Këta janë deputetët “dembelë” të Kuvendit të Kosovës

Politika

Këta janë deputetët “dembelë” të Kuvendit të Kosovës

Më: 4 maj 2018 Në ora: 08:59
Kuvendi i Kosovës

Fillimi i seancave, e gjen zakonisht Kuvendin e Kosovës plot me deputetë në sallë, të gatshëm të debatojnë dhe të ngrenë çështje nga më të ndryshmet.

Por, pjesa e punës pasdite në institucionin më të lartë ligjvënës të Kosovës shpesh është karakterizuar me mungesën e deputetëve, çka ka rezultuar me mungesë kuorumi dhe mungesë në vendimmarrje.

Madje, vendimmarrja ka munguar edhe kur janë ngritur çështje të rëndësishme apo edhe aq të ndjeshme, siç rasti për rezolutën e propozuar për çështjen e personave të pagjetur në kohën kur ishte mbajtur seanca.

Deputeti i Kuvendi të Kosovës, Elmi Reçica, nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se mospjesëmarrja e deputetëve në seancë apo ikja nga seanca është një papërgjegjësi e madhe e ligjvënësve.

Sipas tij, deputetët e Kuvendit, janë duke bërë aktualisht punën më minimale të mundshme.

"Mungesa e tyre, kur debatohet për çështje, pavarësisht se çfarë janë, por edhe kur është diskutuar për çështje me rëndësi, në fillim të seancës vijnë të gjithë deputetët, debatohet me orë të tëra siç ishte edhe dita e të zhdukurve dhe në fund nuk kemi kuorum votues. Në radhë të parë është papërgjegjësi e deputetëve dhe është edhe papërgjegjësi e vetë Qeverisë mungesa e ministrave në seanca plenare", thotë Reçica.

Kuvendi i Kosovës, sipas deputetëve, ka provuar t’i ndëshkojë deputetët me disa masa administrative, por ato nuk kanë dhënë rezultate.

Edhe deputetja Mimoza Kusari – Lila nga Alternativa, parti e cila është pjesë e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, mosprezenca e deputetëve në seanca ose ikja nga to, nis nga partitë politike [listat e kandidatëve për deputetë] e deri të papërgjegjësia e vetë deputetit.

Kusari - Lila thekson se një numër i konsiderueshëm i deputetëve nuk e merr me seriozitet pozitën që ka si deputet i zgjedhur nga qytetari.

"Rregullat dhe procedurat duhet të kenë një modifikim, këtu duke përfshirë faktin se duhet të ketë edhe sanksione për deputetët që nuk marrin pjesë në seanca. Deputetët duhet të verifikohen në fillim dhe në fund të seancave, e po ashtu edhe në proces të votimit. Kur të ekzistojë një përcjellje e saktë e statistikave dhe pjesëmarrjes, atëherë mund të flasim për deputetë, të cilët kontribuojnë në demokraci dhe në përgatitjen e legjislacionit dhe cilët janë ata që nuk e marrin me përgjegjësi këtë detyre", shprehet ajo.

Kusari -Lila thotë se duhet patjetër që të ekzistojnë sanksione në raste të mosvotimit të raporteve të agjencive, në rast të çështjeve të ndryshme në ekzekutiv.

"Kur të ketë një efekt të tillë të mirëfilltë në kuadër të strukturës te institucionet e tjera që i raportojnë Kuvendit, atëherë besoj se deputetët do ta marrin më me seriozitet pozitën e tyre", shtoi Kusari- Lila.

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës po përballet në vazhdimësi me mungesë të kuorumit, mirëpo kjo problematikë është më e theksuar muajve të fundit.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, për periudhën janar – mars, tetë seanca sa ka mbajtur Kuvendi, që të gjitha janë shtyrë për mungesë kuorumi. Këto seanca janë përcjellë me vazhdime, madje, deri në katër herë.

"Ndonëse në listat e pjesëmarrjes të seancave të mbajtura për këtë periudhë kohore, janë nënshkruar 90% e deputetëve, një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë qëndruar në sallë deri në përfundim të seancës. Për rrjedhojë votimi i pikave të rendit të ditës në ditën kur është paraparë, ka qenë i pamundur për shkak të mosprezencës së deputetëve", thuhet në një monitorim që e ka bërë KDI-ja.

Albert Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deputetëve duhet t'u vijë keq që nënshkruhen sa për mëditje dhe ikin nga seancat.

"Kjo, vërtet, është shqetësuese për shkak se deputetët nuk po janë në krye të detyrës së tyre. Nuk janë në Kuvend për t'i përfaqësuar qytetarët, të cilëve u kanë kërkuar votën me qëllim të përfaqësimit në Kuvend. Kjo po e paralizon dhe dëmton punën e Kuvendit dhe funksionimin e këtij institucioni", vlerëson Krasniqi.

Krasniqi mendon se kësaj atmosfere në punën e Kuvendit është duke i kontribuar edhe koalicioni qeverisës, që, sipas tij, është i fragmentuar.

Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, parasheh dënime për deputetët vetëm në rast të mungesës në Kuvend për më shumë se gjashtë muaj, por nuk specifikon ndëshkime tjera për numrin e madh të mungesave.

Ndryshe, Rregullorja e re e punës së Kuvendit është në procedurë të shqyrtimit për ndryshim. Kjo legjislaturë deri tash ka miratuar 22 nga 122 sa janë gjithsej. Në procedurë janë 31, kurse në pritje për shqyrtim 69 ligje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat