritat kryesore, që i ka SHBA për ekzistimin e shtetit shqiptar, të Shqipërisë dhe për pavarësinë e Kosovës si shtet i dytë i shqiptarëve”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, Smith nuk do të ketë nevojë për 1 vit kohë për t’u familjarizuar me lëndët e kësaj gjykate.

“Kryeprokurori Jack Smith ka përvojë juridike në këtë punë dhe nuk është e vërtetë se atij do t’i nevojitet rreth një vit për t’u familjarizuar me procedurat dhe me lëndët që do të trajtohen në Gjykatën Speciale në Hagë”, vlerëson Gashi. Avokati thotë se shumë shpejt do të ngriten aktakuzat e para, derisa në këtë ka ndikuar përfundimi i mandatit të prokurorit David Shwendiman. “Është e vërtetë se largimi i prokurorit të mëhershëm amerikan, David Shwendiman ka prolonguar ngritjen e akuzave të para në Gjykatën Speciale, por kjo nuk do të ndodhë gjatë dhe shumë shpejt do të kemi aktakuzat e para të ngritura në Gjykatën Speciale, për shkak se Gjykata Speciale është funksionale që nga qershori i vitit 2017 dhe për shkak të ruajtjes së kredibilitetit- besueshmërisë së kësaj gjykate ndërkombëtare, e cila vetëm formalisht është gjykatë e Kosovës”, ka thënë Tomë Gashi për “Bota sot”.

Sinjal i qartë

Ndërsa, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Enver Bytyçi duke folur për këtë çështje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se emërimi i kryeprokurorit të ri në krye të Gjykatës Speciale, është sinjal se gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur.

“Emërimi i një kryeprokurori të ri në krye të Gjykatës Speciale për Kosovën normalisht duhet të jetë një sinjal, sipas të cilit gjërat do të lëvizin në drejtimin e duhur. Kjo do të thotë se një prokuror i ri do të duhet të nisë nga punët konkrete, të hartojë e shpallë akuza konkrete, të nxitë gjykatësit për të urdhëruar arrestime e kështu me radhë”, ka thënë ai. Sipas Bytyçit, fakti që kryeprokurori është amerikan, të bënë të mendosh se do të vendoset drejtësia.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi


“Fakti që ai është një prokuror amerikan të bënë të mendosh se bëhet fjalë për vendosjen e drejtësisë dhe jo për gjueti shtrigash ose përdorim politik të kësaj prokurorie me qëllim që politikanëve të Kosovës t’u bëhet presion për kompromise antikombëtare në marrëdhëniet dhe bisedimet me Serbinë. Duhet të besojmë se drejtësia e kësaj gjykate nuk do të vazhdojë të ndikohet nga politika evropiane dhe të zvarrisë procesin e fillimit të punës së saj”, ka theksuar profesori.

Por, ai thotë se që prej 3 vitesh që është krijuar gjykata, është dëmtuar imazhi i saj.

“Megjithatë gjithçka varet nga integriteti i kryeprokurorit dhe ndihmësve të tij, nga integriteti i kreut të gjykatës dhe gjyqtarëve të tjerë. Fatkeqësisht deri më sot, për tri vite që kur është miratuar ngritja e kësaj gjykate, ajo është manipuluar nga politikat evropiane, me qëllim që me lidershipin aktual të arrihen disa synime gjeopolitike të caktuara në Kosovë dhe në rajon. Kësisoj është dëmtuar imazhi i gjykatës si dhe organit të akuzës nga njëra anë dhe shpresa e viktimave të dhunës për drejtësi, nga ana tjetër”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Aktakuzat ngriten shumë shpejt

Sipas tij, prokurorit Smith do t’i duhet kohë që t’i studiojë mijëra faqe prova dhe se aktakuzat e para nuk do të ngritën shumë shpejt.

“Besoj se kryeprokurori Smith do t’i marrë dosjet ekzistuese në duart e tij dhe do të urdhërojë ngritjen e akuzave të para. Por nuk mendoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Do t’i duhet kohë ta bëjë këtë. I duhet të studiojë mijëra faqe prova dhe dëshmi, e më pas të marrë vendimin përkatës. Megjithatë duhet shpresuar se ai do të nisë shpejt nga puna. Me rëndësi është që prokuroria e kësaj gjykate krahas hetimit të akuzave serbe të Dick Martti-t, të hetojë vrasjet politike në Kosovë. Jam i bindur se akuzat e Dick Martti-t nuk do të provohen, sepse ato janë ngritur mbi bazën e imagjinatës nacional-shoviniste të Beogradit. Më saktë, veprat kriminale që ka kryer Milosheviçi kundër shqiptarëve kanë shërbyer si lëndë për të  akuzuar viktimat e Milosheviçit”, vlerëson profesori Bytyçi.

Ai shprehet se nëse kryeprokurori Smith, do të merret me pjesën e krimeve që janë kryer ndaj figurave politike e të gazetarisë do të gjejë prova edhe për to, por Bytyçi, hedhë poshtë mundësinë që të merren për bazë akuzat e Dick Marttit.

“Por Xhemajl Mustafën, e figura të tjera politike e të gazetarisë së Kosovës, pas lufte nuk i ka vrarë Milosheviçi i Beogradit. Këto viktima politike ishin në shënjestrën e një Milosheviçi shqiptar në Prishtinë. Nëse kryeprokurori Smith do të merret me këtë pjesë të krimeve të kryera në Kosovë, ai do t’i gjejë prova dhe autorët e këtyre vrasjeve. Kjo është më e rëndësishmja në punën e tij. Sigurisht që ajo gjykatë është ngritur mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Evropës, për të hetuar dhe kërkuar prova e dëshmi për akuzat e Dick Martti-t. Ndaj dhe përqendrimi do të jetë në këtë pjesë. Megjithatë e përsëris, nuk do të dalë gjë pas asaj tymnaje”, ka përfunduar profesori Bytyçi.

Image
Politologu Ramush Tahiri


Tahiri: Aktakuzat do të shtyhen

Në anën tjetër politologu Ramush Tahiri, ka thënë se do të shtyhet ngritja e aktakuzave të para, për shkak të kohës që ai ka kërkuar që të njihet me lëndën.

“Jo, emërimi i këtij gjyqtari dhe jo emërimi i zëvendësit të gjyqtarit të mëhershëm Shëendiman do t’i shtyjë proceset. Gjyqtari i ri ka kërkuar një vit kohë që të njihet me lëndën dhe kjo do t’i njihet. Pra, këta janë gjyqtarë me profesion, por në këtë rast janë Kryeprokurorë të Gjykatës Speciale”, është shprehur ai. Sipas Tahirit, po të caktohej gjyqtari që ishte paraparë, Këai Hong Ip, do të ishte e mundshme që aktakuzat të ngriteshin menjëherë.

“Sikur të caktohej gjyqtari i parë që ishte paraparë, Kwai Hong Ip, ai ka qenë i njoftuar me lëndën dhe ka mundur t’i ngritë aktakuzat menjëherë. Edhe në rastin në Kosovë, si po jep dorëheqje gjyqtari i lëndës ose si po caktohet gjyqtari i ri, lënda atëherë edhe procesi po nis nga e para”, ka vlerësuar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat