Debati për 8 milionët, ana e errët e luftës po e pengon zhvillimin e vendit

Politika

Debati për 8 milionët, ana e errët e luftës po e pengon zhvillimin e vendit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 3 maj 2018 Në ora: 20:00
Xhavit Haliti dhe Anton Quni

Njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, ka komentuar debatin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, apo debatin e ripërsëritur ndërmjet  Xhavit Halitit dhe Anton Qunit, lidhur me 8 milion markat që Quni e akuzon Halitin se i ka marrë gjatë luftës.

Haziri thotë se këto konfrontime nuk janë vetëm si rezultat i rivalitetit politik, por burojnë nga ajo ana e errët e historisë më të re të Kosovës të periudhës së luftës, duke bërë thirrje që të hetohen të gjitha dyshimet që po e mbajnë peng shoqërinë e Kosovës.

“Mendoj se këto konfrontime si e ajo deputetit të LDK-së, Anton Qunit dhe Xhavit Halitit të PDK-së, nuk janë vetëm si rezultat i rivalitetit politik, por burojnë nga ajo ana e errët e historisë më të re të Kosovës të periudhës së luftës, ngjarje këto që po e mbajnë peng zhvillimin e shoqërisë kosovare por edhe të Kosovës si shtet demokratik ku sundon rendi dhe ligji. Jo vetëm ky konfrontim që ka si bazë 8 milion marka gjermane që iu janë dhënë z. Haliti për nevojat e UÇK-së, e që janë manipuluar nga klani i njohur si “Shtabi i Rognerit”, por edhe ngjarje të tjera të vrasjeve në këtë periudhë të luftës dhe menjëherë pas saj, duhet të hetohen nga drejtësia, për të hedhur dritë mbi shumë dyshime të bazuar mbi aktivitetin kriminal e mafioz të disa figurave në atë kohë ushtarake të UÇK-së, tashmë me poste të larta politike e shtetërore, të cilët i kanë shkaktuar shumë dëme vendit në procese të ndryshme dhe të rëndësishme, si në atë të brendshëm, po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar ku Kosova ka një imazh jo të mirë”- tha Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Ai shpreson që Gjykata Speciale të jetë një dritë në fund të tuneli lidhur me këto raste.

“Kujtoj se ky proces, i drejtësisë , e që shpresojmë ta realizoj apo ta vë ne vendin e vet Gjykata Speciale,që unë e quaj si ballafaqim i Kosovës me vetveten, do të jetë një fillim i këndelljes qytetare shpresës për një perspektivë në këtë vend, por edhe të dekriminalizimit të skenës politike kosovare. Por, gjithashtu procesit të ballafaqimit me drejtësinë, nuk duhet t’i shpëtonin as fondet në të cilat janë derdhur qindra miliona marka, gjatë periudhës para, gjatë, dhe pas luftës ,ai i “3%” dhe ai “Vendlindja Thërret”, për tu zbardhur e vërteta e këtyre parave si ku përfunduan, pasi ishin djersa e qytetarëve të Kosovës, e në veçanti e mërgatës tonë, e cila nuk kurseu asgjë për realizimin e qëllimit tonë si komb për liri, pavarësi dhe demokraci”- përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat